Serbia më 2 prill do të dalë në votime, për të zgjedhur pasardhësin e presidentit Tomislav Nikoliç. Këto zgjedhje janë paralajmëruar se do të mbahen edhe në Kosovë, sikur që janë mbajtur deri tani me vendvotime në qendrat e banuara me serbë. Kështu, Komisioni Zgjedhor i Serbisë ka marrë vendim që në zgjedhjet presidenciale të 2 prillit t’i hapë 90 për qind të vendvotimeve në Kosovë.
“Në mbledhjen mbajtur dje është marrë vendim që në zgjedhjet e planifikuara për datën 2 prill ku do të votohet për presidentin e Serbisë, të mund të votohet në 90 për qind të territorit të Krahinës Autonome të Kosovës dhe Metohisë”, – thuhet në vendimin e Komisionit Zgjedhor. Po ashtu, në këtë mbledhje është vendosur që jashtë shtetit të Serbisë të hapen 53 pika votimi, në 32 vende, transmeton Klan Kosova.