Argument

Distanca mes politikës dhe shqiptarëve

23:38 - 10.02.17 gsh.al
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Nga Julian Zyla




 

Cila është çështja më e rëndësishme për ty dhe familjen tënde? Politikat sociale? Arsimi? Cilësia e shëndetësisë? Mendo për një çast përgjigjen. Pyet edhe dikë pranë teje: “Cila është çështja më e rëndësishme për ty dhe familjen tënde?”. A janë përgjigjet vallë: “koalicioni zgjedhor PS-LSI”? Apo: “ardhja në pushtet e Lulzim Bashës”? Nëse jo, atëherë pse i kemi dëgjuar kaq shpesh këto tema? Në vend që të përqendrohet te politikat e propozuara, pse debati politik në Shqipëri duket sikur i ngjan monitorimit obsesiv të një “reality show”? “Kush shau kë?” “Kush u lidh, u puth, apo u nda me kë?” Distanca mes politikës dhe shqiptarëve është e madhe. Megjithatë, kjo distancë mund të pakësohet, nëse flitet më shumë për çështje reale. Kështu do të përfitonin të gjithë: politika, mediat dhe njerëzit.

Të shohim së pari politikën. Politika shqiptare nuk është krejtësisht pa përmbajtje. Shumica qeverisëse flet shpesh për reformat. Por vazhdimisht detajet bien viktimë e ndonjë deklarate personale që krijon tituj më interesantë. Madje ka intervista ku politikani përpiqet ta mbajë bisedën te çështjet, ndërsa gazetari insiston: “Po a do të jeni në koalicion me PS-në në zgjedhjet e ardhshme?”. A thua kjo është ajo që u intereson më shumë xhepave e tryezave të shqiptarëve.

Cilat janë të rejat e politikave të reja sociale? Cila është realisht gjendja e arsimit? Me detaje. A kemi shëndetësi më cilësore? Këto nuk janë tema të lehta. Dhe jo gjithmonë interesante kur trajtohen. Por nëse, për shembull, opozita do të investonte më shumë në hetime e kërkime të tilla, do të kishte argumente më bindëse përpara njerëzve sesa “të rrëzojmë qeverinë”. Historitë nga situata të vërteta të njerëzve janë më të efektshme sesa mesazhi i opozitës: “zgjedhje të lira dhe të ndershme”. Zgjedhjet janë është problem i politikës, jo i shqiptarëve.

Për qeverinë, dhe shumicën në përgjithësi, një mënyrë për të shkurtuar distancën mes politikës dhe shqiptarëve do të ishte të mos i përgjigjet çfarëdo akuze politike. Mjafton të zgjedhë si publik njerëzit dhe jo opozitën dhe do të mund të ishte më pranë njerëzve edhe në parlament.

Kështu, politika në të dy krahët do të mund të përfitonte prej një komunikimi politik më efektiv.

Së dyti, mediat. Përfitimi për to është pak më i komplikuar. Raportimi rreth çështjeve konkrete është kaq i vështirë saqë gazetaria investigative i është lënë emisioneve satirike. Konkurrenca është e ashpër dhe ‘lajmi duhet të jetë i shpejtë dhe zakonisht vjen nga politika’, duket sikur është pranuar në Shqipëri. Por, sapo krijohet një agjenci që realizon gazetari pak më të thellë e serioze, bëhet pikë referimi. Atëherë pse nuk vendosin më shumë media ta praktikojnë këtë stil gazetarie? Nuk është e nevojshme të ndryshohen as linjat editoriale. Mjafton pak më shumë punë pranë njerëzve. Pak më shumë respekt për gazetarët që kanë aftësitë dhe dëshirën.

Imagjinoni nëse, përveçse në emisionet satirike, do të shihnim gazetari investigative edhe në emisionet serioze të lajmeve. A nuk tingëllon si diçka normale? Por, nuk ndodh. Imagjinoni përfitimin në krahasim me konkurrencën për televizionet që do të vendosnin ta realizonin.

Një tjetër mënyrë për të shkurtuar distancën mes politikës dhe shqiptarëve në media është trajtimi me prioritet i gjërave që përbëjnë realisht interes për publikun. Nuk është e thjeshtë që përmbajtja të konkurrojë interesanten. Por nuk është e pamundur. Nëse nuk tentohet, mediat rrezikojnë të mbeten te reality show dhe protagonistët e tij, me gjithë ëndrrat dhe interesat e tyre politike, krejtësisht larg njerëzve.

Së fundmi, njerëzit. Nëse debati politik bëhet më konkret, duke shkurtuar distancën mes politikës dhe shqiptarëve, të gjithë do të mësonim gjëra mbi të cilat do të mund të diskutohej më shumë, ndoshta duke ndikuar kështu në përmirësime të mundshme, të prekshme dhe të matshme.

E vetmja gjë që do të humbisnim është ndjesia e argëtimit që na jep ndonjëherë ky reality show, e njëjtë me atë të telenovelave, apo të ndeshjeve të futbollit, sidomos kur jemi tifozë të njërës parti apo tjetrës. Shohim hallet e tyre politike dhe harrojmë për një moment tonat.

Por, nëse debati publik do të afrohej drejt problemeve reale, në Shqipëri do të mund të kishim më në fund mundësinë të kalonim atë që vazhdon të quhet tranzicion, por që në fakt njihet si një lloj i veçantë sistemi politik: sistem hibrid, ku pushteti kalon nga njëra palë në tjetrën paqësisht por problemet kryesore mbeten pa u zgjidhur.

Njerëzit duhet të jenë më të përfshirë në vendimmarrje. Që kjo të ndodhë duhet që palët politike të diskutojnë për versione të ndryshme politikash e jo versione të ndryshme akuzash të ndërsjella. Duhet që mediat të jenë të rrjedhshme jo vetëm në gjëra interesante, por edhe të rëndësishme. Duhet që distanca mes politikës dhe shqiptarëve të shkurtohet.

 

 


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.