Media

Urimi ndryshe për 7 Mars i gazetares së “Gazeta Shqiptare”

21:37 - 07.03.17 gsh.al
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play




Nga moria e të gjithë urimeve që kemi parë sot për festën e mësuesit, ‘Gsh. al’ propozon një urim ndryshe. Gazetarja e “Gazeta Shqiptare”, Trëndafile Visha ka sjellë ashtu si vetëm ajo di, një ‘kartolinë urimi’ për mësuesit. Për të, kjo ditë është më shumë sesa një festë “cliché”. Urimi për prindërit e saj mësues, vjen i rrëfyer mjeshtërisht nga autorja e dy librave.

“PESHORJA” E 7 MARSIT

Mirëmëngjesi, babi! Ç’ke që më shikon vëngër? Ke pritur shumë, ndaj je mërzitur me mua? Epo, nuk është faji im pse koha ikën. Pse jeta është kaq gënjeshtare dhe na degdis larg. Eja verdhacuk e më përqafo. Më shtrëngo fort, fort, Tuc. Po, po, Tuc. Ke harruar?! Kështu të thërrisja me përkëdheli çdo natë, kur bije në gjumë dhe çdo mëngjes kur zgjoheshe. As nuk e mbaj mend nga e gjeta atë fjalë. Nejse, babi. Sot më zgjoi një zile e largët. Shumë zëra të së shkuarës. Fëmijëria dhe adoleshenca ime. Aroma e librave. Nuk e di babush, por atëkohë, ajo aromë të shponte hundën. Mes tingujsh e fytyrash që herë pas here më vijnë pjerrtas, dallova kapërdinën tënde. Dhe bashkëmoshatarët e mi që në kohë acari ti i merrje rrugës. I afroje rreth vetes dhe i mbështillje. Ndërsa, unë ecja pas hapave të tu. Më zgjoi kërcitja e trarëve të shtëpisë në fshat që tani janë harkuar nga vetmia e kanë nisur të kalben. Për një çast të pashë në kuzhinë. Ishe përthyer mbi karrige e shkruaje ditarin. Ndërkohë, haje cigaren në heshtje. Ngjyra e nikotinës mbi gishta reflektonte në ngjyrën e zezë të stilografit. Për një çast të pashë në klasë tek jepje mësim, i qetë dhe i dashur. Dhe unë ulur në një bankë. Atëherë kisha droje. Dhe më dridheshin këmbët, kur më pyesje. Në shkollë, më ngjaje krejt i largët. Nuk ta kam thënë këtë, apo jo? Mbase më mirë kështu. Ndodh që të shkuarën nuk mund ta vëmë në peshore. Ndodh që dhe veten të mos e peshojmë dot. Nuk munda asnjëherë të të dhuroja lule. As ty dhe as mamit. Ndaj një tufë karafilash ju solla sot për 7 Marsin.

Ç’ke verdhacuk, ç’ke? Kë kërkon me sy? Mendoje se do të vija vetëm? Ja pra që gabohesh. E kam marrë dhe shoqen tënde. Pesë hapa larg është dhe ti nuk e sheh? Kaq shumë sytë t’i ka veshur malli? Mami, mami, afrohu moj grua dhe sillja tët shoqi lulet. Dhe çantën e zezë. Kontrollo dhe njëherë me siguri për librat, stilografin dhe ditarin. Sa për ta ditur babush, në ditar kanë mbetur vetëm kolonat e tua sipas stinëve. Dhe pika që ke vënë ti në fjalinë e fundit. Po kështu dhe në ditarin e mamit. Që atëkohë, lumi ka shterur. Dhe zilen e mëngjesit kam shumë kohë pa e dëgjuar. Dhe zërat kanë shtegtuar kushedi se ku. Dhe pylli bëhet gjithnjë e më i verbër. Dhe ti babush, dhe ti mamush, gjithnjë më thoshit mua, motrave dhe vëllezërve të ecnim rrugës drejt. Kur rruga qenka aq e shtrembër. Kur dhe malit, emri i është harruar. Dhe shkumësi, thjesht pluhur i bardhë mbi dërrasën e zezë. Nejse, sot është festë. Është festa juaj. Ju bëtë aq sa mundët. Për ne, fëmijët tuaj. Dhe për shumë fëmijë të tjerë. Kafeja e zezë nuk është për ju që shtruat rrugën, por për ne që e humbëm. Ndjesë, babush. Ndjesë, mamush. Për themelet që ngritët dhe ne i rrëzuam. Për aq sa mundët. Në shenjë mirënjohjeje, por dhe pendimi të thellë ju dhurova karafila. Asnjëherë nuk i dihet! Rruga është e gjatë dhe një ditë do e kapim fillin. Aty ku e latë ju. Për të ecur drejt, mes për mes pyllit.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.