Intervista

Regjisori maqedonas: 4 vite pa përgjigje, si e injoroi Teatri Kombëtar “Kadarenë” tim

08:57 - 02.03.17 gsh.al
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play




 

Fatmira NIKOLLI 

 

Vdekja e ish-kryeministrit Mehmet Shehu më 13 dhjetor 1981, ‘përballja’ e tij me Enver Hoxhën, një fejesë që bëhet shkas a pretekst për një mort që ende sot nuk dihet në erdhi nga vrasja e vetëvrasja, rizgjuan diskutimet mbi atë që ndodhi 36 vite më parë në Tiranë.

Prijësi, pasardhësi (e gruaja e tij) dhe ministri i Brendshëm nuk vijnë bindshëm në skenë. Largësia me rolin është pothuaj konstante, dhe kjo ajri e boshtë nga personazhi te aktori, e lë publikun të papërfshirë emocionalisht dhe shpesh të paqartë mbi atë se çfarë ndodh.

Partizanët bëhen narratorë, por marrin edhe role të tjera, skena është e njëjta, pas kolonave shihet mozaiku i Muzeut Kombëtar. Prijësi ‘brohoritet nga turmat’, që në duart e tij bëhet marionetë.

Në këtë shfaqje interpretuan aktorët: Çun Lajçi, Lumnie Sopi, May-Linda Kosumoviç, Bajrush Mjaku, Ismet Azemi, Bislim Muçaj, Armend Baloku, Adrian Morina, Shëngyl Ismaili, Xhevat Qorraj, Shpejtim Kastrati, Basri Lushtaku, Armend Smajli, Sheqerie Buqaj, Arta Selimi, Albulena Kryeziu – Bokshi dhe Semira Latifi.

“Pasardhësi”, shfaqja e bazuar në veprën me të njëjtën titull të Ismail Kadaresë, mbërriti më në fund në Teatrin Kombëtar. Ajo u dha falas të martën në mbrëmje nga trupa e Teatrit të Kosovës. E dramatizuar nga Goran Stefanovski dhe me regji të Slobodan Unkovskit, shfaqja e dy maqedonasve u duk se mbeti pezull, siç për shumë kohë Teatri Kombëtar e la pezull. Më herët ka pasur një propozim – që nuk mori kurrë përgjigje – që “Pasardhësi” i Kadaresë të ishte prodhim i TK-së, çka e bëri që nga Tirana, shfaqja të merrte jetë në Prishtinë.

“Më ka pëlqyer romani shumë dhe prej vitesh mendoja ta vija në skenë. Dramaturgu Goran Stefanovski më ndihmoi me dramatizimin e romanit. 93 për qind e materialit është nga romani i Kadaresë, pjesa tjetër është shtuar nga Stefanovski”, – tha regjisori Unkovski. Ai iu përgjigj disa pyetjeve të gazetarëve pas shfaqjes, si më poshtë.

– Cili është koncepti juaj për këtë pjesë, nuk e kuptuam?

Ajo që patë në skenë, është ajo që kam dashur të bëj. Performanca është e vetmja gjë që mund të tregoja dhe çdo shpjegim nuk do ndihmojë askënd. Nëse nuk ia kam dalë për t’i bërë gjërat të qarta në shfaqje, është e vështirë pas saj të shpjegoj ndonjë gjë. Më pëlqen të flas për këtë periudhë të paqartë në historinë shqiptare, për të cilën Kadare bëri një roman shumë të mirë. Isha shumë kurioz nëse kjo shfaqje do të lidhej me përpjekjen e Kadaresë për të hedhur dritë në disa momente në historinë e Shqipërisë.

-Si ka qenë përvoja juaj si regjisor me këtë pjesë, kërkonit një teatër absurd, eksperimental, çfarë kërkonit?

Kam filluar punë në teatër që prej viti 1971 dhe kam punuar në shumë vende të botës, në Amerikë, Rusi, Gjermani etj. Kjo është shfaqja ime e tretë në gjuhën shqipe. Më pëlqejnë aktorët shqiptarë dhe përvoja ime me këtë shfaqje teatri ka qenë shumë e mirë. Më pëlqen teatri, më pëlqen kjo vepër, karakteret, idetë, dhe fati i njerëzve të thjeshtë-që ka të bëjë me mënyrën time të të bërit teatër.

-Cili është interesi juaj në këtë pjesë?

Jam regjisor i 100 shfaqjeve dhe është e vështirë të jap shpjegime të shkurtra se cili është interesi im. Jam i interesuar për kohën kur jetohet, në këtë shfaqje përpiqem të them diçka mbi historinë e si përmes saj mund të kuptojmë më mirë të sotmen, e jo vetëm Shqipërinë, por edhe Ballkanin.

-Punët tuaja të tjera janë ndryshe nga kjo…

Së pari jam katër vite më i vjetër nga ç’isha kur kam sjellë pjesët e tjera. Di diçka më shumë. Materiali më çon në drejtime të ndryshme. Vepra e Kadaresë është shumë e mirë, ai është i shkëlqyer, por është edhe e vështirë të punosh me të. Disi është një lloj sfide.

-Pse ishte falas për publikun?

Jam përpjekur ta vë këtë pjesë prej katër vitesh. E kam propozuar njëherë edhe në këtë teatër. Pas propozimit tim, askush nuk u përgjigj. Mbase akoma nuk janë gati. Më pëlqejnë historitë me politikë, diktatorë, dhe mendoj se teatri shqiptar ka nevojë të hapet. Nuk është një këshillë, është thjesht opinioni tim.

– Është koha e duhur për këtë shfaqje?

Unë mendoj se është vonë. Duhej të ishte bërë deri tani. Por nuk është detyra ime ta them këtë.

– Pas kësaj përvoje me këtë pjesë, çfarë ju ka bërë më shumë përshtypje, çfarë mësuat prej saj?

Është e ngjashme me historinë tonë. Hoxha nuk është Enver Hoxha, është kushdo njeri i cilitdo vend. Ka histori të ngjashme të fshehura që ekzistojnë kudo. Kam lexuar shumë për këtë projekt, për muzikën, për çdo gjë. Dhe nuk është dokumentim i dramës, është përkthimi im mbi kohën dhe mbi njerëzit, problemet e shpirtin e kohës. Unë kam kërkuar për shpirtin e kohës dhe jo për detajet. Ato nuk janë të rëndësishme.

-Sa kohë ju është dashur të merreni me këtë pjesë, me Kadarenë, sa kohë ju është dashur ta kuptoni e të keni të qartë se çfarë donit të thoshit dhe ta vinit këtë pjesë në skenë?

Emri i metodës sime të regjisë është Meduza. Më duhet shumë përgatitje vetjake, jo për pjesën, por për veten, që të jem gati për shfaqjen. E bëra gati veten për pjesën, për historinë shqiptare, për muzikën shqiptare. Kam punuar me veten për disa muaj e kur erdha në prova isha gati. Ndonjëherë, aktorët nuk janë gati t’i përgjigjen apo të jenë gati menjëherë se për çfarë bëhet fjalë.

-A është Kadareja i vështirë për t’u përshtatur në teatër?

Po, sepse është shkrimtar shumë i mirë dhe fjalitë e tij janë të thella, shumëkuptimëshe. Kur njerëzit lexojnë, ndalen dhe mendojnë. Ndërsa në teatër ecën shpejt dhe nëse e humb një çast bëhet e vështirë ta kuptosh.

-Prijësi, personazhi pas të cilit fshihet Enver Hoxha, kishte pak të bënte me të. Jeni bazuar te Hoxha, është marrë shembull figura e tij?

Bislimi, aktori që luante Enver Hoxhën, mund ta bënte Enver Hoxhën në mënyrë të shkëlqyer, por përpjekja kryesore ka qenë për të mos e bërë këtë. Ka vetëm disa momente që është si Hoxha në të vërtetë. Sepse nuk po luajmë Hoxhën, as Shehun, askënd. Nuk përmenden emrat në vepër dhe nuk i përmendim as ne.

-E keni njohur Shqipërinë në komunizëm?

Jo, kam ardhur më pas. Shqipëria për ne në Jugosllavi ka qenë e çuditshme, e rrezikshme dhe e vështirë për të kuptuar çfarë ndodh. Kam ardhur disa herë më pas.

– Kadare është vetë i vështirë, ndërkohë ju nuk flisni shqip. Bëhen kështu dy vështirësi në vënien në skenë të një pjese…

Unë nuk e kam takuar kurrë Kadarenë, por na ka dhënë lejen ta vëmë në skenë. Për herë të parë unë pjesën e kam lexuar në anglisht, dhe më pëlqeu shumë.

(Gazeta Shqiptare)

 

Për të marrë lajmet e fundit të “Gazeta Shqiptare”, ndiq faqen tonë në Facebook.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.