Speciale

Rinia dhe polifonia

11:55 - 11.04.22 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Sejmen GJOKOLI – “Mjeshtër i Madh” – Jo rrallë në mjedise të ndryshme shoqërore,
sidomos mes bartësve e interpretëve të kësaj dukurie, kur bie fjala për të ardhmen e trashëgimisë shpirtërore dëgjon të flitet e të shprehet dukshëm meraku rreth vazhdimësisë së kësaj pasurie.
Kjo edhe për faktin se, thuajse në të gjitha veprimtaritë kryesore me bazë folklorin, në të gjitha zhanret ku ay shfaqet në mënyrë tradicionale, shikon gjithëmonë e më pak të rinj në moshë, madje kjo edhe më e theksuar në zona rurale e tradicionale të shquara për dekada të tëra.
Koha, lëvizjet demografike, migrimi e emigrimi, duket se janë disa prej faktorëve që kanë ndikuar e po ndikojnë fort në prishjen e këtyre ekuilibrave etnokulturorë, vendosur më parë përmes një pune të madhe institucionale e politikave të drejtpërdrejta kulturore të shtetit.
Ndërsa kanë rrejdhur shumë ujra prej asaj kohe, tani duket fare qartë se kanë ndryshuar edhe mjaft prej politikave në rrafshin e kulturës në përgjithësi e të asaj me bazë trashëgiminë shpirtërore në veçanti.
Të mësuar me një përkujdesje tejet të posaçme e në thelb aspak të ndryshuar pavarësisht vështirësive e përkeqësimeve në fushën ekonomike, me ndryshimin e sistemit shoqëria shqiptare përjetoi një ngërç jo të vogël në menaxhimin e këtyre vlerave e aseteve kulturore.
Modele të tëra me grupe të njohura në gjithë Labërinë, (zhvillimeve në këtë trevë etnokulturore dëshiroj ti referohem në këtë shkrim) e që kanë qenë thuajse fshat e grup, po edhe të tjerë disi më të kultivuar në qytete për fat të keq mbas viteve nëntëdhjetë nisën të shpërbëhen.
Historikisht Gjirokastra me grupin e famshëm të qytetit, me të mirënjohurit Xhevat Avdalli, Lavo Erindi, Skender Tushe, Demo Çenko, Nustret e Veip Çarçani, Jonuz Shehu etj po edhe me disa këngëtarë të tjerë përpara tyre ndoshta mbetet unike në hapësirat ku lëvrohet së kënduari polifonia. Ata u bënë pjesë e pa ndarë, madje e ngjizuar fort, me pasurinë trashëgimore të qytetit.




Po kur flasim për këngën polifonike në qytetin e Gjirokastrës duhet të themi se po këtu, madje për të parën herë e të përvijuar qartë, ka vendin edhe të trashëguarit apo kalimi i drejtpërdrejtë i të kënduarit të kësaj lloj kënge nga grupi i vjetër, i pleqve siç përdorej shpesh, tek një grup krejtësisht i ri, në formë, në moshë më saktë, por në një farë mënyre edhe në përmbajtje, sidomos në mjaft nuanca që këta djem i dhanë stilit dhe vijës melodike të këngës tradicionale.
Arjan Shehu, Mehmet Vishe, Roland e Kastriot Çenko etj janë disa prej atyre djemve që fare të rinj nisën udhën e të kënduarit polifonik gati gjysëm shekulli më parë e që për shumë vite u pagëzuan me emrin “Grupi i të rinjve” të Gjirokastrës, emërtim që i shoqëron edhe sot që nuk janë më dhe aq të rinj e që kanë nisur të ripërtërijnë vehten në grupet që zhvillojnë aktivitetin e tyre në forma të reja organizimi.

Askush tjetër në trevat ku frymon të kënduarit Iso-polifonik nuk ka bërë histori kënge duke patur në okeljo një emër të tillë, “Grupi i të rinjve”.
Po kur flasim për trashëgiminë e kësaj pasurie shpirtërore te të rinjtë mendoj se të rinjtë e dikurshëm gjirokastrit që trajtova më lart, mbeten edhe një model i kësaj metodike, ndonëse të pa shkruar në libra apo manual të folkloristikës.
Ca më tepër ky model bëhet edhe më i domosdoshëm për t’ju referuar sot, në kushtet e reja social-ekonomike të shoqërisë tone, kur kanë ndodhur transformime rrënjësore të mënyrës së jetës e të organizimit social e shoqëror e për rrjedhojë edhe kulturor të saj.
Lëvizjet gati marramendëse demografike të shoqërisë të ndodhura brënda një harku të vogël kohor, emigracioni sidomos por jo më pak edhe migracioni, kanë shpërbërë në mënyrë të pa kthyeshme struktura të tëra të organizimit shoqëror, në radhë të parë aty ku kënga e vëndit, kënga vënçe, polifonike apo iso-polifonike siç çdo kush e ka më për zemër ta quaj, ka shtratin e vet.

Dhe nuk them diçka të re kur të gjithë e dimë se ky shtrat ka vetëm një lokacion, një vend burim, zonat rurale, vendbanimet ku kjo lloj pasurie kulturore shpirtërore ka djepin e lindjes por edhe të zhvillimit e kultivimit të saj. Siç deri sot ka edhe arshivën apo “sepetet” që mbartin vlera të rralla e që na vijnë nga brezat si amanete të pa shkruara prej gjyshërve e stërgjyshërve tanë.

Për fat të keq sot kanë mbetur pak burime autoktone ku kënga polifonike nuk mund të quhet histori e shkuar, janë pak grupe që gjallojnë ende si dikur me të njëjtin emër, me të njëjtin përkushtim e përgjegjësi përfaqësimi, me të njëjtat avaze e autenticiet të kënduari, madje edhe të shoqëruara me të njëjtën stil e kolor të veshjeve tradicionale popullore.

Grupe aktuale polifonike si i Dukatit apo Vranishtit të Vlorës, Pilurit e Himarës, Bënçës në Tepelenë, Delvinës po edhe të Gjirokastrës qytet me disa fshatra përrreth si Lunxhëria, Picari, Zhulati etj mbeten ende modele që mund tu referohesh për ti dëgjuar si dikur në shkëlqimin e tyre.
Por është me interes të dimë se si të rinjtë i qasen sot kësaj vlere shpirërore që siç thamë janë në kushte krejt të reja e në tërësi të pa krahasuara me realitetin përpara gati tri dekadave.

foto 1 rinia (1) foto 3 SEJMEN GJOKOLI (1) foto 4 foto 5
<
>

E vërteta është se ndonëse për vite të tëra pas ndryshimit të sistemit ekonomik e shoqëror të flisje për këtë target grup dukej herezi, aktualisht ja vlen të diskutohet madje të sillen edhe shembuj të një rizgjimi shpresë dhënës,ndonëse spontan e të fragmentarizuar.
Personalisht kam krijuar bindjen se e vetmja zonë që prej disa vitesh i ka paraprirë trashëgimisë së këngës polifonike mbetet Gjirokastra, më saktë qyteti brënda, ku falë jetësimit të disa projekteve me financim nga Ministria e Kulturës si dhe përkushtimit të këngëtarit të mirënjohur dhe njohësit të këngës polifonike , Roland Çenko, ka disa vite që punohet konkretisht me fëmijë të shkollave nga ku disa prej tyre tani i gjejmë edhe në përbërje të grupeve të të rriturve.
Është vendi këtu të përmendim edhe punën e pa lodhur të Kristo Çipës, drejtuesit të grupit “Bejkë e bardhë”, të Pilurit, i cili me mbështetje të Bashkisë së Himarës ka realizuar disa aktivitete konkuruese vetëm me këngë e valle polifonike pikërisht me nxënësit e shkollave në juridiksion të kësaj njësie administrative me shtrirje nga Bregu i detit në Lumin e Vlorës.

Më duhet gjithashtu të përmend si një histori suksesi në punën me nxënës shkollash pikërisht në ushtrim të këngëve me iso edhe Ajet Dukën e Sinan Ahmetin me nxënës të shkollave e të rinj në Delvinë e Sarandë.
Nga pozicioni i specialistit të trashëgimisë kulturore por nisur edhe nga një përvojë jot ë paktë në menaxhimin e drejtperdrejtë të këngës polifonike do ta quaja inisiativë të mirëmenduar por edhe të domosdoshme faktin që, pavarësisht nga koha e problematikat në edukimin e të rinjve apo trendit të tyre, në korikulat shkollore ka disa vite që zë vend edhe edukimi përmes lëndës së folklorit. E vërtetë që në shumë prej tyre kjo kërkesë shikohet si angari e pa ndonjë impakt të dallueshëm pozitiv por me interes mbetet ekzistenca e bazës kryesore nga ku mund të nis një punë e mirëfilltë në shërbim të njohjes dhe lëvrimit të vlerave të folklorit tonë, ndonse ka ardhur koha që ky program mësimor të specifikohet e të përqëndrohet në njohjen dhe bartjen e atyre vlerave që konsiderohen si pasuri shpirtërore për zonën apo krahinën.
Puna gjithashtu për disa vite si specialist i trashëgimisë kulturore jo materiale pranë drejtorisë rajonale të trashëgimisë kulturore, Vlorë, më ka dhënë mundësinë të njihem nga afër me zhvillimet kulturore shpirtërore thuajse në të gjitha shkollat nëntë vjeçare e të mesme në territorin e Bashkisë Vlorë po edhe më gjerë si në Delvinë, Sarandë, Konispol e deri në Livadhja.

Më duhet të them se në jo pak prej tyre kam parë jo vetëm interesim të drejtuesve e stafeve por edhe punë konkrete përmes grupeve të krijuara me impakt të drejtpërdrejtë në fushën e folkut në përgjithësi po edhe dukurisë polifonike në veçanti.
Kështu për disa vite me radhë nxënës nga shkollat e mesme të këtyre njësive administrative janë bërë pjesë tradicionale e aktivitetit organizuar në nderim të 25 Nëntorit, ditës kur Iso-Polifonia shqiptare është shpallur nga UNESCO si “ Kryevepër e trashëgimisë shpirtërore të njerëzimit”.
Të konceptuar si takime midis grupeve të këngës dhe valles polifonike të shkollave, këto aktivitete kanë shënuar risi jo vetëm në pjesëmarrje por edhe në vlerësimin përmbajtësor të aktivitetit ku të rinjtë u ngjitën në skenë duke interpretuar këngë e valle autentike polifonike, këngë e valle me avaze labërie, bregase e çamërie.
Më duhet të them gjithashtu se okeljua e këtij aktiviteti emërtuar “Rini dhe Polifoni”, realisht jo pak e guximshme madje gati sfiduese, u mirëprit nga të gjithë të rinjtë që u bënë pjesë, madje edhe nga një opinion i gjerë polifonidashës.
Të ngjan vërtet me një ndërmarrje apo inisiative të fortë fakti që, krahas mësimit e edukimit apo zhanreve muzikore të kohës, nxënës të shkollave të ndryshme, vajza dhe djem fare të rinj, përfshihen në aktivitete mirëfilli folklorik e me rrënjë trashëgiminë shpirtërore duke treguar, veç të tjerash se, vlerat e kësaj trashëgimie janë e mbeten të pa tjetërsueshme në breza.
Përbën vërtet një ngjarje apo lajm të madh fakti kur të rinj shkollarë apo edhe të tjerë jashtë auditorëve të shkollës sfidojnë me iso-polifoni.
Mbetet detyrë e institucioneve nxitja dhe përkrahja e nismave dhe veprimtarive që vënë në lëvizje njohjen, mbartjen dhe transmentimin e këtyre vlerave duke thyer kështu barjera por edhe koncepte ndonjëherë të pa merituara për të rinjtë tanë.
Ndoshta ka ardhur koha që edhe institucione të mirëfillta kulturore të shtetit, siç është edhe vet Qendra Kombëtare e Veprimtarive Folklorike krahas aktiviteteve kombëtare tradicionale tipologjike, të hartojnë edhe axhenda të mirëfillta me target grupe të rinjtë shkollarë apo të tjerë jashtë saj.
Mbase, gjithashtu, ka koha ka ardhur që edhe marrëveshja midis dy ministrive, të Kulturës dhe Arsimit, për edukimin përmes kulturës të zbërthehet e detajohet në terma më konkrete për të ruajtur e transmetuar vlera të qenësishme me impakt shpirtëror kombatar , larg formalitetit e koncepteve të përgjithshme të drejtimeve kulture.
Përvoja disa vjeçare e bashkëpunimit midis dy institucioneve të vartësisë në Vlorë , drejtorisë së trashëgimisë kulturore dhe asaj të arsimit ku, të kënduarit polifonik shprehet në terma konkrete bashkëpunimi, duhet të kthehet në një model pune e përgjegjësie jo thjesht në njohjen teorike por, kryesorja, në interpretimin dhe trashëgimin e një prej vlerave të trashëgimisë shpirtërore shqiptare.
Duhet të jemi të gjithë falenderues për të gjithë të rinjtë, vajzat dhe djemtë, që bëhen pjesë e këtyre aktiviteteteve me kaq shumë simbolikë e me mesazhe të qarta dashurie e vlerësimi për një vlerë të qënësishme të indetitetit tonë kombëtar siç është kënga dhe vallja jonë tradicionale, tanimë edhe kryevepër shpirtërore njerëzimi.
Si kundër meritojnë mirënjohje disa prej ekraneve të televizioneve qendrore të cilët kohët e fundit në emisionet e tyre kanë gjetur hapësirë për promovim të disa prej grupeve polifonike vetëm me të rinj.
Ndoshta edhe për këtë fakt mbase ka ardhur koha që gjithëshka e ardhur deri tani të mos i lihet spontanitetit por pa humbur kohë të bëhët pjesë e kurikulave mësimore nga ku të kënduarit polifonik të konsiderohet si një kontribut që seicili brez bën për të mbajtur gjallë e për të përcjellë jo thjesht një mënyrë të kënduari por një vlerë të konsideruar e çertifikuar edhe botërisht si pasuri identitare kombëtare shqiptare.
Dhe, si mbyllje të kësaj trajtese do të doja të citoja një mesazh të Dritëroit tonë të madh, dërguar si përshëndetje në një nga edicionet e Aulona Folk Festival në Vlorë kur ishte president nderi i tij:
“ Le t’i rikëndojmë dhe le t’i rikërcejmë këngët dhe vallet e gjyshërve dhe stërgjyshërve, duke shtuar diçka nga zëri dhe lëvizjet tona, pa ua cënuar harmoninë e përhershme tingujve, lëvizjeve dhe ngjyrave të fjalëve”.

*specialist i trashëgimisë kulturore


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.