Kryesore

Kush është Emiriana Sako, ‘e besuara’ e Vangjush Dakos që u zgjodh sot Kryetarja e re e Bashkisë së Durrësit

13:50 - 07.03.22 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Asnjë surprizë në Durrës. Qyteti bregdetar ka konfirmuar sot Emiriana Sakon, si kryetaren e Bashkisë, e cila vijon kështu mandatin e saj parë zyrtar në krye të këtij institucioni.




Në fund të muajit shkurt të vitit 2020, drejtoresha e Përgjithshme e Shërbimeve dhe Punëve Publike në Bashkinë e Durrësit, Emiriana Sako u zgjodh nënkryetare.

Që pas tërmetit të 26 nëntorit dhe dorëheqjes së ish-kryebashkiakes Valbona Sako dhe ish-nënkryetares Etleva Kondi, bashkia e qytetit bregdetar mbeti vetëm me dy nënkryetarë (Florian Tahiri dhe Arbër Braho), ndërsa Zhuljen Varfaj u votua në Këshillin Bashkiak kryetar në detyrë, deri në mbajtjen e zgjedhjeve lokale të parakohshme në Durrës.

Në të gjitha vizitat që Kryeministri Edi Rama ka bërë në Durrës, dy muajt e fundit, për të inspektuar punimet që po realizohen në objektet që i janë nënshtruar riparimit të dëmeve që la pas tërmeti shkatërrimtar, Emiriana Sako është shfaqur gjithnjë në krah të kryetarit në detyrë Zhuljen Varfaj.

Që prej asaj kohe, në media u aludua se, përveçse është zgjedhur nënkryetare bashkie, Sako është duke u projektuar si kryetarja e ardhshme në detyrë, gjë e cila u konkretizua vetëm pak muaj më vonë, më saktë në muajin mars, kur ajo u emërua si kryetare e komanduar e Bashkisë së Durrësit.

Që në fillimet e saj në këtë detyrë, ajo është kontestuar vazhdimisht, pasi është konsideruar nga kundërshtarët e saj politikë si një “marionetë” e dirigjuar pikërisht nga një nga kryebashkiakët më afatgjatë në historinë politike të vendit, Vangjush Dako.

Pas konfirmimit zyrtar si kandidatura e Partisë Socialiste për Bashkinë e Durrësit, Sako u përball me një sërë faktesh, të publikuara nga kundërshtarët e saj politikë, të cilët e lidhnin prezencën e saj pikërisht me Vangjush Dakon, ky i fundit i shkarkuar pas nisjes së hetimeve ndaj tij nga ana e SPAK për dosjen e famshme 339, por edhe si një njeri i shpallur non – grata nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Por, fushata e Emiriana Sakos nuk do të kalonte pa denoncime apo skandale para dhe gjatë procesit të votimit.

Pak kohë më parë, vetëm dy javë para zgjedhjeve, në media u publikua një foto e shkëputur nga një takim elektoral me socialistët e Durrësit, tregon Dakon të ulur në krye të tryezës, duke menaxhuar fushatën për kandidaten e PS.

Në media qarkulloi ditën e djeshme edhe një foto që tregonte komisioneren e Partisë Socialiste të Spitallës në Durrës në brendësi të Qendrës së Votimit. Ndërsa ajo ka qenë e përqendruar në celularin e saj, një prej votuesve i ka bërë një foto që tregon një fletë votimi të plotësuar në tavolinën e komisioneres.

Vota ishte bërë gati dhe është plotësuar për Emirjana Sakon, siç duket nga foto. Një shkelje flagrante e procesit, pasi fleta e votimit është jashtë kutisë dhe duket se është bërë gati për qytetarët që do pritet të vijnë.

Figura e Sakos lidhet ngushtë edhe me të ashtuquajturën ‘afera e inceneratorëve’, ndërsa kujtojmë se vetëm pak ditë më parë Partia Demokratike njoftonte se ka kallëzuar në SPAK kryebashkiaken e Durrësit, pasi dyshohej se ka fryrë kostot e depozitimit të mbetjeve në landfillin e Sharrës.

Në lidhje me këtë çështje, Sako u thirr për të dëshmuar gjithashtu edhe në Komisionin Hetimor të ngritur për Inceneratorët, mbledhje të cilën e braktisi pa hyrë mirë brenda, pasi ka akuzuar deputetët e PD-së si injorantë dhe arrogantë.

Sako braktisi komisionin pasi deputetët po e pyesnin për procedurat e ndjekura për kalimin e plehrave të Durrësit në inceneratorin e Sharrës.

Kush është Emiriana Sako, karriera, shkollimi dhe aftësitë personale e profesionale:

Emiriana Sako është me profesion arkitekte dhe prej rreth 13 vitesh është pjesë e stafit të bashkisë.

Në periudhën 2009-2015, ajo ka punuar si specialiste në Drejtorinë e Planifikimit dhe Zhvillimit të Territorit.

Nga viti 2015-2018 ka mbajtur postin e Drejtorit të Shërbimeve Publike, ndërsa nga 2018 e deri në shkurt 2020 ka qenë Drejtoreshë e Përgjithshme e Shërbimeve dhe Punëve Publike në bashki.

Nga 2020 deri në mars 2022 ajo ka qenë kryetare e komanduar e Bashkisë së Durrësit, ndërsa nga sot ajo është kryetarja e re e kësaj bashkie, detyrë të cilën do ta ushtrojë për rreth 10 muaj, deri në zgjedhjet e reja lokale.

Sako është diplomuar për arkitekturë në Fakultetin e Inxhinierisë Civile në Tiranë ku ka ndjekur edhe masterin shkencor, ndërkohë që ka ndjekur një master profesional në një universitet në Romë, Itali.

Ajo gjithashtu ka dhënë kontribut në ndërtimin e projekteve të rëndësishme në qytet si Sheshi “Liria”, Sfinksi, Veliera etj, disa prej të cilave të kundërshtuara nga opozita apo opinioni publik.

Përsa i përket gjuhëve të huaja, Sako shkruan në CV-në e saj “Aftesi komunikuese dhe marrëdhënie ndërpersonale shumë të mira, specifikisht në ambiente të shkëmbimit kulturor, aftësi për të folur gjuhë të huaja anglisht, italisht, frëngjisht.”

 


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.