OPINION

“Mrekullia Valentini”, bamirësia më e madhe intelektuale që patëm fatin të kemi ne shqiptarët

14:34 - 28.12.20 Ndriçim Kulla
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Në qoftë se një student jezuit i shkollës jezuite të Goricias në 1922, i cili do të ishte bërë sakat pas një sëmundjeje ose aksidenti, do të ishte ngritur befas në këmbë për të shkuar si misionar në botë, kjo me siguri që do të ishte quajtur një mrekulli hyjnore dhe ky njeri do të ishte shpallur shenjt me kohë. Një mrekulli e ngjashme ndodhi me At Zef Valentinin në atë kohë, por kjo nuk është certifikuar nga Kisha si mrekulli. Një shenjë e padyshimtë e providencës në veprën e Valentinit për Shqipërinë është fakti se ky njeri shëndetlig, të cilin dikur e kishin larguar nga kolegji jezuit se nuk e përballonte dot regjimin e rreptë të kësaj shkolle, me të ardhur në Shqipëri dhe me të nisur punën e tij të shumanshme, gëzoi një shëndet kaq të mirë, sa i mahniti ata që e njihnin. Etërit jezuitë të Seminarit të Padovës do të ishin të parët që do të besonin se me ish-nxënësin e tyre kishte ndodhur një mrekulli e shenjtë, nëse do të kishin pasur mundësi ta shihnin më pas duke punuar. A mund të besonin ata se njeriu që për dekada do të përballonte një regjim pune titanik ishte ish-nxënësi i tyre shëndetlig për të cilin studiuesi Attilio Vaccaro, në një biografi për kohën e tij të studimit në seminarin e Padovës, shkruan:
Ai ambient tejmase i rreptë nuk mund të përshtatej me shpirtin e gjallë e të paqtë të një djaloshi të ri, të qortuar shpesh për vitalitetin e vet, edhe pse shëndetdobët, por të vlerësuar me notat maksimale në vitin 1910-1911. Aq sa për këtë arsye, duke mos pasur mundësi të ndiqte orarin dhe rregullin rigoroz të seminarit, të saporistrukturuar (1907-1910), në vitin 1912, me pëlqimin e prindërve, iu dorëzua imzot Gaetano Sartorit (1855-1928), Rektor i sapoliruar i seminarit, për t’u edukuar në mënyrë private. (Attilio Vaccaro: “At Giuseppe (Zef) Valentini: 1900-1979: albanolog dhe bizantinist”, Akademia Engjëllore-Konstantiniane e Letrave, Artit dhe Shkencës, Romë 2008)




FLETPALOSJA VALENTINI PER LIBRIN.indd FLETPALOSJA VALENTINI PER LIBRIN.indd
<
>

Që një njeri i vetëm të bënte veprën e Valentinit, atë kombinim të kërkuesit të arkivave me studiuesin, duhet që ai të kishte së paku një shëndet të shkëlqyer. Kur shikon ecurinë e veprës së tij, të krijohet përshtypja se, sa më thellë hynte ai në studimet, sa më tepër përhapej në fusha të ndryshme kërkimore dhe sa më shumë i zgjeronte sferat e veprimtarisë së tij intelektuale, aq më tepër përmirësohej shëndeti i tij, shumoheshin aftësitë e tij fizike të nevojshme për të përballuar një punë të tillë të pazakontë mendore e fizike. Nëse ka ndonjë veti të At Valentinit që i ka mrekulluar më shumë të gjithë ata që e kanë njohur, kjo është energjia e tij fizike, aftësia e tij për të përballuar fizikisht punën e tij mendore si studiues. Një nga miqtë e tij, Profesor Karl Gurakuqi, shkruante në vitin 1970, kur At Valentini ishte tanimë 70 vjeç:
Shpesh herë e pyes veten se qysh Valentini gjen kohën për të gjitha këto punë! Kam pyetë dhe kam hetue se ai punon gjithë ditën, deri vonë në mbramje, pa u lodhë, e rifillon punën në mëngjes herët, n’orën pesë, edhe ma herët tue mos lanë mbas dore shërbesat e tjera fetare si meshtar e si rregulltar.
E pra Valentini nuk asht mirë me shëndet. E pyeta nji ditë të kohës së fundit nëse në jetën e vet kishte qenë ndonji herë i sëmundë. M’u përgjegj e më tha se do ta pyetshem nëse ka qenë gjithnji me shendet. Asht puna e papreme ajo qi e mban të fortë, qi e mban në kambë. Habitet i madh dhe i vogël kur e shofin tue punue: shkruen, flet, jep keshille. Ka nji kujtese të mrekullueshme: nuk harron kurrgjia, edhe sendin ma të vogël. Nuk i mërzitet punës: posa ven kambën n’Institutin e Studimevet Shqiptare, ma së pari kryen korrespondencën zyrtare dhe private me nji shpejti të çuditshme, pastaj pranon nji nga nji studentat qi ditë për ditë vijnë për të kërkue spjegime dhe këshilla rreth thezave të shqipes, qi çdo vjet parashtrohen para kshillit të profesorave për bisedim dhe pëlqim. (At Giuseppe (Zef) Valentini: “Vepra”, vëllimi II, Shtëpia botuese “Plejad”, Tiranë 2005, f. 29-30)
Këtu nuk mund të mos pyesim të habitur: A është trupi i Valentinit që flet me Karl Gurakuqin i njëjti me trupin e atij seminaristit që nuk përballonte dot regjimin e shkollës në Padova? Ignazio Parrino, i cili bashkëpunoi me Valentinin që në 1967, si ndihmës i tij, në një artikull me titull “Shënime bibliografike mbi Valentinin”, na ofron detaje mbi mënyrën e punës mbinjerëzore të At Valentinit, në moshën 67 vjeç, dhe për disa vite në vazhdim:
Unë fillova ta njoh në gushtin e vitit 1967, kur në një vilë të vogël të Bergamos, punova si asistent i tij. Me të arritur, ai filloi të më fliste menjëherë për dorëshkrime, arkiva, dokumente të pabotuar, për paleografinë etj., të gjitha gjëra që kishin lidhje me kremtimet e 500-vjetorit të vdekjes së Skënderbeut që po përgatitej atëherë. Banonim në të njëjtën vilë të vogël. Menjëherë më dha për të studiuar disa dokumente e kështu gjatë ditës ishin disa orë studim, disa orë në të cilat më thërriste në dhomën e tij dhe më shpjegonte shumë gjëra, gjithnjë për temën e studimit. Gjatë shëtitjeve flitej për arkiva, në drekë dhe në darkë tregonim barcoleta të dy, por ai dinte shumë më tepër se unë. Shuma e orëve të punës rreth katërmbëdhjetë orë ditore, se pse ai thoshte se e kishte me ngut dhe nuk kishte kohë për të humbur. (At Zef Valentini: “Studime dhe tekste historike”, vëllimi II, Shtëpia botuese “Plejad”, Tiranë 2013, f. 5-6)


Në 1967, At Valentini ishte 67 vjeç. Kjo punë me intensitet kaq të lartë pa e kursyer veten aspak nuk mund të mos e shteronte shëndetin e At Zef Valentinit. Edhe njerëz shumë më të rinj se ai dhe me shëndet të mirë, nuk mund do ta përballonin këtë regjim pune. Ignazio Parrino pranon se vetëm kur punoi me At Valentinin, e kuptoi se kishte qenë i gabuar kur kishte menduar deri atëherë se ai vetë punonte në limitet që mund të përballojë çdo njeri, kur është fjala për punë të vështirë mendore. Parrino kujton:
Duke studiuar rreth 10 orë në ditë, unë besoja se bëja mjaft, aq më tepër që të vazhdoja me 12 deri 14 orë studim, nuk mendoja se qëndresa do të më vazhdonte gjatë. Mirëpo dhjetë orë në ditë atij i dukeshin pak e ndonjëherë më jepte ndonjë punë për të bërë edhe natën, pa përmendur që ditë pune ishin të gjitha ditët e vitit, pa përjashtuar as të dielat, as ditët e festave e as pushimet verore apo dimërore…
14 orë ishin orari i tij i punës së përditshme… Nuk e kam dëgjuar kurrë të thoshte “u lodha”, madje lodhej menjëherë kur diçka e pengonte të punonte në këtë mënyrë. Dukej se tashmë qe mësuar me këtë metodë pune. I kish disiplinuar madje edhe lëvizjet, për t’i eliminuar ato të padobishmet, e për të mos humbur as edhe një grimë kohë. (At Zef Valentini: “Studime dhe tekste historike”, vëllimi II, Shtëpia botuese “Plejad”, Tiranë 2013, f. 7-8)
Vetëm kështu mund të arrinte një njeri i vetëm të prodhonte një vepër monumentale si ajo e At Valentinit. Çfarë transformimi kishte ndodhur te Valentini? Ku ishte ai djali shëndetlig padovan të cilin dikur e kishin larguar nga Seminari Jezuit? Si kishte ndodhur shndërrimi i tij në këtë burrë të fuqishëm që ishte në gjendje të përballonte një regjim kaq të sforcuar pune intelektuale? Përgjigjja e kësaj pyetjeje mund të jetë vetëm një: Me trupin dhe shëndetin e Valentinit kishte ndodhur një mrekulli hyjnore. Këtë na e provon edhe fakti se shëndeti i tij kaloi prova me të vërtetë mbinjerëzore në punën e tij si kërkues e studiues. Një episod i jetës së tij si kërkues në arkiva madje është i llojit të mrekullive të shenjta që u ndodhin shenjtorëve dhe është i denjë për çdo hagiografi. E kam fjalën për atë episod që tregon Profesor Ignazio Parrino, i cili na thotë se në 1942, kur At Valentini bënte kërkime për dokumente në arkivat e Korfuzit, atij i mungonin mjetet e posaçme që duheshin për t’u mbrojtur nga infeksioni që mund të shkaktohej nga prekja e dokumenteve që mund të ishin të infektuara me një mikrob të veçantë sëmundjeje vdekjeprurëse, një lloj murtaje, mikrobi i së cilës mund të mbijetonte për shumë shekuj e të aktivizohej kur prekeshin pergamenat. Para fjalës së frikshme “murtajë” do të ndalej dhe do të sprapsej i tmerruar edhe kërkuesi më i guximshëm i arkivave, por At Valentini nuk u step. Vetëm një njeri që kishte besimin e plotë se puna e tij kishte miratimin hyjnor do të guxonte të kuturiste në këtë aventurë.
Mrekullia hyjnore e shëndetit të At Zef Valentinit mbajti mbi pesë dekada, aq sa iu desh atij për të bërë veprën e tij madhështore. Pastaj, në moshën 70-vjeçare, natyra kërkoi mbi trupin e tij çka ia kishte dhuruar më parë. Biografi i tij, Attilio Vaccaro shkruan:
Më 1970-ën u largua nga detyra dhe jetoi në Palermo deri në moshën e pensionit (1975), duke shkuar ndonjëherë edhe në Universitet për të mbajtur ndonjë leksion. Më pas u stabilizua përfundimisht në Milano, në Kishën e Shën Fedeles. Sëmundjet e moshës tashmë ia kishin dobësuar shëndetin duke e detyruar të qëndronte për periudha të stërzgjatura në klinikë. Që prej një dekade atyre iu shtua edhe diabeti. Më 1976 u operua nga katarakti në sy dhe që prej këtij viti u vendos përfundimisht në klinikë. Vazhdoi të punojë pareshtur, duke recensuar libra për “Letture” në pritje të bocës së vëllimit XXVI të “Akte Shqiptaro-Veneciane”, që dergjej në shtypshkronjë që në 1976, dhe që ai nuk arriti ta marrë kurrë. (Attilio Vaccaro: “At Giuseppe (Zef) Valentini: 1900-1979: albanolog dhe bizantinist”, Akademia Engjëllore- Konstantiniane e Letrave, Artit dhe Shkencës, Romë 2008)
Siç shihet, deri në fund shëndeti i tij mendor, fuqia intelektuale ishte e pacenuar. Mendja e tij ishte në punë, por asaj i mungonte bashkëpunimi i trupit. Fuqisë intelektuale i mungonte fuqia fizike. Edhe kjo mbijetesë e fuqisë mendore intelektuale deri në ditën e fundit, në këtë trup të drobitur nga sëmundjet që në fëmijëri, është një mrekulli në llojin e vet. Një provë e qëndresës mahnitëse të shëndetit të tij mendor, apo të fuqisë së tij intelektuale, është fakti se edhe në kohën kur u bë pacient i përhershëm, vazhdonte të kishte entuziazmin e dikurshëm për bashkëpunime të reja shkencore. Në 19 dhjetor 1976 i shkruan nga spitali në Milano Lec Shllakut, drejtorit të revistës “Koha Jonë” në Paris:
Ftesa që po më ban me bashkpunue me “Koha Jonë” më ka qitë në ngusht, pse më ka gjetë në klinikë, ku gjindem gjysa prej sëmundjevet e gjysa prej pleqniet, qi asht vet sëmundja ma e garrometshme. Kështu kam do vështirësi me ta ba qejfin; zati as në shpi s’po më punojnë ma duert me i ra makinës; këtu ma s’kam as libra për me vërtetue shka po shkruej. Megjithë këtë dy gisht artikull po ta bashkanjes, shkrue me dorë (ishalla mund të lexohet!) e pa citatat që kishin me i dhanë ma besueshmëni. (“Koha Jonë”, Paris XVI, 1977, N. 1-3, f. 5)
Dhe pasoi një tekst i shkurtër, i shkruar me dorë të dridhur, por një tekst shumë sintetik, që bart bërthamën e një libri të tërë, mbi identitetin e familjes së Kastriotëve. Ky është një tekst i vyer e i domosdoshëm për çdo biograf të Skënderbeut. Studiuesit e sotëm, që janë të njohur me veprën e Valentinit, nuk e kanë të vështirë që në fjalët e tij në këtë tekst të gjejnë referencat dhe citatet e munguara për të cilat ai thotë se e kishte të pamundur t’i sillte aty për shkak të gjendjes shëndetësore. Teksti ka vlerë aq për historiografinë skënderbejane sa edhe për një hagiografi të mundshme të At Valentinit, se tregon që të gjithë përbërësit e mendjes së tij krijuese, kujtesa, logjika, stili punonin në mënyrë të mrekullueshme edhe kur trupi i tij tanimë ishte copë nga sëmundjet e pleqëria, siç thotë edhe vetë. Teksti mund të quhet një monument i qëndresës intelektuale, se provon që At Valentini nuk donte që të dorëzohej deri në fund. Deri në ditët e fundit të jetës ai, ndonëse fuqitë fizike ishin duke i shteruar dhe kishte nevojë për prehje, vazhdoi t’u përgjigjej atyre që i shkruanin letra. Është rasti këtu të themi se epistolari i tij përbën pjesë të veçantë të veprës së tij monumentale që meriton disa vëllime më vete.
Ata që i qëndruan pranë në momentet e fundit të jetës, nuk e dinin gjuhën shqipe, kështu që nuk mund ta dimë me siguri nëse ai foli ose jo edhe në shqip në çastet e fundit. Miku, nxënësi dhe bashkëpunëtori i tij, Alesandro Skurani i kujton kështu çastet e fundit të jetës së tij:
Në natën midis 15 dhe 16 nëntorit (1979), shëndeti i tij u përkeqësua. Nuk arrinte më të shprehej, edhe pse kuptonte gjithçka. Me shenja kërkon faljen nga mëkatet dhe Vajin e Shenjtë. Kështu nisi të pëshpëriste disa fjalë, me aq sa mundej, por ne arritëm të kuptonim vetëm “Jezusi, Xhuzepe…”. E shpunë në shtëpi, kur vdekja qe e sigurt. U shua në orën 13-të të datës 16 nëntor. (Alesandro Scurani, në “Studi Albanologici, Balacanici, Bizantini e Orientali”, in onore di Giuseppe Valentini S. J., “Leo Olsici Editore”, Firenze, f. XIV)
Skurani pohon se disa nga fjalët që tha At Valentini ai nuk arriti t’i kuptonte. Me siguri që ato duhet të kenë qenë fjalë shqip. At Valentini jetoi si shenjt dhe si martir dhe vdiq si njeri i zakonshëm. Kur vdiq At Valentini, pjesa më e madhe e shqiptarëve as që e mësuan se kishte vdekur një nga mendjet më të mëdha shqiptare. Madje, për fat të keq, pjesa më e madhe e shqiptarëve nuk janë të vetëdijshëm edhe sot e kësaj dite për atë që ishte ai.
At Zef Valentini i ka mahnitur ata që e kanë njohur, jo vetëm me shëndetin e tij fizik, por edhe me trurin e tij gjenial, ku kujtesa fenomenale bashkëvepronte me një aparat logjik të pashoq. Dijetarë të shquar që e kanë njohur janë mahnitur me mendjen e tij, që funksiononte si një kompjuter i ndërlikuar dhe i saktë. Studenti dhe historiani Guido Somavila, është njëri ndër ata që e përshkruan kështu funksionimin e mendjes gjeniale të At Zef Valentinit:
Në fillim habitesha shumë nga fakti se, duke folur apo duke shkruar, qoftë në privatësi apo në publik, nuk kishte nevojë të mendohej për përgjigje, i kishte ato të gatshme. Me kohë, kuptova se ajo gatishmëri qe fryt i meditimeve të gjata. Në gjithë shtatëdhjetë vjetët e moshës së tij, ai ka imagjinuar dhe arkivuar në mendje ide, koncepte e argumente. Qindra konferenca e leksione, qindra artikuj e dhjetëra vepra i kanë dhënë mundësi të shumta të një përgjigjeje të gatshme. Me një ritëm të tillë pune kaq të ethshëm sot nuk habitem se si është e mundur përmbushja e asaj mase të stërmadhe veprash të këtij njeriu.
Këto fjalë janë udhëzues i mirë për të zbërthyer enigmën e veprës së At Valentinit, atë enigmë me të cilën përballet çdo njeri që gjendet para një tryeze ku është vendosur e gjithë vepra e këtij studiuesi të madh. Pyetja që të lind natyrshëm në këtë rast, është se si është e mundur që një njeri i vetëm ta ketë bërë të gjithë këtë punë. Përgjigjja mendoj se do të ishte kjo: puna, vepra që është përftim i saj, është fryt i një mendjeje gjeniale. Si te Nënë Tereza, ku veç shpirtit të frymëzuar nga Zoti ka edhe një gjen të veçantë, po ashtu këto shfaqen edhe tek At Valentini, dhe kjo frymë e ky gjen i veçantë i ka yshtur të dy, ndonëse në një drejtim të ndryshëm, por jo aq të kundërt, drejt veprave madhore në të mirë të njerëzimit. Se, në një pikëpamje universale, globale të rolit të tij, cilësimi më i saktë për At Valentinin do të ishte: Filantrop intelektual. Ndonëse nuk jam i sigurt nëse atij do t’i kishte pëlqyer ky emërtim, për arsye që kuptohen lehtë.
Dhe, pa shumë qejf, tamam në këtë pikë shquaj mbase të vetmin dallim në mes ngjashmërisë së Zef Valentinit me Nënë Terezën: Shqiptarët sot nderojnë në mënyrë të merituar Nënë Terezën, bamirësen e botës, por nuk i kanë dhënë ende nderimin që i takon bamirësit më të madh intelektual dhe kulturor që patën fatin të kenë në këta 30 vjet, At Zef Valentinit.
Çfarë u bë për 100-vjetorin e lindjes së tij, në vitin 2000? Po për 30-vjetorin e vdekjes, në 1999, për 40-vjetorin e vdekjes në 2009? Po sot, çfarë po mendohet të bëhet për të? Sot shqiptarët janë të vetëdijshëm për mrekullinë që përfaqëson jeta dhe vepra e Nënë Terezës, por ende nuk janë ende të vetëdijshëm për mrekullinë që përfaqëson jeta dhe vepra e At Zef Valentinit. Prandaj, kur nisa të shkruaja këtë libër, isha në dilemë nëse “Mrekullia Valentini” duhej të ishte titulli i një kapitulli, apo titulli i të gjithë librit. Të them të drejtën, edhe tani që e kam shkruar dhe botuar, ende nuk jam i sigurt nëse nuk kam gabuar për titullin.

 


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.