OPINION

Shoqëri që po prodhon vrasës në moshë të mitur

06:20 - 13.03.17 gsh.al
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Nga Zoje Jakaj (XHOI)




– Kronikat e fundit të lajmeve, faqe e parë a e fundit e gazetave, portalet online, deklarimet e policisë gjatë kohëve të fundit flasin për një numër të madh krimesh (si vrasja) që po kryhen nga të mitur e adoleshentë. Statistikat e shumta të Policisë së Shtetit tregojnë shifra alarmante të të rinjve që kryejnë krimin e vrasjes. Rritja e numrit të të rinjve që përfshihen në konflikte të tilla me ligjin, të cilët fatkeqësisht tashmë janë kthyer në “vrasës gjakftohtë”, vihet re edhe në përsëritjen e vrasjeve të të njëjtit lloj. Përballë një fakti të tillë të gjithë bëjnë pyetjen: “Pse po kryejnë vrasje fëmijët tanë?”. Kjo pyetje nuk mund të marrë një përgjigje të thjeshtë. I gjithë fenomeni është kompleks dhe shpjegimi i tij është edhe më i vështirë. Lë të ndalemi për një moment e të shpjegojmë se cilët janë faktorët kryesorë që e bëjnë një të ri vrasës gjakftohtë. 1. Ambienti social – “formatimi”: Vendi ynë prej gati 27 vjetësh ndodhet ende në tranzicion, një tranzicion aq i gjatë saqë është bërë kaotik e rraskapitës për të gjithë. Teksa të gjithë e kanë përqendruar vëmendjen në respektimin e të drejtave të njeriut (të fëmijëve në veçanti), demokratizimit, liberalizmit dhe në ofrimin e asaj çka sistemi i mëparshëm nuk ia lejoi/mundësoi brezit të prindërve të sotëm, një pjesë e rëndësishme e normave të domosdoshme për mirëfunksionimin e shoqërisë janë lënë në harresë, ose janë “hedhur tej” si dekadencë e viteve të shkuara. Teksa të gjithë përqendrohen në “mirëfunksionimin” e qeverisjes politike edhe fëmijët, në një mënyrë a një tjetër janë lënë në harresë – në atë harresë ku nuk u kushtohet vëmendje miqve e shokëve të tyre, mbarëvajtjes së tyre në shkollë, orëve të gjata të shpenzuara nëpër kafenetë e shumta e aq më pak vëmendje i kushtohet kulturës aq degraduese që ata manifestojnë çdo ditë. 2. Dhuna në familje: Shoqëria shqiptare kërkon që çdo familje të ketë një baba autoritar e të ftohtë për të mbajtur “frerët” e shtëpisë në dorë. Një baba që jashtë dyerve të shtëpisë është një njeri me sjellje më të pëlqyeshme, i respektueshëm nga të gjithë, por që brenda dyerve rri e konsumon alkool në vend të ujit, fyen (e madje edhe godet) bashkëshorten e tij në sy të fëmijëve, e kur kjo e fundit e konsideron normale këtë sjellje, burri i saj fillon e bën të njëjtën gjë edhe me fëmijët e tyre. Në këtë moment gjithçka është kthyer përmbys. Pasojat e një “stili” të tillë jetese rrënjosin ndenja negative në psikologjinë e fëmijës dhe çorientojnë formimin e personalitetit të tij. 3. Mungesë e theksuar shkollimi në familje dhe pamundësi të zhvillimit të inteligjencës pozitive: Rendja pas parasë e të mirave materiale e ka lënë në hije rëndësinë e arritjes së tyre nëpërmjet “punës së ndershme” siç ne shqiptarët quajmë çdo punë që arrihet nëpërmjet arritjes së një formimi të caktuar, nëpërmjet edukimit e zhvillimit të intelektit. Në një mjedis të tillë inteligjenca pozitive nuk njihet aspak si koncept (në fakt, një pjesë e mirë e shoqërisë sonë e di fare mirë se çfarë mund të quhet inteligjencë negative). 4. Abuzimi seksual: Të qenurit i abuzuar seksualisht në fëmijëri nga një i njohur, familjar, apo në ndonjë institucion tjetër ku ka kaluar fëmijërinë (fondacion apo qendër e përkujdesjes rezidenciale) ndryshon tërësisht rrjedhën normale të jetës për një fëmijë. Fatkeqësisht në shumicën e rasteve e kthen këtë fëmijë në një abuzues, dhunues, përdhunues e vrasës në të ardhmen. 5. Gjakmarrja: Histori të dhimbshme gjakmarrjeje vendi ynë ka shumë. Më i dhimbshëm është fakti se familjarë të prekur nga ky fenomen i imponojnë një të mituri ndjesinë dhe detyrimin e përdorimit të armëve dhe të marrjes së gjakut. Shpesh kjo kategori të miturish kthehet në vrasës të pandërgjegjshëm. 6. Varfëria: Varfëria e tejskajshme po i orienton drejt vjedhjeve e grabitjes të miturit e adoleshentët, të cilët herët a vonë do të shndërrohen në vrasës. Lakmia për të fituar sa më shumë pa u munduar të punojnë do të sofistikojë grabitjet e tyre e do t’i detyrojë edhe të vrasin pa u menduar. 7. Përdorimi i drogave të ndryshme: Është bërë e zakonshme që të dëgjosh edhe fëmijë 12-vjeçarë, të cilët me krenari thonë se kanë provuar hashash. Në një kohë ku çdo drogë e mundshme qarkullon pa më të voglin problem e ku një pjesë e mirë e “shitësve të pakicës” janë të mitur, sigurisht që do t’i çojë këta fëmijë edhe në rrugën e vrasjes, qoftë për një “pazar të keq”, qoftë për të siguruar drogë për përdorim, qoftë për të “ngjitur” shkallët e karrierës kriminale. 8. Trashëgimia gjenetike: Shumë njerëz mund edhe të mos e pranojnë si faktor gjenetikën për sjelljet kriminale, por është e vërtetë se genet e këqija të zhvilluara si pasojë e ndërthurjes së pemës gjenealogjike e faktorëve të tjerë biologjikë me faktorët socialë e mjedisorë prodhojnë vrasës e në rastin fatkeq që në fëmijëri. 9. Koncepti i “respektit”: Përgjatë viteve koncepti i “respektit” ka evoluar në kulturën e të rinjve. Respekti në psikologjinë e tyre arrihet nëpërmjet konkurrencës me njëri-tjetrin dhe zhvillimi i psikozës së të fortit ndërton modele të pamposhturish në inkoshiencën e tyre. Ideja se “respekti” është një pronë, një e drejtë ose një “ofertë” e kushtëzuar i ka shtyrë të miturit të vrasin për të mbrojtur një ndjenjë të nderit, që kurrë nuk mundën ta fitonin ose meritonin. 10. Zbatimi i dobët i ligjit dhe pamjaftueshmëria e qendrave rehabilituese për minorenët që përfshihen në përdorimin e dhunës, vjedhjes, konsumimit të hashashit apo drogave të tjera, që vitet e fundit janë shtuar ndjeshëm.  Dhuna e çfarëdo forme gjatë rritjes së fëmijëve indukton në mënyrë të pandërgjegjshme mungesë tolerance ndaj të tjerëve, krijon një tendencë të vazhdueshme të fajësimit të çdokujt që ka marrëdhënie me ta për dështimet e tyre dhe rrit shkallën e mospranimit së të vërtetës apo paaftësisë për të pranuar fajin. Tiparet psikologjike të zhvilluara te një vrasës dhe si i rritet brenda tij kjo dëshirë: Sipas psikologëve dhe sociologjisë së devijancës, ambienti që i rrethon personat e prirur për t’u shndërruar në vrasës u dikton atyre në të shumtën e rasteve një shpërfytyrim të pamjes vizive që manifestohet me gjymtyrë më të zhvilluar, kryesisht krahë dhe shpatulla, të cilat shpeshherë kanë tendencën t’i zhvillojnë në mënyrë natyrale ose duke përdorur hormone për të zhvilluar sa më shumë muskulaturën). Ky ndryshim fizik u jep një lloj sigurie në vetvete dhe u rrit vazhdimisht dëshirën për të qenë në qendër të vëmendjes, ose ndonjëherë ndodh edhe e kundërta e kësaj – tipa shumë të padukshëm, jo shumë të zhvilluar dhe të heshtur në familje e në shoqëri, (ku kjo e fundit më së shumti është faktori kryesor që i prodhon kohë pas kohe dhe pastaj paguan koston e prodhimit të tyre) në mënyrë krejt të papritur kryejnë vrasje të paimagjinueshme. Cilët janë faktorët që nxisin të rinjtë të shndërrohen në vrasës gjakftohtë dhe shpeshherë në vrasës serialë? “Vrasja nuk kryhet nga një individ normal dhe me mendje të kthjellët” pohojnë kriminologët por, gjithnjë ka disa arsye objektive ose subjektive, të cilat krijojnë mundësi që ky i ri të kthehet në vrasës. 1. Diçka ka ndikuar kaq shumë në gjykimin e tyre sa që ata kanë premisën të bëjnë gjëra për të lënduar të tjerët në çdo moment. Mjafton të jetë një situatë e përjetuar keq (një situatë jashtë normales për ta) në fëmijëri apo një zhgënjim i papritur. 2. Një rast i cili i çon drejt “rrugës” së vrasjes është prishja e jetës familjare, prishja e modelit të tyre për familjen. 3. Dhuna që ushtron njëri prind ndaj tjetrit (ajo fizike, verbale e seksuale që në disa raste mund të ushtrohet edhe mbi fëmijën). 4. Paaftësia e prindit për të dalluar problemet psikologjike te fëmija i tij dhe për ta kuruar në kohë. “Të shkosh tek psikologu nuk do të thotë se je i çmendur”! 5. Mungesë e komunikimit me djemtë në adoleshencë dhe një liri e tepruar pa kontroll. 6. Fëmijë të heshtur dhe pa premisa për një jetë shoqërore, të mënjanuar nga shoqëria, shkolla dhe mbyllja e tyre në vetvete. Kjo zhvillon tek ky grup fëmijësh një situatë imagjinare, ku vetë këta fëmijë hakmerren ndaj të gjithëve për poshtërimin që u është bërë dhe ushqimi pafund i kësaj fantazie i shtyn drejt realizimit të saj. 7. Adoleshentë që fillojnë në moshë të vogël drogën dhe si pasojë e kësaj varësie kthehen në vrasës. 8. Djem që rriten pa kujdesin e babait si shkak i një divorci dhe janë të pafuqishme nënat e tyre t’i mbajnë nën kontroll gjatë adoleshencës – nga hajdutë të vegjël, kthehen në vrasës të mëdhenj. 9. Fëmijë të ftohtë në përgjithësi dhe jo emocionalë – kjo e bën më të lehtë veprimin e tyre për të kryer një krim edhe ndaj njerëzve që i rrethojnë pa brejtje ndërgjegjeje, përkundrazi i fajësojnë viktimat e tyre për atë çka ata janë shndërruar e kanë kryer. 10. Fëmijët e abuzuar që të vegjël seksualisht, janë “pre e lehtë” e një pedofili në lagje, në rrethin familjar apo në një institucion të caktuar e për më tepër, ku pamundësia për ta rrëfyer dramën e tyre u ofron si çlirim të vetëm vrasjen dhunuesve të tyre apo edhe njerëzve të pafajshëm. Vendi ynë duhet t’u bjerë kambanave pa pushim derisa edhe veshi më i shurdhët të dëgjojë! Mosha mesatare e vrasësve në Shqipëri ka një trend të ri – është mosha 22-28 vjeç, që përkon deri diku me lindjen e tyre në vitet e postdiktaturës, pra në vitet e demokracisë, nëse mund ta konsiderojmë të tillë. Historitë e hajdutëve dhe përdhunuesve janë edhe më të vegjël se kaq. Nga të gjitha teoritë e spekulimet pse të rriturit kryejnë krime, ne perfeksionuam edhe më të vegjlit. Me pak përjashtime, çdo adoleshent është i vetëdijshëm se çfarë bëri është e gabuar! Ndaj çfarë po ndodh me adoleshentët është evidente, është para syve tanë çdo ditë. Ajo çka duhet është zbatimi emergjent i zgjedhjeve të duhura (sepse të jemi realistë, zgjedhje e zgjidhje të duhura ka e po thuhen nga specialistë të fushës, por askush nuk po merret me zbatimin e tyre) nga institucionet shtetërore e private, ato arsimore e riedukuese. Hapja e qendrave për riedukim dhe e shkollave përkatëse për kategoritë e adoleshentëve të dhunshëm nuk do ta çojë vendin tonë në regres, përkundrazi do ta bëjë atë më të sigurt e do ta ndihmojë në integrimin e tij e përshpejtimin e demokratizimit, mbi të gjitha do të shpëtojë të ardhmen. Dhuna e përhapur te të rinjtë është jashtë çdo lloj perceptimi e kontrolli dhe ju siguroj se do të shohim në mënyrë të vazhdueshme modele të frikshme për fëmijët të bëra publike në kronikën e zezë të televizioneve e në rrjetet sociale. Jemi në alarm për botën e të rinjve, që kahja e tyre shpesh imponohet nga përditshmëria në këtë vend.
* Pedagoge & Drejtuese e IEVP
“Ali Demi” Tiranë


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.