OPINION

Arrestimi i mjekëve, një spektakël i shëmtuar policor!

09:56 - 24.09.22 LUTFI DERVISHI
GSH APP Get it on Google Play

E premte pasdite. Kur mendon se lajmi i ditës është miratimi me urgjencë nga ERE-i kërkesës së qeverisë për rritjen e çmimit të energjisë për ata që konsumojnë mbi 800 kwh në muaj, befas sheh një skenë NETFLIX-i. Policë me maska, makina policie me sirena dhe agjenti i infiltruar që i vë prangat një mjeku pasi i ka ofruar 20 mijë lekë.




Mjeku, apo kushdo, që është përfshirë në rrushfet – le të përballet me pasojat morale, administrative dhe ligjore të aktit të kryer, por ka disa pyetje për këtë aksion të mediatizuar të policisë.

Si është e mundur që kemi agjentë të infiltuar vetëm në spitale?

Pse nuk kemi agjentë të infiltruar te trafiku drogës?

Pse nuk kemi agjentë të infiltuar te tenderat? Te kryeministria? Te ministritë? Te bashkitë? Pse vetëm në spitale? Spitalet janë vendi ku gëlon krimi i organizuar dhe korrupsioni? Spitalet janë vendi ku avullojnë fondet publike dhe ku përfundojnë milionat e trafikut të drogës dhe çdo trafiku tjetër? Spitalet janë vendi i paligjshmërisë në këtë vend? Spitalet janë skenat e krimit të pazbardhura?

Angazhohen agjentë të infiltruar për ryshfet dhe jo për krimin e organizuar dhe korrupsionin! Kësaj i thonë të shkrepësh topin për të vrarë mushkonjën.

E sigurtë është që operacioni policor që ende nuk i dimë emrin e koduar (ndoshta e quajnë ‘peshku i madh’) kushton shumë fish më shumë se ‘20 mijë lekëshi’ që agjenti i infiltuar i ofroi mjekut. Por ajo që quhet ekonomi hetimi duket është një nocion i huaj jo vetëm për policinë, por edhe për prokurorinë dhe gjykatën që së bashku bëjnë trinonimin perfekt të drejtësisë tuniziane: i fortë me të dobëtin dhe i dobët me të fortin.

Besimi i publikut te policia dhe te drejtësia nuk kthehet kur i vendos prangat mjekut, infermierit apo sanitares. Besimi kthehet kur shohin që merresh seriozisht me rastet e abuzimit të pushtetit dhe besimit të publikut. Gjykuar nga disa veprime të policisë duket se e keqja më e madhe në këtë vend janë mjekët dhe infermierët (që nuk kanë ikur ende në Gjermani).

Ne e pranojmë që jemi shumë larg nivelit të vendeve ku policia merr ne pyetje kryeministrin, por nuk duhet të shkojmë kaq larg sa të mendojmë se duke luftuar ryshfetin te bluzat e bardha, do i zbardhim faqen vendit dhe do të përmirësojmë renditjen në tabelën e vendeve të korruptuara.

Të thuash që ka ryshfet në spitale është si të thuash sot është e premte, por të pretendosh që këtë problem do ta zgjidhësh me polici, me pranga dhe lincim publik i ngjan personit që kërkon në det çelësin e humbur në tokë.

Së paku media duhet të tregohet e kujdesshme për të mos zbuluar identitetin e mjekut dhe për të mos nxjerrë pamjet e ‘triumfit policor’ në Spitalin e Traumës.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.