KULTURË

Visar Zhiti: Poezitë që kam nxjerrë nga burgu pothuajse janë të shkrira në të gjithë librat

11:00 - 17.02.21 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit dhe Autoriteti i Dosjeve organizuan në ditën aktivitetin me temë “Libri i Burgut”, i cili pati si qëllim kryesor sjelljen në kujtesë të një letërsie, që është pjesë e letërsisë së madhe shqipe, atë të shkruar në burg prej intelektualëve të burgosur, apo të internuar përgjatë viteve të komunizmit. Fjalën hapëse në aktivitet e mbajti drejtoresha e QKLL-së, Alda Bardhyli, e cila, ndër të tjera, u shpreh: “Ashtu si në të gjitha vendet e tjera ish-komuniste, letërsia e burgut ishte një letërsi e pasur, që u shkrua në Shqipëri paralel me letërsinë e socrealizmit. Ajo solli një modernitet dhe bashkëkohësi në letrat shqipe. Por dhe sot, gati tri dekada pas rënies së komunizmit, te kjo letërsi ende ka rënë mjegulla. Duhet një projekt konkret për të evidentuar veprat dhe autorët e një letërsie, e cila vijon të jetojë në dorëshkrime, për ta çuar te lexuesi. QKLL-ja do të mbështesë studiuesit dhe botuesit që do të botojnë librin e burgut”.
Zoti Simon Mirakaj, nga Autoriteti i Dosjeve u shpreh: “Duke cituar një thënie nga Dostojevski, se ‘Lumturinë kërkoje edhe në dhimbje’, dua të them se të burgosurit nuk është se e gjetën lumturinë, por atij terri i dhanë pak dritë. Diktaturat nuk mund të qëndrojnë bashkë me inteligjencën, ndaj e para u godit inteligjenca. Nëpërmjet këtyre veprave të shkruara, ne dhe të tjerët njohim tragjedinë që ka ndodhur, padrejtësinë që ka ndodhur”.
Profesoresha Anila Mullahi solli në vëmendje veprën e Kasem Trebeshinës dhe citoi, ndër të tjera, një pohim të tijin kur u pyet për periudhën e burgut: “Në burg kam qenë fizikisht, shpirtërisht asnjëherë nuk kam qenë, as në burg, as i izoluar. Nuk kam qenë në burg. Në burg kanë qenë ata. Me mendjen e tyre, me mendimet e tyre. Jo unë, unë kam qenë i lirë”. Po këtë ide ka shprehur edhe profesori Leka Ndoja, i cili, ndër të tjera, tek rrëfeu mbi këtë lloj letërsie që u krijua në Shqipërinë e asaj kohe, tha se “Kujtesa është pjesë e së drejtës. Duke u marrë me kujtesën, ne merremi me një aspekt të së drejtës. Ne të gjithë kemi qenë në një burg, në një burg hermenautik, në një burg metafizik”.
Pjesë, gjithashtu, e aktivitetit me fjalën e tyre qenë edhe Kolec Çefa, i cili rrëfeu për kujtimet e tij me Padër Pal Dodajn, Padër Pashko Bardhin apo Padër Vinçens Prenushin dhe kontributin e tyre në letra, studime dhe përkthime. Të pranishëm me fjalën e tyre ishin edhe Marsel Hila dhe shkrimtarja Vera Bekteshi, ndërsa Kardinali Ernest Troshani dhe shkrimtari Visar Zhiti dërguan fjalën e tyre përshëndetëse nëpërmjet video-regjistrimit.




VISAR ZHITI
Përmes një video mesazhi i dha edhe fjala e Visar Zhitit për aktivitetin “Libri i Burgut”.
E vlerësoj shumë takimin e sotëm për të folur për letërsinë, konkretisht për letërsinë e burgut, siç e quani edhe ju në lajmërimin që keni bërë. Por, ajo që dua të them që në fillim, është se letërsia është një dhe e tërë dhe termi “letërsi e burgut” ka dalë për arsye studimore, me anën e së cilës duam të veçojmë atë letërsi që i erdhi letërsisë shqipe nga burgjet dhe internimet. Letërsia shqipe, ashtu si çdo letërsi, ka të veçantat e saj, ka traditën, ka modernitetin, ka aktualitetin, ka prurjet, ka risitë dhe mbas viteve ’90, kur ra perandoria komuniste, ra edhe diktatura në Shqipëri, ndërsa për letërsinë shqipe erdhi një fat i madh: u bë e lirë. U bë e lirë dhe e kam fjalën për atë liri të brendshme, të domosdoshme për shkrimtarin për të krijuar letërsi. Pikërisht mbas viteve ’90 ndodhi edhe ajo që unë do ta quaja “mrekulli”, erdhi dhe një letërsi e panjohur, një letërsi që dukej sikur s’ishte, letërsia e krijuar në burgje dhe internime nga autorë të burgosur, të internuar, por, në një farë mënyre, e prirë në një mënyrë tragjike do të thosha nga poetë, nga shkrimtarë të pushkatuar. Një popull i vogël, një letërsi europiane, por përsëri e një populli të vogël, ploja, katastrofa ishte ndoshta më e madhe se në çdo popull tjetër. U ndaluan libra, u dogjën vepra, u ndërpre tradita, u penguan risitë dhe të gjitha arritjet e letërsisë së shek. XX në Europë dhe në botë, dhe sundoi realizmi-socialist, pikërisht atje ku nuk pritej, nëpër burgje, sepse në burg nuk futet askush për të shkruar, nuk është leje krijuese: futen për të mos shkruar, për të mos qenë shkrimtarë. Atje je skllav, punon natë e ditë në minierat e errëta si në ferr dhe pikërisht aty u ndie kushtrimi i brendshëm, kushtrimi i thellë, si një zë hyjnor, për të dëshmuar, për të nxjerrë poezinë tënde. Kjo është vlerë, vlerë e njeriut, e pathyeshmërisë së tij dhe pikërisht nga këto burgje dolën poezi, dolën tregime, dolën romane dhe ia sollën letërsisë shqipe, por jo ashtu siç u dha alarmi, që po vjen një letërsi nga burgjet për të zëvendësuar letërsinë shqipe, por për të sjellë vetveten. Ajo erdhi dhe jo vetëm kaq, por ajo solli edhe moral, solli edhe të vërtetat e munguara. Një nga shkrimtarët më të mëdhenj të të gjitha kohërave, Franc Kafka, është marrë thellësisht me totalitarizmin, në mënyrë metaforike në parabolat e tij që, si të thuash, u mungon përditshmëria, e megjithatë, ai arrin e thotë: “Nuk ka letërsi të madhe pa moralin dhe pa të vërtetat”.
Ky është një shqetësim, do të thosha, jo vetëm i shkrimtarëve, i kritikëve dhe i lexuesit, por është një shqetësim kombëtar, sepse kombi ka nevojë për të vërtetat, ka nevojë për vizionin, ka nevojë për fjalën, ka nevojë të njohë vetveten dhe të shkëputet nga e keqja me gjakimin, me vizionin për një të ardhme të përbashkët. Siç e thashë, letërsia shqipe është një dhe e tërë. Kjo letërsi, për të cilën po flasim sot, sjell dëshminë e ferrit, është pjesë e letërsisë shqipe. Për shembull, në librat e mi, poezitë që kam nxjerrë nga burgu pothuajse janë të shkrira në të gjithë librat, siç është çdo poezi e shkruar në liri në Tiranë, ose në vendlindje, ose jashtë vendit, sepse liria i krijoi tani mundësinë shqiptarëve të dalin dhe të njihen me kulturën e botës, me letërsinë e botës, duke e prekur atë, por edhe – për fat të mirë – duke e përkthyer. Vazhdoj të them se letërsia ka vetëm një përmasë: vlerën e saj dhe guxoj të them se pikërisht letërsia që erdhi nga burgjet dhe internimet, ngjalli një kuriozitet të madh dhe pas viteve ’90 u bë edhe qenësore, duke tërhequr vëmendjen e lexuesit, por në një farë mënyre, edhe pse kritika dha fjalën e saj, do të thosha se zyrtarisht nuk iu dha ajo mbështetje e nuk u pranua dhe shpesh kemi qenë të detyruar ta tregojmë, ta rrëfejmë atë. Një nga pjesëtarët e kësaj letërsie jam edhe unë, por njëkohësisht unë u hodha edhe në fushën e mendimit, në fushën estetike, në kritikën e kësaj letërsie dhe herë pas here kam shkruar artikuj, ndërsa në 2006-n nxora librin “Në emër të Atit”, i cili u botua në Shkup, dhe që këtu filloj të veçoj artikuj për këtë letërsi. Pastaj ndjeva nevojën e përsëritjes së saj në një libër të veçantë, që e titullova “Panteoni i nëndheshëm ose Letërsia e dënuar”. Koha zbuloi vepra të tjera, emra të rinj dhe filloi të shtohej lista e atyre që qëndruan, që guxuan të shkruajnë, e martirëve të fjalës shqipe. Para pak javësh, në fund të vitit që shkoi, unë e zgjerova punën time, e thellova në ndihmë të njohjes, në ndihmë të nxitjes për të folur për këtë letërsi, e cila është dinjiteti i letrave shqipe dhe duhet njohur. Libri titullohet “Kartelat e realizmit të dënuar”, është i mbushur me kartela të kësaj letërsie, të këtyre shkrimtarëve, me lista të gjata; është e çuditshme të themi që jemi popull që kemi kaq shumë martirë të fjalës së lirë, të fjalës shqipe. Kemi poetë të pushkatuar, që unë do të thosha se janë të nivelit europian, si të gjithë ata autorë që janë pushkatuar në perandorinë komuniste. Kemi të varurin e fundit në të gjithë perandorinë euro-aziatike, kemi, do të thosha, qëndrestarë të klerit – më shumë atij katolik, por edhe ortodoksë, edhe myslimanë dhe bektashianë, poeti Baba Ali Tomori është i pushkatuar – pra, ata, me besimin në hyjnoren, në besimin në Zot, besonin edhe te poezia dhe te fjala e lirë. Ndërsa mua m’u desh që t’i rrëfej, krahas të tjerëve, edhe burgjet e mia, ku më hodhi fati. U dënova, ashtu si rrallë herë ndodh, për poezi. Poezitë e mia nuk u konsideruan si të realizmit socialist dhe kur isha i ri mora dënimin më të rëndë. Por pasi dola bëra hakmarrjen time. Hakmarrjen time estetike, hakmarrjen time me letërsi dhe botova dy librat: “Ferri i çarë” për Burgun e Qafë-Barit, ku tregohen jetët e të burgosurve, e autorëve, por edhe jeta e librit në burg (libri në burg ka një veçanti tjetër) dhe nëse ky ishte libër për Burgun e Qafë-Barit, “Rrugët e Ferrit” është libri për Burgun e Spaçit. Pra, plotësova bashkë me të tjerë atë tablo të zymtë që i duhet letërsisë shqipe. Shpeshherë këtë lloj letërsie e quajnë edhe “letërsi e kujtesës” dhe do të thosha se e gjithë letërsia është pjesë e kujtesës dhe nuk ka njerëzim pa kujtesë. Kujtesa është përvojë, kujtesa sintetizon gjurmët, ecjen, rrugët dhe kujtesa na ndihmon për të ardhmen. Ne sollëm një letërsi të tillë. Fati e deshi për t’iu bashkuar letërsisë shqipe, e cila, do të thosha, se sot është më e fuqishme se kurrë, sot është më e vërtetë se kurrë, më e arrirë se kurrë. Ajo, me autorët e saj më të mëdhenj, dha frymën e popullit, frymën e jetës shqiptare dhe është bërë tashmë, siç e dimë, e njohur edhe në Europë dhe më gjerë, dhe pikërisht kësaj letërsie iu bashkua edhe ajo që erdhi nga ferri. Pra u plotësua ajo tabloja danteske për një letërsi dinjitoze, të madhe dhe të vërtetë. Njohja e saj, pranimi i saj, është jo vetëm çlirim, por edhe pasuri kombëtare.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.