OPINION

Përtej kornizës së politikës

06:30 - 14.03.17 gsh.al
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Nga Niko PELESHI




– Politika në park. Para pak kohësh, në Parkun Rinia të qytetit, takova Vason, një mik që shëtit shpesh në park. E pyeta se ç’mendojnë njerëzit për parkun, që në fakt, është një nga projektet pothuaj të pakontestuara të viteve të fundit. Ai më tregoi për frekuentuesit e shumtë të parkut të rikonstruktuar, por edhe për një pjesë njerëzish që e ndjejnë për “detyrë partie” të mos e pëlqejnë parkun. “Nuk më shqetëson mendimi i tyre, – më tha Vasoja, – sepse tani parku ka përfunduar dhe askush nuk e zhbën dot më, por më vjen keq që këta njerëz nuk gëzohen dot njëlloj si unë”.

Duket si një bisedë normale që e bëjmë shpesh në rrethana të ngjashme gjithandej, në kafe, në rrugë, në zyrë, në dyqan, në parukeri, në taksi, gjithandej.

Por ka një dramë brenda. Është drama e ndarjes së thellë të shoqërisë sonë. Dhe këtu nuk e kam fjalën për mendimet apo shijet estetike individuale, të cilat as nuk janë dhe as nuk ka pse të jenë të njëjta, as për mendimet cinike për shkaqe karakteriale. Përkundrazi! E kam fjalën për influencën e fortë të politikës që shpesh atrofizon mendimin e lirë dhe kritik dhe e zëvendëson me një kod robotik të programuar nga krahu politik, të cilit i përket. Në fakt, është partizanizmi më shumë sesa politika, që ka hyrë aq thellë në çdo qoshe të mendjes njerëzore sa duket si e natyrshme që dy qytetarë të përkatësive të ndryshme politike, duhet të kenë patjetër mendime të ndryshme për vetingun e gjyqtarëve, por edhe për kullën panoramike të Korçës, për taksat, por edhe për parkun, për reformën e arsimit të lartë, por edhe për pedonalen e qytetit, për bibliotekën e re, por edhe për pazarin e vjetër. Dhe, natyrisht, për këtë nuk e kanë fajin qytetarët, por lufta politike dhe mungesa e pjekurisë sonë si politikanë. Fajtore jemi të gjithë ne. Ai, ajo dhe unë. Unë dhe çdo politikan në pushtet apo opozitë duhej të kishim bërë më shumë për të zbutur ndasitë sociale të prodhuara nga politika, duke gjetur forca të veçojmë nga fusha e betejës politike disa projekte, programe apo reforma, që janë të domosdoshme dhe nuk duhet të pengohen. Drejtësia, legalizimet, pronat apo formalizimi i ekonomisë p.sh., nuk mund të vonohen më. Ato nuk mund të zgjidhen duke i qasur elektoralisht. Beteja politike duhet të ketë kornizën e vet. Jashtë kësaj kornize duhet të lihen interesat afatgjata të vendit dhe disa çështje të tjera të jetës komunitare që qytetet duhet t’i mbajnë si pjesë e debatit qytetar jopolitik. Por ne nuk kemi kursyer as çështjet shumë të mëdha, as çështjet shumë të vogla. Duke luftuar për çdo çështje, duke mos pranuar asnjë ide të kundërshtarit, ne kemi ndërtuar dita-ditës modelin e një shoqërie të ndarë dhe kulturën e mosbashkëpunimit.

Korça dhe Shqipëria

Para pak ditësh isha në një takim të gjerë me studentë e pedagogë të Universitetit Fan S. Noli. Kryetari i bashkisë prezantoi disa projekte zhvillimi dhe ftoi në partneritet universitetin për të zhvilluar së bashku projekt-idetë për Korçën.

Nuk ka shqiptar që ka vizituar Korçën dhe nuk mbushet me optimizëm se me punë dhe fuqi krijuese, Shqipëria mund të bëhet një vend normal, me standarde bashkëkohore.

Bashkia Korçë ka zgjidhur problemet e infrastrukturës nëntokësore, ka ndërtuar parqe dhe lulishte, ka kryer restaurimin më të rëndësishëm në historinë e këtyre 25 vjetëve, pazarin e vjetër, ka ndërtuar terrene moderne sportive, dhe tani po finalizon projektin e Parkut Olimpik në një sipërfaqe prej 200 mijë metrash katrorë (më i madhi në rajon), ka ndërtuar rreth 25 mijë metra katrorë hapësirë këmbësore në qendër, ka ndërtuar Muzeun e Artit Mesjetar që për pak muaj ka hyrë në faqet e shumë revistave dhe portaleve botërore të arkitekturës, deri te portali më i madh në botë “Archdaily”, që e nominoi për çmimin “Ndërtesa e vitit 2017”, po ndërton Qytetin unikal të Fëmijëve mbi një gërmadhë të një projekti të braktisur para 30 vjetëve, po rindërton teatrin “A. Z. Çajupi”, sipas projektit të arkitektit Peter Wilson, i cili është arkitekti i teatrit të mirënjohur “Luxor”, të Roterdamit. Ka edhe shumë projekte të tjera në zbatim.

Por, ashtu si një kompjuter që ka nevojë edhe për software-in që të funksionojë, edhe një qytet ka nevojë për jetën dhe organizimin komunitar.

Në këtë kontekst e pashë unë ftesën e bashkisë drejtuar studentëve dhe pedagogëve të universitetit, për ta rimenduar së bashku projektin e Korçës (ReThink Korca).

Projekti i bashkisë së re, që sapo ka filluar, me konceptin e zyrave të hapura, nuk ka nevojë vetëm për ndërtesën e re, por edhe për kulturën e re të punës së nëpunësve dhe ndërgjegjësimin qytetar për të kërkuar më shumë transparencë dhe standard në shërbim.

Biblioteka e re e sapofilluar, nuk ka nevojë vetëm për arkitekturën moderne të përshtatur bukur me qytetin, të Peter Wilson-it, por edhe për stilin modern të të jetuarit nga të rinjtë. Ky stil dhe kjo kulturë nuk mund të ndërtohet pa një bashkëpunim të ngushtë me universitetin.

Terrenet sportive do të degradojnë (disa prej tyre kanë filluar tashmë) nëse nuk ka interes nga të rinjtë për t’u përdorur. Është një sfidë e madhe për qytetin Qendra e Fëmijëve. Ndonëse unë nuk kam parë një qendër më të madhe se kjo në rajon, ajo përsëri është e vogël nëse do të mund të gjallërojmë jetën e fëmijëve dhe harmonizojmë programin mësimor me programet e shkollës komunitare. Por mund të mbetet e zbrazët dhe e stërmadhe nëse askush nuk i paraprin me një punë të madhe në bashkëpunim me shkollat dhe prindërit.

Pra, Korça ka ndërtuar infrastrukturën, por i duhet softi për ta vënë atë në funksion.

Tani Korçës i takon detyra e gjetjes së rrugëve të reja, inovative për të ndërtuar komunitete të çliruara nga cinizmi dhe politika e padobishme dhe të stërvitura për të hyrë si të barabartë në familjen europiane.

Para pak ditësh kremtuam 130-vjetorin e Mësonjëtores së Parë Shqipe. Atje kujtuam vargjet që korçarin e mbushin plot krenari: Lumja ti, o Korçë o lule, që i le pas shoqet e tua.

Kohët kanë ndryshuar dhe bashkë me to edhe problemet, por historia duket sikur sot mund të përsëritet në një formë tjetër. Nëse një grup qytetarësh do të arrijnë të inspirohen nga puna e përbashkët për transformimin e qytetit, atëherë do të ndihet një forcë e re, forca e komunitetit si një muskul zhvillimi. Kjo do të ishte bërthama e një kulture të re që e shikon politiken si një instrument për të prodhuar muzikën, jo si muzikën e vetme për t’u dëgjuar.

Iniciativa si këto e bëjnë edhe politikën tonë më të mirë.

Ka një shembull modest në Korçë që e ilustron këtë. Shoqata e bizneseve të zonës pedonale është bërë një model i punës së frymëzuar nga interesi i përbashkët. Në atë organizim të vogël nuk ka parti, nuk ka politikë, por ka interesim të përbashkët për të gjallëruar dhe bërë më interesante për qytetarët dhe vizitorët, qendrën e qytetit. Ata e hoqën zonën pedonale nga debati politik duke u bërë vetë protagonistë.

Fitimi apo kënaqësia personale nuk vjen vetëm nga puna për parcelën tënde të interesit. Kjo është e thjeshtë të thuhet, por e vështirë të zbatohet këtu në Shqipërinë tonë, ku e përbashkëta për shumë vite u keqkuptua dhe injorua si nocion komunist.

Kur jeta komunitare është e varfër, politikës i mbetet monopoli i përcaktimit të temave të debatit qytetar, që nga kafja e mëngjesit, e deri te debatet televizive. Veçse shpirti i organizimeve për çështje më të mëdha se hallet vetjake buron nga narrativja e shoqërisë. Kësaj kohe i mungon shpirti dhe narrativja e gjithëpranuar për të nesërmen. Nëse Korça e gjen narrativen dhe e zgjon shpirtin, atëherë shqiptarët do t’ia kenë përjetë hua.

Një qytet nuk është bashkësia e njerëzve që e përbëjnë, por është një shpirt, një ndërgjegje, një princip i gjallë, një ide e gjallë. Kur ekziston SHPIRTI, IDEALI, gjithçka është e mundur. Popujt kanë fituar lirinë duke sakrifikuar jetë njerëzish, sepse kanë pasur një ideal. Ndërkohë një popull, një vend, një qytet, ka humbur beteja qesharake kur ka munguar SHPIRTI. Brezi im përmbysi diktaturën, sepse shpresoi te Europa, por e ndoti me plehra dhe e shëmtoi këtë truall, sepse nuk besoi te Shqipëria. Konica ka të drejtë kur thotë: “Nevojitet t’i japim shpirt kombit shqiptar. Ky është problemi më i madh i shqiptarëve”. Ishte dashuria dhe pasioni që rizgjuan Korçën në vitet e fundit.

Korça moderne nuk është një projekt i madh, por është një projekt i fuqishëm, sepse ka potencialin të jetë guri që krijon valën për t’u përhapur në të gjithë Shqipërinë. Korça është e vogël në gjeografi, por e madhe në ndjenjë. Çdo shqiptar sot merr shpresë nga Korça. Shpresa është ndjenja që do të përhapet gjithandej për të prodhuar idetë transformuese të qyteteve shqiptare të post-tranzicionit. Korça ka potencialin të jetë laboratori i zhvillimit.

Ndaj investimi për Korçën, është investim për Shqipërinë.

Shqipëria europiane do të vijë kur gjithsecili ta vendosë qytetin apo zonën e vet në qendër të Shqipërisë dhe të punojë për të ndërtuar atje një copë Europë. Valët e përhapura nga çdo qytet do të shpëlajnë të vjetrën dhe do të sjellin të renë.

Dy fjalë për cinikët

Kritizerët dhe cinikët janë treguesi i diçkaje të re që po ndodh. Lëvizja prish gjumin e dembelëve dhe kënaqësinë nga kotësia e të paaftëve. Në rrugën e ndryshimit ndeshen të gjithë. Ajo është plot gurë e guralecë, por një rrugë e shtruar nuk është më një rrugë e re, por është e vjetra rrugë që po vjetrohet me shpejtësi, siç thotë Bob Dylan në disa vargje të këngës “Në këto kohë në ndryshim”:

E vjetra rruga juaj/ Më e vjetër po bëhet me shpejtësi/ Nëse nuk e ndihmoni dot/ qëndrojini larg kësaj rruge të re/ Në këtë kohë në ndryshim…

 

 

 


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.