Intervista

Intervista/ Prof. Dr. Kristaq Bërxholi: Gripi i shpendëve, veterinerët në mëshirë të fatit

18:16 - 18.06.21 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Voltiza Duro – Aktualisht në vendin tonë numërohen 7 vatra infektimi nga virusi H5N8, i njohur ndryshe si gripi i shpendëve. Në këto kushte, për të parandaluar përhapjen e mëtejshme të virusit, shërbimi veterinar i del si detyrë të mbrojë shpendarinë e vendit tonë, si dhe të mbrojë shëndetin e njeriut, pasi ky virus, mund të pësojë mutacione dhe të kthehet në një patogjen të fortë për njeriun. Por sa mundësi ka ky shërbim veterinar të plotësojë këto detyra? Në një intervistë për Gazeta Shqiptare, mjeku i njohur virolog-imunolog, prof. Dr. Kristaq Bërxholi thekson se shërbimi veterinar ka nevojë për mbështetje por shteti nuk po i plotëson as kushtet më minimale të punës. Ai e cilëson këtë indiferencë nga ana e shtetit si një diskriminim mbi bazën e profesionit.




Si paraqitet situata lidhur me infeksionet zoonotike aktualisht në raport me vitet e kaluara?

Sipas të dhënave të dhënave të OIE, këto 30 vitet e fundit; në çdo 5 infeksione në njerëz, 3 janë infeksione zoonotike, gjë e cila do të thotë se këto infeksione kanë një karakter rritjeje, në raport me vitet e kaluara. Gjatë shekullit të kaluar, ka pasur një rritje alarmante në numër, frekuencë dhe diversiteti të shpërthimeve të sëmundjeve zoonotike, të shkaktuara si pasojë e kalimit, apo më mirë të kapërcimit të barrierës së species nga bujtësit kafshë apo shpendë tek njerëzit. Këto raste janë trefishuar në dekadën e fundit, ndërsa për sa i përket numrit të sëmundjeve të reja zoonotike ato janë katërfishuar në të njëjtën periudhë të kaluar. Sot, 60% e sëmundjeve infektive emergjente(të shfaqura të reja ose që rishfaqen pasi ato kanë rënë më parë në nivel të parëndësishëm), janë zoonotike.

Cilat janë mënyrat e transmetimit të sëmundjeve nga kafshët tek njerëzit?

Patogjenët e kafshëve mund të infektojnë njerëzit ose direkt nëpërmjet kontaktit më kafshët e egra ose shtëpiake, ose në mënyrë indirekte nga transmetimi nëpërmjet një bujtësi ndërmjetës. Këta bujtës ndërmjetës, shërbejnë si “enë përzierëse“, ku patogjenët gjejnë kushte të përshtatshme për të ndryshuar gjenetikisht, shkaktarin e sëmundjes, duke e bërë atë të aftë që të infektojë njeriun. Dhe në kohët moderne, kontakti me kafshët është rritur dramatikisht duke përshpejtuar rrezikun e shpërthimeve të sëmundjeve zoonotike në njerëz. Megjithëse vetë sëmundjet zoonotike kanë një rrezik të madh vetë, me zhvillimin e botës si me udhëtimet e shpejta, etj faktorë, ato janë bërë edhe më të rrezikshme. Në fakt, rruga e jetës sonë është drejtuar drejt kontakteve tona më të shpeshta midis njeriut dhe patogjenëve të rrezikshëm tek kafshët, si dhe në kontakt me një numër speciesh që rezultojnë në shfaqjen e një numri formash të reja sëmundjesh tek njerëzit.

Si mund të ndodhë një kufizim i qarkullimit të këtyre viruseve?

Kur ekosistemi natyral, p.sh pyjet ngelen të paprekur, ndërveprimi midis njeriut (popullatës humane) dhe specieve të kafshëve të egra janë të kufizuara. Si rezultat, virusët qarkullojnë apo kalojnë me kufizime, apo raste të rralla tek njerëzit. Po kështu edhe speciet e egra, kanë ndërveprime mjaft të kufizuara me kafshët shtëpiake dhe ato të prodhimit, të cilat jetojnë mjaft afër me njeriun. Kështu ka më pak të ngjarë që kafshët shtëpiake dhe ato të fermave të bëhen bujtës ndërmjetës të këtyre sëmundjeve. Por sapo ky ekosistem dëmtohet, popullacionet që përmendëm vijnë në kontakt të ngushtë me njeri tjetrin dhe shpërthejnë sëmundjet. Kushti më optimal i kalimit të barrierës së species ndodh kur sapo 40% e këtij ekosistemi (pyjeve) është zhdukur. Kështu, sipas Profesor Thomas Gillespie, në shëndetin publik, “kjo dritare e hapur na ndihmon qe ne mund të shikojmë shumë patogjenë se si kalojnë barrierën e species”.

Çfarë mund të themi për virusin H5N8, (gripi i shpendëve) që po përhapet në Europë e më gjerë?

Shembulli më i mirë i kësaj që përmendëm më lartë, është pandemia aktuale e coronavirusëve, por edhe ky shpërthim i virusit të influencës, të cilët, në këto kushte të kontakteve të ngushta, të krijuara midis specieve të egra dhe atyre shtëpiake, viruset e mutuar, gjetën kushte të infektojnë speciet shtëpiake(rosat, pata, gjelat e detit si dhe pulat) dhe kështu, virusi aktual i rikrijuar H5N8, u përhap fillimisht në Europën veriore dhe mandej gradualisht, nëpërmjet shpendëve migratorë edhe në jugun e saj.

Sa vatra të infektimit me gripin e shpendëve ka aktualisht në Shqipëri?

Sot, vendi ynë është i prekur nga ky virus. Ne sot kemi 7 apo me tepër vatra të tilla infektive, si në Shqipërinë e mesme ashtu dhe atë veriore, duke rrezikuar seriozisht shpendarinë në zonat rurale, por edhe komplekset moderne, nëse rregullat e biosigurisë janë apo do të thyhen.

Si është gjendur shërbimi veterinar në vendin tonë përballë kësaj situate?

Në situatën e krijuar në vendin tonë, shërbimi veterinar, po ballafaqohet me virusin aktual të influencës dhe po përpiqet me të gjitha forcat dhe mundësitë e tij për ta kufizuar përhapjen e mëtejshme të këtij infeksioni si dhe për ta eliminuar atë. Në këtë situatë në vendin tonë, shërbimi veterinar ka dy detyra kryesore përpara: Të mbrojë shpendarinë e vendit tonë, si në zonat rurale, apo dhe në komplekset moderne, ku hyrja e këtij virusi, me patogjenitetin aktual 1.2, është në gjendje që të shkaktojë një vdekshmëri prej 75% të popullatës së shpendarisë aty ku bie; Të mbrojë shëndetin e njeriut, pasi ky virus, pavarësisht situatës aktuale ku paraqitet jo i rrezikshëm për popullatën humane, të dhënat shkencore flasin se duke qenë virus, ku mutacionet janë shumë të shpeshta, mbart rrezikun e ndryshimeve të tilla gjenetike, që mund ta kalojë shpejt dhe masivisht barrierën e species dhe tehet patogjen i fortë për njeriun.

Çfarë i nevojitet shërbimit veterinar shqiptar për të realizuar detyrat e sipërpërmendura?

Për të realizuar këto dy momente, shërbimit veterinar aktual i duhet që jo vetëm, të jetë në gatishmëri në çdo kohë, por dhe duhet që të jetë në lëvizje të vazhdueshme për të qenë prezent në vatrat e reja që mund të shfaqen, si dhe të luftojë eliminimin e vatrave të vjetra. Por që të realizohet kjo gjë, shërbimi veterinar duhet mbështetur. Duhet të kemi parasysh një gjë. Dy janë shërbimet në vendin tonë që ballafaqohen me këto sëmundje zoonotike, që mund të përfundojnë si coronavirus në pandemi globale. Është shërbimi veterinar dhe ai human. Në dallim nga vendet e tjera të botës, ku për luftimin e këtyre sëmundjeve, aktivizohen edhe struktura të tjera mbështetëse. Ndërsa, shërbimi veterinar, si e përmendëm duhet të jetë i vëmendshëm për të plotësuar këto dy kritere, të mbrojë shpendët dhe njerëzit, shërbimi human është i përqendruar vetëm në mbrojtjen e popullatës humane. Në këtë drejtim, për të pasur efektivitet kjo luftë, personalisht jam i bindur dhe e shof të domosdoshme, se shërbimi veterinar, duhet të mbështetet. Duhet të mbështetet për disa arsye si: territori shumë i hapur, specie të ndryshme shpendësh, kushte të punës jo të përshtatshme, mungesa të theksuara të mjeteve financiare, mungesë interesi nga shteti etj. etj.

A kanë gjetur veterinerët mbështetje nga ana e shtetit për plotësimin e kërkesave?

Parë në këtë prizëm, në situatën aktuale ku jemi, po vërej, por edhe në kontakte me specialistë të ndryshëm veterinerë, shoh se shteti është shumë, shumë larg këtij shërbimi. Shteti është komplet indiferent. Ai, shteti, përfshi dhe dikasterin e shohin këtë shërbim si fëmijën e njerkës. Pse e them këtë? E them se kur ra pandemia nga corona, kryeministri i vendit, puna e parë që bëri, menjëherë u rriti mbështetjen financiare mjekëve. Nuk jam i mendimit kundra, dhe pse u bë kjo mbështetje. Shumë mirë që u bë, por duke marrë parasysh situatën aktuale, as kryeministri dhe as ministri i Bujqësisë nuk ndihen në mbështetjen për shërbimin veterinar. Këta vetëm kërkojnë prej tij. Le t’i analizojmë pak më hollësisht duke i vënë përballë të dy shërbimet. Ndërsa për shërbimin human, mbështetja ishte mjaft e mirë, megjithëse ata kanë kushte shumë, shumë më të përshtatshme në raport me shërbimin veterinar, punojnë në spitale, udhëtojnë në distanca shumë të shkurtra nga shtëpia e tyre në mënyrë komode, nuk shpenzojnë shumë energji, mjete financiare etj. Gjithashtu, mjekut human, shteti i siguron mjetet e mbrojtjes kundrejt infeksioneve, falas, si bluza, përparëse, çizme, dezinfektantë për duart, maska një përdorimshme, kostume po njëpërdorimshme, kokore, syza etj. etj.

Cilat janë problematikat e shërbimit veterinar?

Shërbimi veterinar, me një organizim nga më të çuditshmit në botë, aktualisht gjendet përpara faktit që: I duhet të lëvizë, vazhdimisht, çdo ditë dhe çdo orë, distanca të tëra, pa makine apo edhe me makinë. Me një rrogë fikse, pa asnjë mbështetje nga shteti. Shteti nuk e di fare që, një përgjegjës veterinarie ne një rajon, apo drejtor apo një mjek veteriner i thjeshtë, i duhet që çdo muaj, të harxhojë nga paga e tij një përqindje të mirë për të blerë benzinë, për të shkuar çdo ditë të muajit në distanca me qindra kilometra vajtje e ardhje si dhe i duhen edhe mjete financiare për defekte të mundshme. Nëse, gjatë udhëtimit dëmtohet makina, udhëtim për këtë rast, se i duhet të shkojë edhe atje ku nuk i shkon mendja, kush do ta paguajë rregullimin e saj. Paga mund të thotë dikush. Po fëmijët, gruaja, prindërit me se do jetojnë? Gjithashtu, ndërsa për mjekët, shteti u interesua që nga kryeministri, këtë shërbim nuk e vlerëson njeri. Mjekut veteriner, shefit (apo kryeveterinerit) apo dhe drejtorit, shteti as nuk e ka vrarë mendjen që t’i garantojë mjetet mbrojtëse të shëndetit falas, ashtu si mjekut human. Bile edhe gjatë ditëve normale, jo të pandemisë, mjetet e mbrojtjes në spitale, kush ja siguron mjekut human? Shteti. Po mjeku veterinar pse? Mjekut veteriner dhe gjithë këtyre që unë përmenda, i duhet që krahas karburantit, që do ta blejë me lekët e veta, ai duhet të blejë edhe mjetet për të mbrojtur shëndetin e tij si dhe të mos bëhet bartës i infeksionit për fëmijët dhe pjesëtarët e tjerë të shtëpisë apo dhe për shoqërinë.

A ndihen të diskriminuar veterinerët?

Bazuar në këto që thashë, unë nuk mund ta shpjegoj ndryshe këtë indiferentizëm, veçse si një diskriminim mbi bazën e profesionit. Si është e mundur, ka gati 3 javë që është shfaqur infeksioni në vend dhe asnjëherë kryeministri, nuk është kujtuar për këtë shërbim, kur ndërkohë kur ishte fjala për pandeminë e coronës, nga i cili mund të rrezikohej dhe shërbimi veterinar, për këtë shërbim nuk u kujtua fare, ndërsa nuk harronte të përshëndeste e falënderonte shërbimin human. Të kuptojmë një gjë. E theksoj për të dhjetën herë: nuk jam kundër pse kryeministri e ka bërë këtë, bile ka bërë shumë pak, por këtu unë bëj një krahasim ku diferenca e interesit është me kilometra larg. Askush, që nga ministrja aktuale, nuk do t’ia dije për kushtet e punës së mjekut veteriner. Mjeku veteriner, del në orën 7 nga shtëpia dhe vjen në shtëpi, krahas shpenzimeve kolosale edhe i dërmuar fizikisht e shpirtërisht ne shumë raste në orën 10 të natës. Pse këta drejtues shtetarë, ky kryeministër, nuk nxori një VKM, ku të kishte parashikuar këto gjëra që unë përmenda këtu? Natyrisht këtu duhet të ishin interesuar edhe drejtuesit e Ministrisë së Bujqësisë, e cila ka një ministër, 5 zv. ministra dhe një sekretar të përgjithshëm e dhjetëra drejtorë. Të gjithë, çdo ditë rrinë në zyra dhe asnjëherë nuk flasin se sa punë bën ky shërbim i pa mbështetur, por i diskredituar profesionalisht. Ka një dallim mjaft esencial nga perëndimi, lidhur me vlerësimin e këtij shërbimi. Po kjo është e lidhur me mentalitetin mesjetar të drejtueseve të dikasterit dhe të vetë kryeministrit. A e dinë këta drejtues, se këta specialistë, atë rrogë që marrin e duan për shëndetin e tyre dhe të familjes së tyre e jo për të shkuar në të katër anët e vendit. Ashtu si dhe mjeku human që e ka rrogën për këtë qëllim. Mjekët veterinerë nuk e kanë, rrogën  për të blerë karburant, mjete financiare për riparimin e makinave, për blerjen e mjeteve mbrojtëse etj. etj. A i kanë thirrur ndonjë herë mendjes këta drejtues të vendit? Unë them jo, pasi ky nuk është rasti i parë.

A keni bërë kërkesa drejtuar instancave përkatëse për zgjidhjen e problematikave tuaja?

Unë personalisht shumë herë i kam shkruar direkt kryeministrit, i cili gjithnjë nuk e ka vrarë mendjen për këtë shërbim. Kjo është një mangësi totale e një drejtuesi shteti. E di kryeministri dhe ministrja e bujqësisë se ky lloj organizimi shtetëror i detyron ata ligjërisht t´ju sigurojnë këto mjete mbështetëse për të kryer punën. Kur ti ia siguron një mjeku me kushte krejt të pakrahasueshme me mjekun veteriner, dhe këtij të fundit apo këtë të fundit nuk e vlerëson fare, si duhet shpjeguar kjo? Natyrisht është fatkeqësi dhe mjerim. Pa mendo pak z. Kryeministër, sikur nesër ky shërbim të bëjë një protestë dhe të ndërpresë punën pikërisht për këto gjëra, juve si do e vlerësoni këtë? Natyrisht nuk do mendoni se çfarë nuk keni bërë dhe ku është faji juaj, por jam i sigurt se do fajësoni këtë shërbim. Kjo që unë ngre këtu, nuk është dëshirë, është detyrim ligjor i drejtuesve të shtetit. Në pagën e një mjeku veteriner, të një kryeveterineri apo drejtori të veterinarisë rajonale, nuk janë parashikuar këto shpenzime. Për shpenzimet për pandeminë, kryeministri e nxori vendimin, po për këtë rast, pse nuk del një VKM, për të përballuar këto shpenzime që nga dezinfektantë, njerëzit që duhen për të varrosur shpendët e vdekur. Kjo nuk është detyrë e mjekut veteriner. Z. Kryeministër, nuk është detyrë e mjekut veteriner, të rrijë deri natën vonë se duhet të groposen shpendët e vdekura. Jo zotëri. Ju duhet të caktoni njerëz të tjerë. Mjeku veteriner është kontrollor. Nxirr një VKM z. Kryeministër ku t’i parashikosh këto gjëra. Mos vallë, në këtë rast do të përfitosh nga sinqeriteti i këtij shërbimi? Nëse ju keni nxjerrë një VKM(nuk e besoj po e quaj po) pse nuk i keni parashikuar këto gjëra? Mjekët veterinerë nuk kanë vjedhur shtetin. Atë e kanë bërë politikanët e për ata bëni dhjetëra vendime gjithsesi. Kurse për këtë rast ju, heshtni, heshtni, heshtni. Vetëm për të parë një laborator shkon dhjetë herë. Unë do të isha shumë i lumtur, që kryeministrit t’i ketë renë ndër mënd kjo gjë dhe ta ketë bërë, apo dhe ministres. Dhe po qe se e kanë bërë dhe mjekët marrin mjete financiare plus, rrogës, do bëj autokritikë botërisht, por nuk mendoj se do jetë kështu. Janë këta faktorë, të cilat bëjnë që njerëzit të jenë edhe indiferentë me punën dhe askush nuk ka të drejtë tu thotë gjë. Në perëndim, pronari, drejtuesi i firmës, interesohet edhe për karrigen që të jetë komode në punë për nëpunësin, pasi ul rendimentin, kurse këtu shikoni se çfarë ndodh miq të mi. Mizerabilitet pushtetarësh. E përsëris përsëri e përsëri që ky është: diskriminim për profesionin nga shteti.

 

 

 

 

 


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.