SPORT

Rrëfehet babai i Izmir Smajlajt: Ja si e binda që të mos e linte sportin

09:48 - 07.03.17 gsh.al
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

 




 

Kampioni i ri i Europës në kërcim së gjati në salla të mbyllura, Izmir Smajlaj, hyri në histori më 4 mars 2017 në “Mbretëreshën e Sporteve” në kryeqytetin serb, ku zuri vendin e parë me 8.08 metra. Ai moment rrëqethës dhe dramatik nuk do të fshihet kurrë në memorien e familjarëve të tij, të pranishëm në tribunën e “Kombank Arena”. Në një rrëfim ekskluziv për “Panorama Sport”, babai i kampionit të kontinentit, Muhamet Smajlaj, tregon për emocionet e përjetuara. Mes të tjerash, ai zbulon se Izmiri ishte shumë pranë tërheqjes nga sporti, porse ishte ai që e bindi për të vazhduar karrierën sportive.

Si ishte emocioni i parë si prind?

Ishte një emocion shumë i madh. Një gjë që nuk e kishim provuar asnjëherë dhe, të them të drejtën, nuk di sesi ta përshkruaj. Ajo që di, është se jemi mbushur me lot, jemi përqafuar dhe nuk kemi parë asgjë. Ishte një krenari shumë e madhe për ne.

Si u ndjetë në ato momente?

Nuk di si ta përshkruaj. Ne prisnim që të arrinte deri te vendi i tretë. Pra që Izmiri të kapte finalen dhe të futej në zonën e medaljeve, por jo deri te vendi i parë. Kuptohet se aty është elita europiane, që investojnë shumë dhe nuk ishte fare e lehtë që Izmiri të merrte medaljen e arit. Kuptohet që ka qenë një punë shumë e madhe e Izmirit bashkë me trajnerin Vildan Tufi.

Pse nuk kishit besim se djali juaj mund të merrte medaljen e arit?

Jo se s’kishim besim, por na dukej shumë e vështirë që Izmiri, me ato kushte ku ka bërë stërvitje, të arrinte të shpallej kampion Europe. Konkurrenca është shumë e madhe, Europa investon shumë te sportistët e vet dhe kjo ishte arsyeja që na bënte pak mosbesues. Me sa duket i paskemi rënë në qafë Izmirit, sepse vazhdimisht e kemi kritikuar që të mos dilte me shokë e shoqe dhe që t’i përkushtohej më shumë sportit. Ne si prind i kemi qëndruar shumë mbi kokë.

Medaljen e bronzit e kishte të siguruar përpara se të bënte kërcimin e fundit, sepse kishte rezultatin 8.02 m. Ishte ky një motiv më shumë për të guxuar për medaljen e arit?

Është e vërtetë, sepse kishte një motiv të tillë. Izmiri i bëri me shenjë trajnerit, sepse te kërcimi i fundit kishte pak problem me këmbën, por i dha vetes forcë, ndërkohë që i tha edhe trajneri “jepi vetes, sepse e ke mundësinë”. Izmiri, meqë kishte të siguruar medaljen e bronzit, guxoi për më shumë dhe ia doli të shpallej kampion Europe.

Si ju duk ai moment? Izmiri te kërcimi i fundit dukej me shumë besim, jeni i këtij mendimi?

Eksperienca ka të bëjë shumë. Izmiri, edhe psikologjikisht ishte shumë mirë, edhe më i fortë, dhe në kërcimin e gjashtë bëri me shenjë se ishte i pari dhe e kishte besimin ende pa dalë rezultati zyrtar se do të shpallej kampion Europe.

U trembët kur suedezi, rivali i djalit tuaj, kishte provën e fundit?

Të them të drejtën po, sepse suedezi kishte rezultate pothuajse të barabarta dhe ishte një garë emocionuese.

E meritoi Izmiri këtë medalje?

Unë them se e meritoi, sepse ka bërë shumë sakrifica dhe me këto kushte që ka pasur me të vërtetë që e meritoi. E falënderoj Federatën, e cila e ka mbështetur dhe e ka dërguar edhe jashtë Shqipërisë për stërvitje, sepse stadiumet shqiptare kanë qenë në rikonstruksion.

 

Pikërisht, sa të vështirë e ka pasur për t’u stërvitur?

Kjo ka qenë vështirësia, mungesa e mjediseve. Megjithatë, kanë gjetur disa mundësi jashtë Shqipërisë. Janë munduar.

A kanë qenë periudha të mjaftueshme, sepse e kemi parë duke u përgatitur edhe në Pedonale, në Shkodër, në mes të shiut…?

Të mjaftueshme nuk kanë qenë, sepse edhe vetë ndërrimi i trajnerëve jashtë Shqipërisë nuk është një gjë e mirë. Trajneri i tij Vildan Tufi e donte gjithnjë pranë vetes, sepse e ka rritur.

Cila është sakrifica më e madhe që keni bërë dhe ai momenti kur mund të keni menduar t’i thoshit Izmirit që ta linte sportin? E keni menduar ndonjëherë?

Duke parë vështirësitë që një familje kalon si në këtë rast, në fakt kam bërë të kundërtën. Unë kam qenë vetë sportist deri në vitet ’80 dhe Izmiri ka dashur 2-3 herë ta linte sportin, por unë kam këmbëngulur që të mos e bënte një gjë të tillë dhe e kam ndaluar.

Pse ka dashur që ta lërë sportin?

Atletika në Shqipëri nuk është një sport që ka fitime me të cilat mban familjen apo fitime të mëdha, përveç rasteve si ky rezultat që Izmiri mori në Kampionatin Europian. Kampion Shqipërie nuk është se të jep ndonjë gjë, them financiarisht.

Në çfarë momentesh ka dashur ta lërë sportin?

Po kur ka pasur vështirësi me kushtet e stërvitjes, vështirësitë ekonomike, sepse një sportist nuk mund të kalojë mirë dhe të mbulojë shpenzimet me një pagë minimale siç ka pasur.

Ju keni menduar se ka të drejtë, por e keni mbajtur të fshehtë?

Kjo qëndron, dhe është e vërtetë që e kam mbajtur të fshehtë. Gjithnjë kam bërë presionet e mia se sporti do ta shpërblente një ditë dhe kështu ndodhi. Sporti ka vështirësi, por kur do të bëhesh sportist dhe i vë një qëllim vetes, duhet të dish se ti nuk je si të tjerët.

Ia ka vlejtur sakrifica?

Them se ia ka vlejtur dhe e falënderoj Izmirin që më ka dëgjuar.

Ka qenë e vështirë për ta bindur?

Shumë e vështirë.

Çfarë mund të specifikoni nga vështirësitë?

Izmiri është një djalë që më ka kuptuar dhe më ka dëgjuar. Ka pasur raste që edhe jemi bërë me nerva me njëri-tjetrin, por përderisa arriti këtë rezultat, më ka dëgjuar.

Si ishte të qëndronit mes tifozëve serbë në Beograd?

E lehtë nuk ishte, pasi biletat i kishim mes tifozëve serbë. Edhe vetë serbët kishin një atlet të tyre në finale dhe duartrokitja e tifozëve serbë e pengonte duartrokitjen për Izmirin. Në momentin kur ne duartrokitnim si familjarë, Izmiri nuk i dëgjonte, pasi ishte zhurmë e madhe.

Ju shihnin me një sy tjetër në momentin kur kuptuan se ishit shqiptar dhe mbështesnit Izmirin?

Të them të drejtën, nuk i kushtuam shumë vëmendje kësaj, sepse ishim të fokusuar tek Izmiri.

Çfarë do të bëhet pas kësaj medaljeje, cila do të jetë këshilla juaj për Izmirin, si do vijojë?

Ajo që dua të them, është për qeverinë. Izmiri tashmë u bë një sportist elitar dhe duhet ta mbështesin. Duhet ta përkrahin, sepse ka edhe Kampionatin Botëror përpara dhe Izmiri i ka vënë vetes detyrë që të vijojë këtë rrugëtim. Premtimet që ka dhënë i mbajti dhe i ka vënë vetes detyrë që të kapë finalet e Botërorit. Qeveria, federata, KOKSH-i të gjejnë vende bashkëkohore për stërvitjen e tij.

Titulli i kampionit të Europës a mund të jetë një shuplakë pozitive e Izmirit për të gjithë ata që nuk e mbështetën deri sa arriti këtë sukses, sepse edhe ai vetë e ka theksuar disa herë mungesën e mbështetjes nga të gjitha anët…

Një kambanë alarmi besoj se duhet që të jetë. Nuk është vetëm Izmiri, sepse Shkodra, Shqipëria, nxjerr talente, të cilët vetë i kanë quajtur ambasadorë të Shqipërisë. Vetë shteti duhet që të bëjë një ligj që këta sportistë të elitës të kenë një status të veçantë.

I kujt është ky sukses i madh i Izmir Smajlajt?

Besoj se merita është e të gjithëve bashkë.

Tre kampionë të mëdhenj nga Shkodra: Izmir Smajlaj, Erkand Qerimaj dhe Elis Guri, mendoni se është rastësore apo ka diçka?

Mendoj se ka diçka, sepse Shkodra prodhon shumë talente në të gjitha sportet dhe shkodranët janë shumë të pasionuar pas sportit.

Besoj se keni komunikuar me Izmirin, si ndihet ai në këto momente të para, çfarë ju shpreh?

Unë sapo kam ardhur nga Beogradi dhe kam komunikuar. As ai vetë nuk e di ende se çfarë ka ndodhur dhe i duket akoma si një ëndërr.

A besoni se tashmë do të ketë vëmendjen e duhur?

Kam parë shumë mesazhe e komente dhe besoj se qeveria dhe shteti do të jenë më të vëmendshëm te këta sportistë, sepse nuk mund të bëhet një sportist pa mbështetje, edhe pse Izmiri kishte një vullnet shumë të madh.

Elis Guri zgjodhi që të shkojë me Bullgarinë dhe ngriti flamurin bullgar. E ka menduar Izmiri të njëjtën gjë që të largohet nga Shqipëria?

Nuk është se nuk ka pasur oferta, por pengesa kryesore kam qenë unë që të mos largohej. Ka pasur oferta nga Turqia, nga Anglia, që janë shtete të fuqishme dhe për një të ri si Izmiri kuptohet që janë joshëse. Unë si baba i kam parë dhe i kam ndjekur edhe si zëvendëstrajner dhe kam kuptuar se Izmiri ka mundësi ta ngrejë flamurin shqiptar në arenën ndërkombëtare. Fat i madh që flamuri u ngrit në zemër të Serbisë, në Beograd, dhe nuk kam pasur dëshirë që të ngrinte flamurin e një shteti tjetër pa ngritur lart atë shqiptar.

Ka qenë e vështirë ta bindësh që të mos largohej?

Ka qenë i dyzuar dhe kuptohet, sepse në shtete si Anglia pagesat apo kushtet janë shumë të mira dhe kanë qenë joshëse për të. Shteti dhe qeveria duhet të marrin shembull nga këto shtete për ligjin e sportit në mënyrë që të mos i lejojnë të largohen, sepse sportistët elitarë kanë ikur vetëm nga kushtet dhe pagesat që kanë shtetet e tjera.

Në rast se vijon që të mos ketë vëmendjen e duhur, a do ishte i drejtë largimi i Izmirit në një shtet tjetër?

Në rast se ndodh kështu, gjë që nuk e besoj, ndoshta edhe ka të drejtë që të largohet. Nuk besoj se do të ndodhë kjo, sepse kam besim që shteti shqiptar do t’i kthejë sytë tek Izmiri dhe të gjithë sportistët e elitës.

Ishte një emocion më i madh që të ngrihej flamuri shqiptar në Beograd?

Patjetër që ishte një ndjenjë më e madhe dhe kishte diçka më shumë që na ngacmonte, sepse flamuri shqiptar u ngrit dy herë radhazi nga Izmiri në Beograd, fillimisht si kampion Ballkani dhe tani si kampion Europe. Besoj se ishte edhe fati me të, edhe Zoti, dhe puna e djersa e madhe nuk u shkuan dëm të gjithëve bashkë.

A ndiheni të plotësuar, apo keni objektiva më të mëdha si prind?

Duhet që të shkojë deri në finalet e Botërorit. Besoj kjo është e mjaftueshme me këto kushte që Izmiri ka për stërvitjen

Ju e cilësuat të vështirë edhe medaljen e arit në Europian, por u fitua. Mund të përsëritet e njëjta histori? Pra, mundësitë janë apo jo?

Do Zoti të ndodhë. Izmiri ka eksperiencën, por edhe fizikisht është mirë dhe nëse vazhdon me këtë gjendje që ka dhe i krijohet mundësia për një stërvitje të mirë, them se mund të arrijë në finale të Botërorit e më pas për të shpresuar edhe për ndonjë medalje.

Momenti i dëmtimit përpara provës së fundit në Europian ishte diçka serioze, mund ta privonte nga rezultati që arriti?

Mund ta privonte në rezultat, por besimi te Zoti dhe te vetvetja bënë që të shpallej kampion i Europës. Ndiejmë krenari të madhe ashtu si të gjithë shqiptarët. Falënderojmë popullin shqiptar për mbështetjen e madhe që na dha pas këtij suksesi. I jemi borxh gjithmonë.

 


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.