EKONOMI

Parlamenti fal borxhet e makinave, Ahmetaj: Fitojnë 220 mijë qytetarë

08:31 - 31.03.17 gsh.al
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play




Ornela MANJANI

Miratohet në Kuvend ligji për faljen, ku përfshihet heqja nga qarkullimi dhe çregjistrimi i mjeteve të transportit për të cilat nuk është kryer asnjë veprim deri në dhjetor 2011, si dhe shuarja e çdo lloj detyrimi për këto mjete. Për mjetet e transportit që nuk hiqen nga qarkullimi, parashikohet shuarja e detyrimeve tatimore për periudhat 2010 dhe më parë dhe fshirja e gjobave dhe kamatëvonesave për periudhën 2011-2014, me kusht pagesat e detyrimeve të 2011-ës e në vijim, pra vazhdon i njëjti parim për periudhën. Efekti financiar është 11.9 miliardë lekë, çka do të thotë se kjo është vlera në para që u falet pronarëve të mjeteve.

Falja e detyrimeve

Rreth 100 mijë pronarë mjetesh do të përfitojnë falje të plotë ose të pjesshme të detyrimeve që kanë pa paguar për mjetet e tyre. Përfituesit janë ndarë në dy kategori. E para është për pronarët e mjeteve, të cilët prej vitit 2000 deri në 2011-ën nuk kanë paguar asnjë taksë për mjetin dhe makinat e tyre duan t’i nxjerrin nga qarkullimi. Pronarët e këtyre makinave do të përfitojnë falje të të gjitha detyrimeve, d.m.th. të taksave, gjobave dhe kamatave, por duhet që brenda gjashtë muajve nga hyrja në fuqi e faljes t’i drejtohen Drejtorisë së Përgjithshme të Transportit Rrugor për çregjistrimin dhe nxjerrjen nga qarkullimi të mjetit. Ndërsa, pronarët e makinave që për të njëjtën periudhë, nga viti 2000 deri në dhjetor të vitit 2011, nuk kanë paguar taksat dhe duan të mbajnë në qarkullim mjetin, duhet të paguajnë vetëm taksat për të gjithë periudhën dhe përfitojnë falje të kamatave. Skema është bërë e ditur nga burime zyrtare pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Shërbimit të Transportit Rrugor, të cilat bëjnë të ditura që janë një pjesë e konsiderueshme mjetet që nuk kanë përfituar nga amnistia e vitit 2009 pasi pronarët e tyre nuk kanë aplikuar. Sipas të njëjtave burime, makinat që kanë detyrime për taksat dhe gjobat pas janarit 2012, do të përfitojnë falje të gjobave vetëm në rast se kryhet pagesa e detyrimeve tatimore.

Çregjistrimi

Burime zyrtare nga Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimit të Transportit Rrugor bëjnë të ditur se do të çregjistrohen të gjitha mjetet që nuk kanë kryer asnjë veprim me këto mjete pas periudhës 31 dhjetor 2011. Çregjistrimi i mjeteve bëhet pa paguar detyrimet e prapambetura, si, taksën e regjistrimit të përvitshëm të mjeteve dhe taksën vjetore të qarkullimit rrugor, taksën vjetore të mjeteve të përdorura, taksën e mjeteve luksoze, si dhe gjobat e llogaritura për efekt të mospagimit të taksave. Të njëjtat burime bëjnë të ditur se pronarëve të makinave që paraqiten dhe kërkojnë moskryerjen e procedurës së çregjistrimit të mjetit dhe mbajtjen aktiv të tij, u falen detyrimet tatimore për periudhat përpara dhjetorit 2011 dhe duhet të kryejnë pagesat e të gjitha detyrimeve, që u përkasin periudhave pas janarit 2012 dhe u falen gjobat për këtë periudhë. Sipas draftit, personave të cilët paraqiten dhe kërkojnë moskryerjen e procedurës së heqjes nga qarkullimi të mjetit ose mbajtjen aktiv të tij, u fshihen detyrimet tatimore për periudhat dhjetor 2010 e më parë, me kusht që të paguajnë detyrimet për periudhën janar 2011 e në vijim, me përjashtim të gjobave dhe kamatëvonesave të periudhës janar 2011 deri në dhjetor 2014, të cilat fshihen. “Nëse brenda 6 muajve nga data e hyrjes në fuqi të këtij ligji, personat e interesuar nuk paraqiten për të kërkuar mbajtjen aktiv të mjetit, DPSHTRR-ja do të kryejë pa pagesë, heqjen nga qarkullimi të mjetit dhe fshirjen e detyrimeve tatimore të tij”, thuhet në projektligjin e Ministrisë së Financave.

Ahmetaj: Nga ligji i faljes, përfitojnë mbi 220 mijë qytetarë

Miratimi i ligjit të faljes dje në parlament shpëton nga gjobat dhe kamatëvonesat 220 mijë qytetarë”. Kështu është shprehur pas miratimit në parlament të ligjit të faljes së detyrimeve të papaguara, ministri i Financave, Arben Ahmetaj, ku ndër të tjera ai tha se kjo shumicë ka interes për të përmirësuar klimën e biznesit. “Shumica është gjithnjë e interesuar për të përmirësuar klimën e biznesit dhe të thjeshtojë procedurat tatimore. Jemi pro zbatimit të ligjeve fiskale. Ligji që sapo kaloi në parlament mori mbi 80 vota pro dhe është një rikonfirmim i fuqishëm i shumicës që sipërmarrjes t’i fshihen borxhet dhe detyrimet e papaguara. Janë gati 30 miliardë lekë që fshihen detyrime pa kushte për sipërmarrjen. Nga 1 janari 2011 deri në 31 dhjetor 2014 ka fshirje me kusht pagesën e pjesshme. 90 mijë individëve iu falen gjobat prej 10 mijë lekësh. Nga ky ligj përfitojnë mbi 220 mijë qytetarë. Falja nuk ka implikime penale”, – u shpreh ai. Sipas ministrit, totali i borxhit i mbledhur që nga viti 1995 është 191 miliardë lekë. “Ndihmon klasën e mesme, ndihmon qytetarin tatimpagues. Mos harro që, po votove për këtë ligj, ke votuar për ata 90 mijë veta që u gjobitën në qershor të 2016-ës. Mos harro që, janë 120 mijë qytetarë që përfitojnë nga fshirja e detyrimit, për shkak të regjistrimit të mjeteve. Mos harro që, ka shumë sipërmarrje që përfitojnë nga kjo dhe nisin një jetë të re ekonomike në formalizim. Falja me kusht, fshirja me kusht, në potencë sjell para në buxhetin e shtetit. Po e shpjegoj fare qartë dhe fare thjesht: n.q.se ke 100 lekë principal e 50 lekë gjobë e 50 lekë kamatëvonesa, parimi është paguaj 100, të të fshihet 50 dhe 50-ta tjetër. E pra, këto 100 që ti paguan, shkojnë në buxhetin e shtetit”, – tha dje në parlament ministri i Financave.

Entet shtetërore

Nisur nga situata e detyrimeve të akumuluara ndërmjet operatorëve të sektorit elektro-energjetik me kapital 100% shtetëror, sektorit të ujësjellës-kanalizime si dhe nga ndërhyrjet e administratës tatimore nëpërmjet vlerësimeve në vitet e kaluara, projektligji ka parashikuar që për këta operatorë, të fshihen edhe detyrimet tatimore të papaguara, përjashtuar kontributet e sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore si dhe detyrimet e vetëdeklaruara nga këta operatorë, dhe që u përkasin periudhave janar 2011-dhjetor 2013. Ndërkohë, për këta operatorë, për periudhën janar 2014-dhjetor 2014 do të aplikohet fshirja e gjobave dhe kamatëvonesave, me kusht pagesën, brenda 6 muajve nga hyrja në fuqi e ligjit, e tatimit/taksës/tarifës/kontributit. Shuhen efektet tatimore për detyrime të papaguara të regjistruara ose jo, apo në proces kontrolli, si pasojë e lëshimit jo brenda së njëjtës periudhë tatimore të kryerjes së furnizimit, të dokumentit që vërteton përjashtimin nga TVSH-ja, ose si pasojë e moslëshimit të këtij vërtetimi, me kusht që në çdo rast aplikimi pranë Agjencisë Kombëtare të Burimeve Natyrore të jetë paraqitur deri më 31.12.2014. Fshihen nga regjistrat detyrimet e pagueshme në Doganë sipas kuptimit të pikës 2, të nenit 2 të këtij ligji, të evidentuara në administratën doganore, për TVSH-në e shtyrë dhe të papaguar për makineritë dhe pajisjet, importimi i të cilave është përjashtuar nga tatimi mbi vlerën e shtuar, sipas listës përkatëse në fuqi deri në datën 31.12.2016.

 

 

 

 


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.