![GSH APP](https://gazetashqiptare.al/wp-content/uploads/2022/04/gshok.jpg)
![Download on Apple Store](https://balkanweb.com/wp-content/uploads/2019/01/ios.jpg)
![Get it on Google Play](https://gazetashqiptare.al/wp-content/uploads/2022/04/android-app.png)
Një 23-vjeçare e dënuar me 1 vit e gjashtë muaj burg për plagosjen e ish të dashurit të saj është ekstraduar nga Italia për në Shqipëri. Manjola Lushnjani nga Elbasani rezulton e dënuar në mungesë për veprën “plagosje e rëndë me dashje, e kryer në bashkëpunim”, ngjarje e ndodhur rreth tri vite më parë, raporton “Panorama”.
Lushnjani u arrestua në tetor të vitit 2015 në Itali, pasi ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar. Ajo u kap në Sardenjë, ku policia italiane gjatë një kontrolli konstatoi se ajo ishte person i shpallur në kërkim ndërkombëtar për veprën penale të plagosjes.
Që nga muaji tetor, Manjola ka qëndruar në qelinë e burgut të Paletës së Italisë dhe vetëm një ditë më parë ajo është ekstraduar në Shqipëri. Pas mbërritjes përmes Aeroportit të Rinasit, 23-vjeçarja është shoqëruar nga Policia e Elbasanit drejt paraburgimit për t’u transferuar më pas në burgun e grave në Tiranë.
Ngjarja ku mbeti i plagosur ish-i dashuri i Lushnjanit ka ndodhur thuajse tre vjet më parë, kur asokohe ajo ishte 20 vjeçe. Manjola Lushnjani, gjatë një sherri për motive xhelozie me ish-të dashurin e saj, Dardan Krasniqi, në prani edhe të vëllait dhe të babait të saj, e ka goditur atë me thikë.
23-vjeçarja e qëlloi me thikë pas shpine në momentin që pas debatit, ish-i dashuri i saj ishte duke u larguar. Plagosja ndodhi në lagjen “Aqif Pasha”, ku edhe banon aktualisht familja e Manjolës.
Pas kësaj, ajo është larguar menjëherë drejt Italisë, ndërsa Policia e Elbasanit e shpalli në kërkim, duke lëshuar dhe një urdhër ndërkombëtar për arrestimin e 23-vjeçares. Nga ana tjetër, në mungesë, Gjykata e shkallës së Parë në Elbasan e dënoi atë me 1 vit e 6 muaj burg në fund të procesit gjyqësor mbi ngjarjen e ndodhur rreth 3 vite më parë.
Emri i 23-vjeçares nuk lakohet për herë të parë në Policinë e Elbasanit, pasi sipas burimeve, edhe kur Manjola ishte në moshën 15-vjeçare, në vitin 2009, në bashkëpunim edhe me dy miq të saj nga Elbasani, u ndalua nga Policia.
Manjola, në atë kohë adoleshente, e veshur me uniformë Policie, bashkë me dy shokët e saj, vodhën banesën e një biznesmeni në qytetin e Elbasanit. Dy miqtë e saj u dënuan me burg, ndërsa Manjola ia hodhi paq për shkak të moshës.