Kryesore

Qeveria e re/ Kryeministri Rama dhe ministrat do betohen sot në Presidencë

09:00 - 18.09.21 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

 Valentina Madani – Qeveria “Rama 3” do të betohet sot paradite në Presidencë. Pasi mori votëbesimin e Kuvendit mëngjesin e djeshëm me 77 vota pro, Kryeministri Edi Rama dhe ministrat e tij do të kryejnë edhe aktin e fundit para kreut të shtetit përpara se të nisin punën zyrtarisht. Këshilli i Ministrave do të betohet para Presidentit Meta në ora 10:00.




Presidenti Ilir Meta pret sot për betim në Presidencë qeverinë e re të kryeministrit Edi Rama.

Sipas tij, vendi më në fund është në një situatë normale krahasuar me periudhën para zgjedhjeve të 25 prillit, ndërsa vlerësoi kthimin në parlament të opozitës. “Unë jam i detyruar të respektoj Kushtetutën. Shpresojmë që opozita të përmbushë përgjegjësitë e saj në parlament, që parlamenti të jetë më funksional, që sistemi i llogaridhënies të nisë të funksionojë në mbrojtje të interesit publik dhe po kështu, edhe të gjitha institucionet e tjera të rimarrin veten, të fitojnë integritetin e tyre dhe të respektojnë gjithmonë Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë!”, – deklaroi z.Meta. Ruajtja e sovranitetit dhe respektimi i Kushtetutës, për kreun e shtetit vazhdojnë të mbeten prioritet. “I gjithë protagonizmi im jo i zakonshëm në dy vitet e fundit nuk ka qenë i kërkuar nga Ilir Meta, por ka qenë i imponuar në mbrojtje të demokracisë, në mbrojtje të Kushtetutës në kushtet e braktisjes nga opozita të të gjitha institucioneve, që nga parlamenti, pushteti vendor e çdo gjë tjetër, por edhe në kushtet e përpjekjeve të pandalshme të mazhorancës për të kapur çdo institucion. Ndaj sa i takon sovranitetit, pa asnjë diskutim që fjala kyç për dekadat që vijnë për Shqipërinë, është sovranitet.

Që nuk do të thotë mospërmbushje e detyrimeve për Shqipërinë ndaj NATO-s ku jemi anëtarë prej kohësh apo ndaj BE, ku dëshirojmë të anëtarësohemi, por një proces tepër i ngadalësuar për fat të keq. Pasi të gjitha detyrimet tona në raport me këto institucione dhe organizata ne i kemi të fiksuara qartë në Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë. Kështu që unë besoj se në radhë të parë është e rëndësishme që

t’u kthejmë sovranitetin qytetarëve. Ata të mos injorohen më! Ata të mos përjashtohen më! Ata të mos vendosen përpara faktit të kryer! Ata të mos jenë më viktimë e arbitraritetit dhe e kulisave të elitave, të cilat kanë kërkuar dhe kërkojnë ta nxjerrin këtë sistem jashtë kontrollit të qytetarëve! Është bërë një hap me 25 prillin, por hapa më të mëdhenj e më të shpejtë priten dhe pa asnjë diskutim që do të ndodhin në të ardhmen”, – deklaroi Ilir Meta. Presidenti u pyet dje për deklaratat e tij para zgjedhjeve të 25 prillit se do të jepte dorëheqjen nëse kryeministri Edi Rama do të merrte 71 mandate. Ai theksoi se është i detyruar të respektojë kushtetutën duke iu referuar këtu edhe dekretimit të qeverisë. “Nuk jemi këtu për të interpretuar dhe për të nxjerrë jashtë konteksti se çfarë kam thënë unë. Unë jam këtu për të respektuar Kushtetutën e Re publikës së Shqipërisë dhe këtë gjë e kam bërë edhe përpara 25 prillit. Shpesh kam shumë kërkesa nga gazetarët për të dalë nëpër studio apo për të dhënë intervista, por e kam gjykuar të panevojshme një gjë të tillë pas 25 prillit për arsye se unë besoj se i gjithë protagonizmi im jo i zakonshëm në dy vitet e fundit nuk ka qenë i kërkuar nga Ilir Meta, por ka qenë i imponuar në mbrojtje të demokracisë, në mbrojtje të Kushtetutës në kushtet e braktisjes nga opozita të të gjitha institucioneve, që nga parlamenti, pushteti vendor e çdo gjë tjetër, por edhe në kushtet e përpjekjeve të pandalshme të mazhorancës për të kapur çdo institucion, në mënyrë të veçantë Gjykatën Kushtetuese në mënyrën më antikushtetuese të denoncuar qartë edhe nga Komisioni i Venecias, për të kapur edhe Institucionin e Presidentit që përpara zgjedhjeve, dhe për të krijuar një situatë të pashpresë për demokracinë, për ndryshimin dhe për qytetarët. Kështu që unë jam i detyruar të respektoj Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë”, – deklaroi Meta. Sipas tij askush nuk duhet të presë që Presidenti të marrë përsipër detyra që u takojnë aktorëve të tjerë politikë.

 

 

 

 

 


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.