DOSSIER

“Mehmet Shehu u vra nga dy truproja të Enverit”, libri i ish-kryehetuesit të diktaturës: Lajmet në mediat ndërkombëtare që çorientuan opinionin

07:24 - 24.08.22 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Nga Qemal Lame




Pjesë nga libri “Miq dhe armiq”

Ismail Kadare me librin “Pasardhësi”, të shkruar në vitin 1981, krijoi shqetësim për udhëheqjen, megjithëse nuk ka shkruar konkretisht për vdekjen e Mehmet Shehut. Në vitin 1981, disa javë para se të njoftohej vetëvrasja e Mehmet Shehut, Ismali Kadare kishte dërguar për botim dorëshkrimin e romanit Gjakftohtësia (Koncert në fund të dimrit). Në atë roman shkruhej për vdekjen e kryeministrit Çu En Lai, pasardhësit të Mao Ce Dunit. Gjendja politike e asaj kohe në Shqipëri përkonte me vlerësimin e Ëinston Churchill-it për Rusinë e vitit 1939, i cili thotë se: “Është një gjëegjëzë e mbështjellë në mister brenda një enigme“.

I ndarë në disa pjesë, si: „Dhjetori i vetëvrasjes“, „Autopsia“, „Kujtime të ëmbla“, „Rrokullima“, „Prijësi“, „Arkitekti“ dhe „Pasardhësi“, ky roman i Kadaresë ndikonte për të risjellë në kujtesë vdekjen misterioze të Mehmet Shehut dhe caktimin e pasardhësit të udhëheqësit si një kinezëri. Ngjarjet e përshkruara në “Pasardhësi” dhe “Vajza e Agamemnonit” sjellin në vëmendje kujtimet e gjithhershme të njerëzimit, e si të tilla ato mund të rishfaqen me qëllime të paramenduara në çdo epokë, përfshirë këtu edhe epokën tonë.

Shëmbëllimi i tyre me pamje dhe njerëz të kohës është i pashmangshëm. Këto mesazhe filozofike na ndihmojnë të mos harrojmë mësimet nga historia për shtetarët që mbivlerësohen deri në hyjnizim dhe të mos lejojmë të ndodhin fatkeqësi e tragjedi personale, familjare e shoqërore. Disa prej shkrimtarëve më të mëdhenj të totalitarizmit, si Kafka, Orëell-i apo Solzhenitsyn-i kanë marrë viktima nga protagonistët e tyre kryesorë. Kadare është përqendruar ekskluzivisht në efektet e shtypjes së disa prej sunduesve të shtetit dhe familjeve të tyre.

Sunduesit dhe populli, në mungesë të ndonjë burimi të besueshëm informacioni, u kthyen te mitet dhe supersticionet e së shkuarës parastaliniste. „Unë nuk jam në shtëpi në të tashmen“, shprehet me ankim një burrë i vjetër shqiptar. „Ne kemi pasur zakone të tjera, por tani ka rituale të cilat unë nuk mund t‘i kuptoj. Njerëzit flasin për kongrese, plenume e të tjera që thuhen“. Libri u ndalua që të mos botohej, pasi rrethanat politike të kohës përkonin me ngjarjen dhe problemet e trajtuara në libër për pasardhësin që po afirmohej.

Idetë dhe mesazhet e qarta që dilnin nga analiza e librit vlerësoheshin të rrezikshme, pasi do të kishin ndikim të drejtpërdrejtë në kushtet e situatës së krijuar. Romani të ndihmonte të kuptoje më mirë një ngjarje të rëndë dhe të kërkoje shpjegime për të qartësuar dilemën nëse bëhej fjalë për vrasje në versionin shqiptar, aksident ajror apo vrasje në versionin kinez. Megjithatë, fakti që romani bëhej më aktual me ngjarjen e ndodhur dhe me masat drastike të dhunës politike dhe ligjore, kërkohej të ndëshkoheshin vepra dhe autori.

Ndalimi i botimit të romanit dhe përgjegjësia që iu kërkua autorit në Plenumin e Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë synonte, së pari, që të goditej me rreptësi publike dhe me masa drastike ligjore çdo mendim dhe veprim që konstatohej se hidhnin dyshime ndaj qëndrimeve zyrtare. Udhëheqja e lartë e Partisë nuk lejonte asnjë ide dhe mendim që mund të ndikonin në opinionin shoqëror në drejtimin e padëshiruar nga propaganda partiake.

Së dyti, në ato rrethana të rënduara, megjithëse kontrolloheshin politikisht dhe juridikisht, u përforcua presioni në opinionin shoqëror edhe me daljen në qarkullim të veprës së fundit të Enver Hoxhës, ku flitej edhe për kritikat e ashpra që ai kishte bërë për devijimet politike të Partisë Komuniste të Kinës dhe për vdekjen e Çu En Lait. Në këto kushte, romani dhe vetë autori i tij, Ismaili, kërkohej që të ndëshkohej për të pasur më shumë efekt propaganda zyrtare, të mos guxohej të jepeshin mendime, opinione apo dyshime sado të vogla të kundërta, të cilat mund të ndikonin që të cenohej autoriteti dhe idhulli i udhëheqësit, si dhe akuzat që kishin filluar të përfliteshin për eliminimin e kundërshtarëve të tij politikë që nga koha e luftës dhe në vazhdim.

Duke nisur nga një ngjarje reale, së cilës i ka dhënë përmasa universale, Kadare nëpërmjet «Pasardhësit» ka shtuar një personazh të ri në familjen e arketipave të mëdhenj të letërsisë botërore, Judës, Agamemnonit, Brutit, Jozef K.-së etj.

Reagimet në opinionin publik dhe qëndrimet e shteteve të bashkësisë ndërkombëtare për vdekjen e kryeministrit të Shqipërisë

Saktësimi me të dhëna më konkrete nga media ndërkombëtare për vdekjen e kryeministrit ndihmon për përfundime më të argumentuara për ngjarjen. Reagimet kanë qenë të menjëhershme nga të gjitha agjencitë nacionale të lajmeve. Njoftimet fillestare, akoma të pakonfirmuara plotësisht, morën qartësi dhe komente më konkrete me të dhënat më të sakta të disa agjencive të vendeve që kishin ambasada, si dhe të atyre që përfaqësoheshin në Shqipëri. Pas njoftimit zyrtar nga autoritetet shqiptare, u bënë komente më të plota nga agjencitë më kryesore dhe më të interesuara për gjendjen e vërtetë shqetësuese në Shqipëri.

Njoftimi me të dhëna paraprake kanë qenë të papritura dhe të dënueshme edhe nga opinioni publik ndërkombëtar. Mendohet se njoftimet e para janë publikuar nga Agjencia Amerikane e lajmeve në Rojter dhe nga Agjencia Jugosllave e Lajmeve TANJUG “për vrasjen e kryeministrit Mehmet Shehu nga dy oficerë të truprojës së Enver Hoxhës”. Media jugosllave e kontrolluar rreptësisht nga shteti, si në të gjitha shtetet komuniste të Evropës Lindore, ka dhënë në fakt një njoftim duke iu referuar një gazete studentore kroate.

Ky njoftim është jotransparent për burimin, argumentimin dhe qëllimin e publikimit. Në këtë rast tipik nuk jepen të dhëna apo dyshime të bazuara për këtë ngjarje shumë të rëndësishme të ndodhur në një vend të izoluar dhe të njohur ndërkombëtarisht për sistemin diktatorial, mungesën e lirisë dhe të drejtave të njeriut. Nuk është përdoruar as metoda e njohur e referimeve me ndonjë njoftim nga burime të mirinformuara, siç përdoret zakonisht terminologjia gazetareske informative, e cila nënkupton të dhëna të fshehta agjenturore apo nga burime të tjera të fshehta që nuk bëhen të njohura publikisht.

Mendohet se kjo manovër është një akt i paramenduar dhe organizuar për të larguar përgjegjësinë nga akuzat e drejtpërdrejta që bëheshin zyrtarisht dhe publikisht nga Enver Hoxha për përgjegjësinë e CIA-s dhe UDB-së në vrasjen e Mehmet Shehut. Në këtë mënyrë u realizua reagimi i menjëhershëm për të dhënë një njoftim të përgatitur me kujdes dhe ndikuar në medien ndërkombëtare, duke iu paraprirë komenteve që do të bëheshin pas njoftimeve zyrtare nga autoritetet shqiptare.

Nga politika zyrtare shqiptare dhe personalisht nga Enver Hoxha Mehmet Shehu u akuzua si poliagjent në shërbim të CIA-s dhe UDB-së dhe me urdhër të tyre u realizua vrasja e tij. Media ndërkombëtare është mbështetur dhe i është referuar këtij lajmi sensacional të transmetuar me urgjencë nga Jugosllavia, për dyshimet për vrasjen e kryeministrit Mehmet Shehu. Njoftimi i Tanjug-ut është vlerësuar si burim informacioni nga burime zyrtare shtetërore. Referimet reciproke në njoftime të menjëhershme e rrisnin edhe më tej temën sensacionale të ditës në medien ndërkombëtare për vdekjen misterioze të kryeministrit shqiptar dhe përforcojnë dyshimet për krimin e organizuar shtetëror. Agjencitë më të rëndësishme të lajmeve, radiot dhe televizionet në pothuajse gjithë bashkësinë ndërkombëtare komentuan vdekjen e papritur dhe të dyshimtë të kryeministrit shqiptar në detyrë.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.