Intervista

Dritan Ylli: S’jam politikan klasik, më pëlqen profili i thjeshtë dhe njerëzor

07:26 - 08.03.17 gsh.al
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play





Nga Enida HIMAJ

 

Fokusi i tij kryesor është marrëdhënia me njerëzit, jo vetëm gjatë periudhës së fushatës, siç ndodh gjithnjë me politikanët shqiptarë, por vazhdimisht. “E pranoj me qejf të më quajnë jashtë klasikes, nëse kjo do të thotë që të mos më krijojë asnjë distancë apo arrogancë në marrëdhënien time me njerëzit”, tregon Dritan Ylli në këtë intervistë për “VIP Pages”. Kreu i Inspektoratit të Punës rrëfen më tej sfidat e tij në një institucion, i cili gjatë tri viteve të fundit numëron shumë arritje, por atë që cilëson si më të rëndësishmen, Ylli thotë se është respektimi i sigurisë në punë. Është ndër të rrallët drejtues që “ka përveshur mëngët”, ka veshur çizmet e punëtorit dhe ka dalë në terren, e sipas Dritan Yllit ky fakt jep vetëm një mesazh, “punën duhet ta duam, por duke mos harruar masat mbrojtëse të shëndetit apo sigurisë që dikton dhe ligji. Baba i dy vajzave të vogla, për politikanin koha e humbur larg familjes nuk mund të rikuperohet. “Vetë koha është e pakthyeshme, por, jeta është ndërtuar e tillë. Unë mundohem të jem sa më i pranishëm në të gjithë mënyrat”, rrëfen më tej politikani, teksa thotë se do kishte dashur të ishte baba edhe i një fëmije të tretë.

 Tri vite në krye të Inspektoratit të Punës, si ka ndryshuar ky institucion nën drejtimin tuaj?

Inspektorati Shtetëror i Punës ka ndryshuar shumë dhe ka ndryshuar për mirë. Por, ajo çka është më e rëndësishme, bashkë me Inspektoratin e Punës ka ndryshuar edhe fokusi kryesor i punës së këtij institucioni, marrëdhënia e punësimit në vendin tonë. Sot kemi një cilësi dhe standard më të lartë në punë, duke pasur një reduktim të ndjeshëm të fenomenit të punës në të zezë, më shumë punonjës me kontrata të rregullta pune, një mjedis më të sigurt dhe të shëndetshëm, shkurt, një punë më të denjë dhe të mirëpaguar për qytetarët. Natyrisht që, kjo është një sfidë që vijon çdo ditë. Por ama sot, Inspektorati i Punës është më i njohur, është më i besueshëm, më transparent dhe është më i pranishëm te puna, duke u rikthyer plotësisht në rolin dhe misionin e tij si mbrojtës i të drejtave legjitime të punonjësve. Nga ana tjetër, është një këshillues dhe informues mjaft i mirë si i punëmarrësve, ashtu dhe punëdhënësve, për të pasur një marrëdhënie punësimi korrekte dhe të ligjshme. Përmes reformave që kemi bërë së bashku me kolegët, sot kemi trupë inspektuese më të aftë profesionalisht, me integritet dhe etikë më të lartë. Nga ana tjetër, sot kemi një institucion që po shkon gjithnjë dhe më shumë drejt informatizimit të shërbimeve, duke vijuar procesin e dixhitalizimit të arkivës së inspektimeve, dhe jemi në fazën-pilot të inspektimeve on-line. Pra, Inspektorati i Punës, besoj se është i pari ndër inspektoratet në vendin tonë, që po shkon me sukses drejt krijimit të një sistemi inspektimi të kompjuterizuar, duke kursyer qindra-mijëra fletë dhe blloqe, dhe, për më tepër, duke krijuar një sistem inspektimi të pandikueshëm nga ndërhyrja njerëzore, për çdo lloj shkaku.

Po Dritanin, sa e ka ndryshuar ky post?

Çdo përvojë pune në jetë, është një shkollë më vete, një mësim më shumë. Unë jam në marrëdhënie pune prej afro 20 vitesh, dhe çdo punë që kam bërë, çdo detyrë që kam kryer, mendoj se më ka pjekur profesionalisht, më ka rritur dhe më ka shtuar përgjegjësinë për të lënë gjurmë pozitive, duke menduar gjithnjë se sa e rëndësishme është puna e mirë, ose jo, për jetët e njerëzve dhe për standardin e zhvillimit të vendit dhe shoqërisë. Të mos harrojmë se puna është jetike për njeriun dhe zë një pjesë të rëndësishme në jetë. Ndaj, më shumë se tri vite në krye të këtij institucioni që ka lidhje me këtë çështje tepër jetike, siç është puna bashkë me gjithë komponentët e saj, kushtet e punës, rregullat e punës, paga etj., ka rritur ndërgjegjen profesionale dhe, natyrisht, edhe atë njerëzore tek unë. Unë nga formimi jam i majtë dhe gjithnjë vë në plan të parë anën sociale në gjithçka që më ndodh dhe që unë bëj. Gjithashtu, më shumë se tri vite në këtë institucion, në përpjekje gjithnjë për krijimin e një mjedisi pune më të sigurt që të parandalojë riskun, më ka mprehur edhe intuitën time në këtë drejtim. Më ka bërë të jem më shumë i kujdesshëm për pasojat që mund të kenë veprimet, apo mosveprimet në raport me sigurinë dhe jetën në tërësi.

Cili ishte vendimi i parë, apo mendimi që patët kur erdhët në këtë institucion?

Siç jua thashë edhe pak më sipër, e kam mirëpritur këtë detyrë kur më është propozuar. Duke qenë se është shumë social si institucion, më joshte ideja që do të mund të ndikoja në përmirësimin e kushteve të punës. Dhe për të realizuar këtë, mendimi i parë që kam pasur, ishte bërja e institucionit të njohur për qytetarët. Përpara më shumë se tri vitesh nuk mund të flitej edhe aq për kushte pune, pasi kishte një informalitet të një niveli shumë të lartë. Në ndërmarrje të ndryshme, mund të gjeje deri dhe në 50-60, apo më shumë punonjës në të zezë, pra që nuk njiheshin fare, jo më pastaj të flisje për kushte pune, apo për të drejta që duhej të kishin këta. Ndaj dhe vendimi i parë, natyrisht ishte ai më prioritare: angazhimi i trupës inspektuese në luftë kundër punës në të zezë.

Tepër të angazhuar ju kemi parë edhe vetë në terren. Si është për një drejtor të një institucioni të rëndësishëm të veshë çizmet dhe të inspektojë vetë punimet?

Të veshësh çizmet njësoj si punëtorët, ka vetëm një mesazh: punën duhet ta duam, por duke mos harruar masat mbrojtëse të shëndetit, apo sigurisë që dikton dhe ligji. Një ndër gjërat me të cilat krenohem nga drejtimi në këtë institucion, është se e kemi çuar inspektimin edhe në skajin më të largët të vendit, apo dhe te “të paprekshmit” deri dje. Unë kam dalë shpesh në sektorë, apo në kompani të ndryshme, jo për të bërë një inspektim të mirëfilltë, sepse kjo nuk i takon një drejtuesi. Por ama kam dashur gjithnjë të jap mesazhin te qytetarët, te punonjësit, që ne jemi pranë tyre, kudo që ata ndodhen. Kam dashur që përmes këtyre vizitave dhe bashkëbisedimit që kam bërë me qindra-mijëra punonjës, nga veriu në jug, kudo ku ka punë, të marr më shumë ankesa për shkelje të të drejtave të tyre. Ne kemi vetëm 120 inspektorë pune në terren, përballë qindra-mijëra sipërmarrjeve që operojnë në vendin tonë. Dhe, duke pasur parasysh një prani të dobët të sindikatave, që nëse do të ishin më të forta do të na e lehtësonin shumë punën, atëherë synimi ynë ka qenë inkurajimi gjithnjë dhe më shumë i punonjësve për t’u ankimuar për çdo shkelje të të drejtave të tyre. Dhe prandaj, herë pas here unë kam qenë në terren së bashku me kolegë të tjerë të Inspektoratit dhe bashkë me trupën inspektuese. Pastaj dhe veshjet nuk kanë qenë thjesht dekor, por mesazh. Nëse kam veshur çizmet, kam dashur të jap një mesazh për këpucët e përshtatshme që duhet të kenë punonjësit në varësi të pozicionit të punës; apo, nëse kam dalë në një kat të lartë të një pallati në ndërtim i lidhur me rripin e sigurimit apo me një kaskë në kokë, mesazhi ka qenë i qartë: pa pasur ato pajisje mbrojtëse individuale, jeta e punonjësit është gjithnjë në rrezik. Pra, jam përpjekur që çdo lëvizje të ketë një mesazh, çdo aktivitet të shërbejë për një informim apo ndërgjegjësim. Më së fundi kemi nisur një nismë, “Informimi dhe ndërgjegjësimi duhet të nisë që nga bankat e shkollës”, duke bashkëbiseduar me nxënës dhe studentë të shkollave profesionale apo universiteteve. Ne presim që në tregun e punës të vijnë sa më shumë punonjës të informuar dhe të ndërgjegjësuar, në radhë të parë për të drejtat që kanë, dhe patjetër edhe për kulturën e ruajtjes së sigurisë dhe shëndetit të tyre në vendet e punës. Jemi gjithnjë në lëvizje, ashtu siç dhe ju keni konstatuar.

Ndodh që njerëzit “ju qajnë hallet” edhe kur nuk jeni në punë?

Patjetër që po! Madje, gjatë këtyre viteve në këtë detyrë, më shumë kam arritur të marr informacionin real nga hallet e njerëzve të njohur, apo dhe të panjohur, që më kontaktojnë në mënyra të ndryshme, takimit fizik, përmes SMS-ve në numrin tim të telefonit, që është mjaft publik, adresës së email-it, faqes sime në “Facebook” etj.. Madje, kjo ka qenë mjaft funksionale, sepse ato halle që m’i kanë qarë mua, janë kthyer në prioritete të ditës sime të punës direkt në të nesërmen dhe në vazhdim.

Ndërkohë, shumë të angazhuar ju shikojmë edhe në politikë, pranë LSI-së; i ka ndezur motorët e fushatës Dritani?

Unë jam pjesë e LSI-së që nga themelimi i saj. Sot jam edhe më shumë i bindur që bëra zgjedhjen e duhur, duke qenë mbështetës i z. Meta që në kohën kur diskutohej si projekt politik. LSI-ja ka sjellë shumë risi në jetën politike të vendit, por dy janë më të rëndësishme. E para, përpjekjet e lidershipit të saj për një politikë për stabilitet dhe integrim, për një frymë pajtuese, siç thoshte i madhi Dritëro, dhe jo për konflikt dhe ndarje. E dyta, qenia e saj gjithnjë pranë qytetarëve, jo vetëm në kohë fushatash, jo vetëm kur ka nevojë për votën e tyre. Ndaj dhe motorët e LSI-së për këto dy prioritete janë gjithnjë të ndezura. Natyrisht që, fuqia e motorëve shtohet në kohë fushate, dhe tashmë kjo ka nisur edhe në atë njësi zgjedhore ku unë jam zgjedhur për ta drejtuar.

Do të jeni pjesë e listave të zgjedhjeve në qershor?

Jam i gatshëm për të qenë dhe do të jetë nder dhe privilegj, por njëkohësisht përgjegjësi dhe punë kudo që do të vendosem, për të kontribuar në një fitore të madhe të LSI-së. Dhe për një përfaqësim sa më të mirë në çdo pozicion apo detyrë që do më ngarkohet nga forumet drejtuese të LSI-së.

Dukeni si një politikan larg klasikes… Në fakt, çfarë profili keni si politikan?

Mundohem të ruaj gjithnjë atë profil të thjeshtë dhe njerëzor, që të mos më krijojë asnjë distancë apo arrogancë në marrëdhënien time me njerëzit, veçanërisht me banorët e zonës të cilën unë kam përgjegjësinë e drejtimit të degës së LSI-së. Por edhe në çdo marrëdhënie tjetër njerëzore në çdo rast… Dhe nëse kjo do të thotë që unë jam “larg klasikes”, atëherë e pranoj me gjithë qejf këtë përcaktim.

A kanë arsye sot shqiptarët t’i besojnë politikës?

Besoj se duhet të bëjmë një lloj diferencimi për t’iu përgjigjur saktë kësaj pyetjeje. Shqiptarët nuk kanë arsye t’i besojnë më politikës që do të guxojë të marrë vendime arrogante, apo në dëm të interesave të qytetarëve. Por, shqiptarët kanë dhe duhet të kenë arsye, sot më shumë se kurrë, t’i besojnë më shumë asaj politike që do të sjellë më shumë të rinj të shkolluar, profesionistë të punës së ndershme, atyre politikanëve që kanë energji pozitive për të bërë punë që sjellin më shumë mirëqenie dhe zhvillim për vendin, dhe jo për ta përdorur politikën si fasadë për interesat e një grupi të caktuar. Jam i bindur që qytetarët do të dinë ta bëjnë vlerësimin e duhur, për t’i dhënë notën që i takon secilës forcë politike apo cilitdo politikani.

Kur zhvishni kostumin e zyrtarit, kush është Dritani; pasionet, koha e lirë?

Përkushtimi ndaj familjes, leximit dhe sportit. Edhe pse do të doja të shpenzoja më shumë kohë, sidomos me familjen, në kohën e lirë jam në funksion të këtyre prioriteteve.

Si e rikuperoni kohën e humbur me familjen?

Koha për t’iu përkushtuar familjes është gjithnjë e munguar. Kjo është mungesë e parikuperueshme, sepse vetë koha është e pakthyeshme. Por, jeta është ndërtuar e tillë. Unë mundohem të jem sa më i pranishëm në të gjitha mënyrat dhe të jem sa më shumë aktiv kur jam me ta.

Baba i dy vajzave, a keni peng që nuk keni një djalë?

Jam shumë i lumtur me familjen time si baba i dy vajzave. Por – natyrisht që pa asnjë lloj pengu – do të isha edhe më i lumtur po të kisha edhe një të tretë.

 

Për të marrë lajmet e fundit të “Gazeta Shqiptare”, ndiq faqen tonë në Facebook.

 

 


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.