KULTURË

Gëzim Kame/ Një regjisor në dy kohë

11:28 - 15.01.21 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Josif Papagjoni: Një monografi për regjisorin e njohur




Është botuar së fundmi një monografi kushtuar Gëzim Kames. Kritiku Josif Papagjoni, e sheh si regjisorin më imponues që lidh natyrshëm mjedisin para dhe pas viteve 1990. Nën titullin “GËZIM KAME– TË VËRTETAT E ARTIT DHE JETËS SIME”, ai zbardh krijimtarinë e tij në dy kohë, çastet e vështira, dilemat, debatet dhe kujtimet që ndërtojnë një karrierë të suksesshme. Më poshtë, po botojmë një pjesë nga parathënia e librit të Josif Papagjonit.

FJALË NË MES

Ky libër nisi fare thjesht, gati si papritur. Një kafe mjaftoi mes të dyve, Gëzim Kames dhe meje. Pritej 70-vjetori i ditëlindjes së tij, më 7 nëntor 2017, dhe kur më mirë, më hijshëm e më fisnikërisht mund t’i dhurohet tjetrit diçka “ndryshe”. Jo një shishe verë, a një tortë me 70 qirinj, a një petk i shtrenjtë për kostum, a një aventurë turistike. Jo! Por një… një… libër. Ideja lindi aty, vetvetiu. Libri është kokëfortë, qëndrestar, shumëçka tjetër në këtë botë ikën e shkon, madje dhe harrohet, qoftë një verë e vjetër, një drekë e pasur, një performim kushtuar ditëlindjes si dhe mijëra e mijëra fjalë, urime, lëvdime, përgëzime nga njerëz që të duan dhe i do. I gëlltit të gjitha ajri i mbrëmjes, gollet e përditshmërisë. Harresa. Ndoshta, vetëm libri nuk plaket, as rituali i kohës s’e plak dot, sepse ai është bir i Hyjit të kujtesës, mbamendjes, Apolonit. Ja, këtu lëvizi mendimi ynë i përbashkët gjersa hurbim së toku kafe në barin “C’est la vie” në rrugën e Kavajës.

Dhe fleta e parë e librit ia behu që aty…

Teksa nis një libër, je dhe nuk je “vetëm”. Je i ndarë dysh, sepse libri është, si të thuash, dykrerësh. Je Ti dhe Ai tjetri, dy qenie në një, objekt dhe subjekt i bërë tok. Edhe përkatësia është dyfarëshe: I yti por për tjetrin, rrëfyes dhe i rrëfyer. Prandaj e quajta këtë hyrje “Fjalë në mes”. Fjalë të miat, por për një të dytë, ku e dyta doemos bëhet e PARA. Eh!… Një dikotomi disi sofiste në dukje, prej nga edhe mund të humbësh rrugën e ligjërimit gjatë të rrëfyerit, sa edhe ta gjesh bukur mirë atë, paçka se je si në një udhëkryq: Ti dhe Ai. Veç një udhëkryq i bukur, ama!…

Gëzim Kame është sa personazhi im, sa i “vetvetes”, aq dhe personazhi i të “tjerëve”. Jam unë që kam rrëfyer për të në hapësirën shkrimore të këtij libri, siç ai vetë ka rrëfyer me artin e tij për të tjerët, mijëra spektatorë nëpër vite, por dhe për mua në bisedat e bëra së toku. Si kritik e studiues i teatrit në këto fletë, dashur-padashur, kam dëshmuar vetveten, përjetimet, mbresat dhe vlerësimet e mia, gjurmë të lëna viteve në shpirt për regjisorin e mirënjohur Gëzim Kame, sikundër ai, nga ana tjetër, më ka ofruar po vetveten, veç disi ndryshe: le ta quajmë miellin për të gatuar në magjen e përbashkët një bukë mundësisht sa më të shijshme, sa më të ngrohtë. Si në një akt “ekuarestie” të dy kemi dhënë vetveten, copëza të “mendjes” sonë për të tjerët, në këtë rast për lexuesit dhe ata që e duan artin. Por në këtë rrjedhë dykahëshe, ka dhe një komponent të tretë: Të tjerët për Gëzimin. Dhe rrjedha bëhet deltë. Dhe delta krijon lidhjen e trefishte: lumin, tokën, detin. Thënë më ndryshe: Personazhin (G. Kame), mua dhe të tjerët (vlerësimin estetik), procesin artistik teatror (si pjesë e historisë së teatrit shqiptar). E gjitha ngjan si një akt ekzorcizmi, por jo nga shajnia, as dhuna, përkundrazi, nga përhirimi dhe dëshira e përbashkët për të shkruar një JETË, çka ka përfshirë të tri kahet a rrjedhat që e përbëjnë këtë libër.

Afërmendsh se nuk jam unë gustatori i fletëve të tij, si dikur i famshmi gustator i verës së Karlit të Madh prodhuar e zgjedhur nga vreshtat e Italisë, por tjetër kush, që ju e dini shumë mirë. Jeni ju, pra, lexuesit, miqtë e teatrit. Ju jeni gustatorët, shokë e dashamirës të tij, ndjekës e adhurues të teatrit. Dhe të tjerë e të tjerë, lexues kureshtarë që duan të mësojnë e ta njohin mes germave regjisorin Kame. Gjithsesi, ka një kut matës, një barometër, si ajo fenoftaleina që identifikon solucionet: puna, suksesi. Gëzim Kame është regjisori i shumë shfaqjeve në teatro të ndryshme profesioniste të vendit, shtetërore apo private, në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni etj. Është vlerësuar me çmimin “Regjisori më i mirë” dhe “Shfaqja më e mirë” në Festivalet Kombëtare të Teatrit me pjesët Shi në plazh (1982), Tokë e ndezur (1984), Magjia e madhe (1994), “Fernando Krafti më ka shkruar këtë letër” (1995).

… Fleta e parë nisi me shijen e një kafeje. Fleta e fundit u shkrua pas një pune hulumtuese jo të pakët, shfletimeve në arkiva teatri dhe shtypin e kohës, bashkëbisedave të shpeshta me Kamen dhe këmbime mendimesh në rrafshe të ndryshme, sa të jetës, përshtypjeve, dijenive, aq dhe të qasjeve profesionale, estetike, gjer tek artikulimet dhe sintezat sa më të sakta të konceptimeve regjisoriale në këtë apo atë shfaqje. Por më duhet ta them patjetër se përpos këtyre, një krah tjetër që e bëri relativisht të lehtë “fluturimin tim shkrimor” ishin gjithë ato imazhe mbetur në tru, gjithë ato ndjenja e përjetime të konvertuara në ngasje të ëmbla, që rrinin diku thellë meje, gati si statujat e mbuluara nga hiri i vullkaneve a rrënojat e luftërave, dhe teksa dilnin në dritë sikur m’i verbonin kujtesat me befasinë e tyre. Ashta historike dhe artistike kishte mbetur e pacenuar. Një mori shkrimesh e shënimesh, sakaq i nxora nga skedat e mia. Qenë shumë. Kështu mori frymë mbamendja ime: një rrëzëllim imazhesh që spërndritej në formë vegimesh, qitur prej depove vizuale të trurit dhe shënimeve. Por kur ato diku treteshin dhe zhdukeshin si fantazmat nëpër mugëtirë, asohere i drejtohesha filmotekës, videotekës dhe fototekës, si tri Moirave mitike të fatit për të thurur fijet e mbresave dhe mendimeve. Dhe kësaj udhe, mes burimesh të ndryshme, përplotësuese, munda të thur edhe unë “fijet” e krijimtarisë së Gëzim Kames, gjithsaherë të përthyera përmes vetëdijes sime kritike e analitike, duke thirrur në këtë “banket” edhe mendimin e miqve të tij, vlerësime e mbresa lidhur me bashkëpunimet nëpër projekte teatrore, abstragime a sinteza të tyre se ç’përfaqësonte regjisura e tij, si ishte ndërtuar koncepti, porosia, përse ky apo ai mesazh, theks, spikamë, këtu apo atje etj. E gjitha kjo i ngjante “zipimit” të një fotoje në ekranin e kompjuterit, ku ti e kundroje objektin sa në ind e brendësi, aq dhe në syprinë e përtej, duke qartësuar e saktësuar dilemat e tua: Cilat qenë plasimet kuptimore të regjisorit kundruall tekstit, ku dhe si ishte formësuar semantika e tij teatrore në raport me kohën e vënies në skenë të kësaj apo asaj vepre, klasike apo moderne, shqiptare apo e huaj, si vinin dhe si shpreheshin bashkëshoqërimet ideore, konotacionet, thënë ndryshe, cili qe Idiolekti i artistit (sipas semiologut të famshëm Umberto Eko).

Përpos asaj çka jep në faqet e këtij libri jeta artistike e Gëzim Kames si regjisor më së pari, por edhe si aktor, drejtor i Teatrit Kombëtar dhe drejtues i disa institucioneve shtetërore a private, aktor e pedagog, nismëtar dhe promovues i proceseve teatrore, nga ana tjetër, shpresoj se ai rrezaton edhe përtej vetes, në disa ngjarje teatrore me rëndësi në rrafsh kombëtar. Sepse kur një artist shkon përtej vetes, kur veten e bën pjesë integrale të procesit historik teatror dhe kur ky i fundit gjen spikamat më përfaqësuese aty , atëherë mund të flitet për ndërveprim e gërshetim kahesh, për një ngjizje të pllenshme, për domethënie të qarta, dyfarëshe: artisti si personalitet i teatrit dhe teatri si laboratori krijues i artistit. Bash këtu, them unë, lëviz bukur dhe simbioza e të veçantës me të përgjithshmen, një konfiguracion gjithëpërfshirës në atë çka ky libër rreket të thotë…

Nëse kjo është arritur, edhe qëllimi im është përmbushur… Do doja ta shpresoja për të dy: shkruesin dhe të përshkruarin. Sidomos për të dytin, regjisorin Gëzim Kame.

 

 

 


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.