OPINION

Damari anti-korrupsion i Bajden

08:16 - 24.02.21 Fatos Çoçoli
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Një nga fjalimet e para në Senatin Amerikan të senatorit të gjashtë më të ri në historinë e SHBA-ve, Xho Bajden në mars të vitit 1973, bënte thirrje për një reagim dhe përgjegjshmëri më të madhe të qeverisë federale ndaj tentativave për abuzime me fondet shtetërore në administratën publike lokale. Që nga ajo kohë, në 36 vite karrierë si Senator i Kongresit Amerikan, Bajden u shndërrua në një kampion të luftës kundër korrupsionit jo vetëm në demokracinë më të madhe të botës, por në të gjithë rruzullin tokësor. Stili i tij i thjeshtë i jetës, duke marrë trenin çdo ditë për të shkuar në Kapitol nga shteti Delaware ku jetonte dhe për t’u kthyer po me tren, u shndërrua në një lajtmotiv të një personaliteti të jetës publike amerikane, të thjeshtë dhe të ndershëm. Sipas Bajden, “korrupsioni është sot një problem ndërkombëtar që kërkon një zgjidhje ndërkombëtare” (https://www.justsecurity.org/73882/how-biden-can-defeat-strategic-corruption/ ). Sipas një studimi të Kombeve të Bashkuara për vitin 2018, 1 trilion dollarë paguhen ryshfet çdo vit, ndërsa rreth 2.6 trilionë dollarë vidhen çdo vit përmes korrupsionit. Kjo është një shifër më shumë se pesë për qind e prodhimit të përgjithshëm të planetit. Në vendet në zhvillim, fondet e humbura nga korrupsioni vlerësohen 10 herë më shumë sesa ndihma zyrtare e agjencive të zhvillimit. Çmimi Vjetor Ndërkombëtar i Kampionëve të Anti-Korrupsionit është një nismë e re e administratës Bajden, për të dekurajuar ithtarët e korrupsionit kudo në botë. Pa dyshim që ky çmim i dhënë edhe për një gjyqtar kurajoz të Shqipërisë ka vlerën dhe fuqinë e tij tek ne. Ai është paralajmërim i fuqishëm që cilado forcë politike që do të marrë pushtetin pas 25 prillit, duhet t’i harrojë planet e kapjes së shtetit dhe të përdorimit të korrupsionit për t’u pasuruar dhe mbajtur pushtetin. Të gjitha partitë kryesore garuese në zgjedhjet e 25 prillit kanë prapavijë shqetësuese dhe një raport problematik me kapjen e shtetit dhe lejimin e të korruptuarve të mëdhenj në politikë dhe vendim-marrjen e lartë publike. Pavarësisht se si vijnë në këtë garë, produkti i fitores së zgjedhjeve, qeveria e re nuk do të mund kurrë të shndërrohet në një mekanizëm të përshtatshëm për të gjeneruar korrupsion. Ky është mesazhi i Çmimit Vjetor Ndërkombëtar të Kampionëve të Anti-Korrupsionit (https://www.state.gov/dipnote-u-s-department-of-state-official-blog/recognizing-anticorruption-champions-around-the-world/ ). Trysnia që SHBA-të duan t’i japin botës mbarë me luftën e tyre të gjerë dhe pa kompromis ndaj korrupsionit shtetëror dhe kryerësve të tij, është e paprecedentë. Tek ne nuk do të jetë mirë që të kundërshtohet ky damar i Presidentit amerikan dhe administratës së tij të porsaformuar. Ka një dëshirë të papërmbajtshme, mes shumë militantëve të të tria partive kryesore në garën tonë, që me të marrë frenat e pushtetit pas 25 prillit, “të bëjnë gjëmën” në pozicionet që do të akaparojnë në administratën publike. Me dixhitalizimin e mëtejshëm dhe gati të plotë të qeverisjes publike qendrore(ende jo asaj vendore), mundësitë për të zhvilluar korrupsion galopant janë tejet të vogla. Megjithatë, militantët ngjiten pas drejtuesve partiakë si bimë të devotshme kacavjerrëse, me shpresë se militantizmi do të shndërrohet shpejt në favore politike. Dhe prej tyre, në qasje në fitimet e tenderëve dhe zarfeve nën dorë për favorizimin e kompanive të caktuara në fitimin e kontratave për shërbimeve publike. Sa më e vështirë të bëhet kjo lojë abuzuese, aq më poshtë bie temperatura e militantizmit dhe perspektiva për poste që të pasurojnë sa hap e mbyll sytë. Edhe pse revanshi dhe shpresa për të bërë kërdinë janë ndjenja që shuhen me shumë vështirësi, përzgjedhja e gjyqtarit kurajoz shqiptar si kampion i anti-korrupsionit në betejën e drejtësisë së re me kapjen e shtetit dhe abuzimet me fondet, asetet dhe detyrat publike, është nxitja më e fuqishme për të luftuar për shtetin e së drejtës në Shqipëri, pavarësisht cila forcë politike fiton. Kjo luftë ka vlerë dhe perspektivë, pikërisht pse SHBA-të, aleati ynë kryesor strategjik, kanë administratën më kampione të anti-korrupsionit të 3 dekadave të fundit të historisë së tyre.




 

 

 


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.