KULTURË

Mbyll sytë përgjithmonë Dalip Greca, ikona e Diellit e medias shqiptare në Amerikë/ “Vatra” mesazh ngushëllimi!

07:46 - 17.05.22 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Ndahet nga jeta një nga personalitetet më të njohura shqiptare në Amerikë. Drejtuesi i gazetës shqiptare në SHBA “Dielli” dhe pjesë e pandarë e Federatës Vatra Dali Greca u nda nga jeta në moshën 72-vjeçare duke lënë pas dhimbje për familjen e tij, dy vajzat, djalin dhe gjithë miqtë.




Federata Vatra ka shprehur me një mesazh ngushëllimet për humbjen e një prej ikonave të saj dhe gjithë komunitetit shqiptar në Amerikë.

SHUHET DALIP GRECA, IKONA E DIELLIT, VATRËS E MEDIAS SHQIPTARE NË AMERIKË, VATRA MESAZH NGUSHËLLIMI

E nderuar familja Greca

I shtrenjtë dhe i paharruar miku ynë i përjetësisë Dalip

Sot për familjen Greca, Vatrën, Vatranët, Shqiptaro-Amerikanët është një ditë zie dhe trishtimi.

Sot, më datë 16 Maj 2022, në orën 4.23 PM në Neë York, zemra e mikut tonë të çmuar Dalip Greca ndaloi përgjithmonë.

Ikja e befasishme na ka shkatërruar të gjithëve në shpirt. Ky largim i shpejtë dhe i padrejtë na ka vrarë fort e mërzitur pafundësisht.

Një largim fizik që lë pas shumë trishtim, keqardhje e dhimbje të thellë te familja, miqtë e bashkëpunëtorët.

Ne do ta kujtojmë e respektojmë përjetë kontributin tënd të shquar, dedikimin dhe përkushtimin në punët që bëje, korrektësinë e detyrave, besnikërinë e premtimeve e miqësive, përkushtimin e devotshmërinë ndaj komunitetit, miqve, medias dhe kombit shqiptar.

Ikja e Dalip Grecës largon brenda nesh një copë të rëndësishme jete të kthyer në përkujtim të përjetshëm.

Sot, të gjithë kemi humbur shumë. Miqtë një mik special, shok, vatran, patriot, familjar e veprimtar të pa zëvendësueshëm në kauzat ku Dalip Greca bëhej pjesë. Në emër të Federatës Pan- Shqiptare të Amerikës VATRA, në emër të të gjithë vatranëve, të Shqiptaro-Amerikanëve e të familjes sime ju përcjell ngushëllimet tona më të ndjera, më të sinqerta e më të dhimbshme familjes Greca për humbjen e pakthyeshme të mikut tonë Dalip.

Lutjet dhe përshpirtjet tona si vatranë e komunitet janë më të afërta e më të ndjera se kurrë pranë familjes Greca, familjarëve e miqve në këto momente trishtimi, lamtumire, humbje e zie.

Mirënjohje për jetë të jetëve o Dalip Greca për gjithçka që po na lë pas ikjes sate në përjetësi.

Pushofsh në paqen e amshuar, në mbretërinë e qiellit miku ynë i paharruar.

I pikëlluar thellë

Pranë familjes e miqve, me nderime të veçanta

Kryetari i VATRËS

Elmi BERISHA

Shënim: Në gazetën Dielli, në vazhdim do të jepen detaje rreth organizimit të ceremonisë së lamtumirës dhe nderimeve.

Kush ishte Dalip Greca

Dalip Rexhep Greca u lind në Lushnje me 10 tetor 1950. Mësimet bazë i bëri në vendlindje, ndërsa shkollën e Mesme e përfundoi Qershor 1969 në Gjimnazin” Abas Shehu” Tepelenë. Studioi për Gjuhë dhe Letërsi shqipe në Institutin e Lartë Pedagogjik Shkodër 1969-1971, të cilin e përfundoi me rezultate të shkëlqyera. 1971-1974 kreu shërbimin ushtarak të detyruar në Marinë.

Në vitin e fundit të shërbimit nisi me korrespondencë studimet në Universitetin e Tiranës për Letërsi, të cilat i përfundoi me rezultate shumë të mira në maj 1976. Punoi në arsim deri në vitin gusht 1983, kohë kur filloi punën se redaktor për Kulturën dhe Sportin në Gazetën lokale “Shkëndija”. E humbi këtë vend pune për shkak të përkrahjes së proceseve demokratike në dhjetor 1990.

Mbeti dy muaj pa punë derisa opozita i ofroi detyrën e sekretarit të Komitetit Ekzekutiv Pluralist të rrethit të Lushnjës. E dorëzoi detyrën për shkak të vendosjes së kandidaturës për kandidat për deputet në krah të opozitës në vendlindjen e tij në zgjedhjet e para Pluraliste të 31 Marsit 1991.Ai kandidoi për opozitën edhe në vitet 1992, 1996, 1997.

Në Prill 1992 u emërua Inspektor i Letërsisë në Drejtorinë Arsimore të Rrethit Lushnje, ndërkohë që drejtonte dhe botonte gazetën lokale të përjavshme “Ora e Fjalës”, gazetë që lindi gjatë Lëvizjes Demokratike (Shtator 1991) dhe vijoi ta drejtojë deri në Gusht 1996, kohë kur u emërua Kryeredaktor i gazetës së përditshme “Republika”.

Më 20 korrik 1999 emigroi në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe filloi detyrën e redaktorit-përgjegjës për seksionin shqip të gazetës shqiptaro-Amerikane ILLYRIA, paralelisht nisi dhe përfundoi studimet 2-vjeçare në Institut Tecnnology of Business në Neë York.

Për 10 vite ai ishte një ndër gazetarët që hulumtoi, intervistoi, investigoi personalitete dhe njerëz të thjeshtë të komunitetit dhe fitoi respektin e shqiptarëve të Amerikës. Ai arriti të intervistojë shumë nga figurat e diasporës nacionaliste, të cilët e patën lënë Shqipërinë në fundin e Luftës së Dytë Botërore.

Në gusht të vitit 2009, Dalip Greca filloi drejtimin e Gazetës Dielli, e cila nuk botohej prej më shumë se 2 vite e gjysmë. Ai e ringjalli gazetën më të vjetër të botës shqiptare dhe për 12 vite e ka kthyer atë në lavdinë e dikurshme të themeluesve.

“Dielli” nën drejtimin e Dalip Grecës ka pësuar ndryshime thelbësore. Dielli për 12 vite që e drejton gazetari Greca botohet në print çdo muaj, madje nuk u ndal publikimi as në kohën e Pandemisë së shkaktuar nga COVID-19.

Gazetari Dalip Greca prej 2 dekadash ka dhënë kontribut edhe në median televizive. Ai ishte gazetar i jashtëm për Televizionin Kultura Shqiptare në Neë York (Albanian Culture TV), ndërkohë që vazhdoi të bashkëpunonte me median në Tiranë dhe Prishtinë.

Greca ishte një ndër kontributorët e spikatur në ruajtjen e traditave dhe kulturës shqiptare në SHBA; pjesë e pandarë e Federatës Panshqiptare të Amerikës, anëtar i kryesisë dhe Këshillit, organizator dhe drejtues i shumë veprimtarive të Federatës si: Si përvjetorët e Pavarësisë dhe Ditës së Flamurit Kombëtar, 100-Vjetorit të Vatrës, 110-Vjetorit të Gazetës DIELLI, Vitit të FAIK KONICËS, Simpoziumin për Arshi Pipën, Mit’hat Frashërin, Revoltën e Spaçit, bashkorganizator dhe drejtues i konferencës “Demokracia nuk pret”, dhe tash pjesë e projektit-Historia e Vatrës sipas arkivave… etj etj…


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.