Intervista

Nga reformat te vettingu, Bushati në “France24”: Shqipëria është gati të afrohet më pranë BE-së

14:47 - 11.04.17 gsh.al
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play




Ministri i Punëve të Jashtme, Ditmir Bushati, ka qenë i ftuar në “Talking Europe” në televizionin France24. I pyetur nga gazetarja Eve Irvine që a ka një ndasi midis një grupimi pro-Bashkimit Europian në qeveri dhe një grupimi kundër Bashkimit Europian brenda opozitës, e cila dukshëm duket se nuk e mbështet reformën tuaj në drejtësi, ai është përgjigjur: “Me të vërtetë kjo është një reformë e paprecedentë, sepse është e thellë, është mjaft gjithëpërfshirëse, po krijon një arkitekture të re për të gjithë sistemin e drejtësisë… (Fr24. Të gjithë gjykatësit dhe prokurorët do të vlerësohen për korrupsion….) Të gjithë gjykatësit dhe prokurorët do të vlerësohen. (Fr24: Kush e bën këtë, qeveria?)  Jo. Do të ketë një proces skanimi në lidhje me integritetin e tyre profesional dhe moral. Edhe pasuria e tyre do të vlerësohet. Që prej fillimit të kësaj reforme, shumica jonë parlamentare ka insistuar përfshirjen, sa më shumë të ekspertizës ndërkombëtare në të gjithë këtë proces. Do të këtë një Komitet Vettingu të zgjedhur nga Parlamenti shqiptar, bazuar në parimin e barazisë. Anëtarët e  saj do të jenë shqiptarë të mbështetur fort nga ekspertët ndërkombëtarë”.

Ministri Bushati u pyet edhe në lidhje me zgjedhjet e mbajtura në Maqedoni. Në lidhje me këtë, ai u shpreh: “Mendoj se është një pyetje që ka të bëjë me sundimin e ligjit, respektimin e vullnetit të votuesve dhe respektimin ndaj shumicës parlamentare. Kemi të bëjmë me një krize e demokracisë, pavarësisht se kemi parë disa kthime pas në të kaluarën në disa prej vendeve të ndryshme të Ballkanit Perëndimor. Ende procesi i anëtarësimit në BE shihet si loja më me popullaritet, për arsye të instrumenteve që janë në dispozicion të Bashkimit Europian. Është për të ardhur keq kur sheh udhëheqës politikë në miken tonë fqinjë Maqedoni, që luajnë këto lojëra, të ndikuar gjithashtu edhe nga aktorë të tjerë. Por duke pasur parasysh se ne bashkëpunojmë ngushtësisht me Maqedoninë në kuadër të forumeve të ndryshme rajonale, shpresojmë dhe dëshirojmë që autoritetet maqedonase të gjejnë një fushë të përbashkët për të kapërcyer ndryshimet dhe shpresojmë se institucionet e reja do të krijohen në mënyrë të rregullt.

Në një intervistë të mbajtur për rreth 17 minuta, të cilën do ta gjeni të plotë si më poshtë, disa nga temat e tjera të diskutimit ishin edhe politikat që po ndjek qeveria shqiptare për zhdukjen e Shqipërisë nga harta e vendeve prodhuese të lëndëve narkotike.
https://www.youtube.com/watch?v=Mi8tYZjdmOU

Ja intervista e plotë e Bushatit

Bushati: Shqipëria është gati të afrohet më pranë BE-SË”

Fr24: Përshëndetje dhe mirë se keni ardhur në “Talking Europe”

Në vijim të disa dekadave zgjerimi, BE duket se po bëhet më e vogël. Kryeministrja e Mbretërisë së Bashkuar i është referuar nenit 50, duke kërkuar largimin e MB nga blloku. Ndërkohë që për vende të tjera që janë brenda tij, oreksi për anëtarësime të reja duket se është pakësuar. Negociatat për anëtarësim janë hapur zyrtarisht për 5 vende të Ballkanit Perëndimor, një rajon, vëmendja ndaj të cilit duhet të rritet, pasi sipas syve të BE-së, influenca ruse mund të jetë në rritje. Së fundmi, disa nga vendet anëtare të BE-së kanë theksuar mbështetjen e tyre të plotë në rrugëtimin e këtyre vendeve për t’iu bashkuar BE-së. Por si po përcillet ky mesazh? Në studio bashkë me mua sot është Ministri i Punëve të Jashtme i Shqipërisë, zoti Ditmir Bushati. Ju jeni përfaqësuesi i Partisë Socialiste e cila aktualisht po qeveris vendin. Faleminderit për kohën. Së pari, a mund të më thoni, Shqipëria është një nga vendet që do të dëshironte të fillonte negociatat e anëtarësimit. Megjithatë, duket se nuk po shkohet gjëkundi. Si e perceptoni ju? Si po lëviz BE drejt Shqipërisë sot?

BUSHATI – Nëntorin e kaluar, Komisioni Europian publikoi Raportin Vjetor mbi Shqipërinë dhe doli me rekomandimin për fillimin e bisedimeve të anëtarësimit, me mirëkuptimin që Shqipëria të zbatonte Reformën në Drejtësi, në mënyrë të veçantë të ashtuquajturin Ligj të Vetingut, sipas të cilit të gjithë gjyqtarët dhe prokurorët në vend do të kalonin një procës skanimi. Ky është sigurisht një lajm inkurajues për Shqipërinë, i cili vjen edhe si rrjedhojë e reformave të thella që kemi ndërmarrë, sidomos në fushën e sundimit të së drejtës, reformës në drejtësi, luftës kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit. Po presim me padurim të ulemi në tryezën e bisedimeve të anëtarësimit, sepse në rastin e Shqipërisë, dhe mendoj kjo qëndron edhe për vende të tjera të Ballkanit Perëndimor, procesi i anëtarësimit në BE shihet si një promotor i zhvillimit të ekonomisë sonë, i transformimit të shoqërisë sonë, dhe modernizimit të mënyrës se si institucionet po punojnë në vend.

Fr24. Përmendët reformën në drejtësi. Në të vërtetë, BE si ndërmjetësuese, thotë se kjo reformë duhet të bëhet para fillimit të hapjes së bisedimeve për anëtarësim, por përbrenda Shqipërisë duket se po krijohet një polemikë. Partia opozitare në Shqipëri i frikësohet faktit që reforma në drejtësi po i jep në të vërtetë qeverisë kontrollin e sistemit  të drejtësisë. Pra, mos ndoshta diçka e tillë po krijon përçarje në Shqipëri, sepse duket nga jashtë se jeni të ndarë në bllokun pro BE-së si qeveri dhe nga ana tjetër duket se opozita po bëhet më pak pro BE-së.

BUSHATI- Me të vërtetë kjo është një reformë e paprecedentë, sepse është e thellë, është mjaft gjithëpërfshirëse, po krijon një arkitekture të re për të gjithë sistemin e drejtësisë…

Fr24. Të gjithë gjykatësit dhe prokurorët do të vlerësohen për korrupsion…

BUSHATI: Të gjithë gjykatësit dhe prokuroret do të vlerësohen. Do të ketë…

Fr24: Kush e bën këtë, qeveria?

BUSHATI – Jo. Do të ketë një proces skanimi në lidhje me integritetin e tyre profesional dhe moral. Edhe pasuria e tyre do të vlerësohet. Që prej fillimit të kësaj reforme, shumica jonë parlamentare ka insistuar përfshirjen, sa më shumë të ekspertizës ndërkombëtare në të gjithë këtë process. Do të këtë një Komitet Vettingu të zgjedhur nga Parlamenti shqiptar, bazuar në parimin e barazisë. Anëtarët e  saj do të jenë shqiptarë të mbështetur fort nga ekspertët ndërkombëtarë.

Fr24. BE-ja beson se në rajon dhe në Shqipëri influenca ruse po rritet dhe duket se partia opozitare gjithashtu mbështet anën ruse. Pavarësisht kësaj, a ekziston ndonjë problem me ndërhyrjen e SHBA-së dhe BE-së në reforma madhore? Ku qëndron Shqipëria, sepse duket padyshim që keni një ndarje midis Shqipërisë pro BE-së dhe asaj pjese më pak pro BE-së, e cila dëshiron të ketë gjithashtu një influencë ruse në vend.

BUSHATI – Nuk besoj se po ballafaqohemi me një ndarje në vend në lidhje me orientimin e tij. Ekziston një rezistencë politike që vjen prej disa segmenteve të jetës politike në Shqipëri, si edhe nga segmente të pushtetit gjyqësor që preferojnë këtë status quo. Kështu që unë nuk do të lidhja automatikisht këtë me influencat e të ashtuquajturve aktorë të tretë. Qeveria jonë dhe shumica jonë parlamentare është e vendosur të vijojë drejt rrugës së BE-së me procesin e reformës, sepse në rastin tonë procesi i anëtarësimit në BE është ngushtësisht i lidhur me cilësinë e procesit të reformës. Duke zbatuar reformën në drejtësi do të jemi në një pozitë shumë të mirë kur të ulemi rreth tryezës së anëtarësimit.

Fr24. Interesante! Kjo për sa i përket palës shqiptare. Po në lidhje me rajonin më gjerë, vetëm për një minutë, pasi do t’i rikthehemi Shqipërisë pas kësaj. Maqedonia shihet në një gjendje lufte të tërheqjes së litarit midis perëndimit dhe Rusisë. Ka pasur zgjedhje atje dhe BE dëshiron patjetër që Presidenti të lejojë koalicione midis etnive maqedonase dhe atyre shqiptare për të formuar qeverinë e radhës, përderisa fituan zgjedhjet. 25% e Maqedonisë, besoj, përbëhet nga etni shqiptare, por sërish shumë njerëz janë të shqetësuar dhe mendojnë se BE po përpiqet të kontrollojë rajonin dhe s’duhet të fusin hundët më tepër. Si e shihni këtë gjë?

BUSHATI – Mendoj se është një pyetje që ka të bëjë me sundimin e ligjit, respektimin e vullnetit të votuesve dhe respektimin ndaj shumicës parlamentare. Kemi të bëjmë me një krize e demokracisë, pavarësisht se kemi parë disa kthime pas në të kaluarën në disa prej vendeve të ndryshme të Ballkanit Perëndimor. Ende procesi i anëtarësimit në BE shihet si loja më me popullaritet, për arsye të instrumenteve që janë në dispozicion të Bashkimit Europian. Është për të ardhur keq kur sheh udhëheqës politikë në miken tonë fqinjë Maqedoni, që luajnë këto lojëra, të ndikuar gjithashtu edhe nga aktorë të tjerë. Por duke pasur parasysh se ne bashkëpunojmë ngushtësisht me Maqedoninë në kuadër të forumeve të ndryshme rajonale, shpresojmë dhe dëshirojmë që autoritetet maqedonase të gjejnë një fushë të përbashkët për të kapërcyer ndryshimet dhe shpresojmë se institucionet e reja do të krijohen në mënyrë të rregullt.

Fr24. Sepse shihet që ka tensione dhe frikë që Shqipëria është ende duke kërkuar një Shqipëri të Madhe, me 25 për-qind të etnisë shqiptare në Maqedoni?

BUSHATI – Ne jemi vend anëtar i NATO-s si dhe kandidat për t’iu bashkuar Bashkimit Europian. Shqipëria tradicionalisht është parë si një pol stabiliteti në rajon dhe do të vazhdojmë t’i bëjmë jehonë sa më shumë të mundemi dhe të projektojmë sa më shumë të mundemi stabilitetin demokratik në fqinjësinë tonë.

F24. Ju përmendët reformën dhe shqyrtuam reformën e gjyqësorit. Por shumë nga vendet e BE-së thonë edhe se Shqipëria nuk po bën mjaftueshëm për të ndaluar korrupsionin. Në një zonë në veçanti, është çështja e kanabisit në rritje. Ky besoj është problemi më i madh i BE-së: kultivimi i hashashit. Shumë fermerë thonë se ata thjesht paguajnë policinë për të kërkuar mënyra të tjera për shkak se po luftojnë për të pasur të ardhurat që kanë nevojë. Po përpiqet qeveria të luftojë në forma të tjera korrupsionin dhe veçanërisht rastin e kanabisit?

 BUSHATI – Kjo është qeveria e parë që pas rënies së regjimit komunist që është përballur me këtë fenomen. Së pari, duke e njohur atë. Së dyti, duke zhdukur Shqipërinë nga harta e kanabisit, nëse mund të përdor këtë terminologji. Pjesë të Shqipërisë nuk ishin nën kontrollin e shtetit para se ne të kalonim në qeveri në vitin 2013. Ndërkohë që  tani po punojmë me strategjinë parandaluese, sepse kemi kuptuar se nuk është e  mjaftueshme vetëm prania e forcave të policisë dhe të sigurisë në terren, pasi duhet edhe të dekurajojmë fenomenin. Duhet të përfshijmë udhëheqësit e komunitetit vendor. Duhet të luftojmë në mënyrë më vendimtare krimin dhe  korrupsionin që lidhet me këtë fenomen. Tanimë, po punojmë edhe me agjenci të tjera, sepse ashtu siç tregojnë shifrat, ky nuk është një fenomen vetëm shqiptar, por një fenomen rajonal. Ekziston një rrjet që e inkurajon atë dhe ne besojmë se deri në fund të këtij viti do të kemi rezultate të prekshme.

Fr24. Nuk është një sfidë e lehtë për një vend të varfër.

BUSHATI – Duhet një angazhim në këtë proces, sikurse e përmenda, edhe i drejtuesve të komuniteteve vendore, aktivistëve të shoqërisë civile. Pra duhet e gjithë shoqëria të jetë plotësisht e angazhuar.

FR24. Shqipëria në Ballkanin Perëndimor nuk u prek nga kriza e refugjatëve sa vende të tjera të “itinerarit Ballkanik”. Por ju i mbajtët dyert e hapura për refugjatët. Shumë prej tyre kanë dashur të kalojnë permes saj. Por si ndjeheni ju në lidhje me mënyrën si BE-ja po e trajton këtë çështje. Është Shqipëria e gatshme të marrë refugjatë në ardhje? Po dështon BE-ja?

BUSHATI – Ne jemi pjesë e të gjitha inisiativave në këtë drejtim. Sigurisht mbyllja e “Itinerarit Ballkanik” i shpëtoi disi vendet tona, por më lejoni të jem i qartë në lidhje me këtë fenomen. I kemi parë vendet e Ballkanit Perëndimor të bashkëpunojnë në mënyrë mjaft të kënaqshme. Kemi parë edhe reagimin që erdhi nga vendet e Ballkanit Perëndimor në lidhje me këtë krizë. Në disa raste shumë më i pjekur dhe i mbështetur më shumë në vlerat europiane se disa shtete anëtare. Po ashtu, edhe nga pikëpamja e sigurisë, Ballkani Perëndimor ka provuar se është ekomomat për të gjithë arkitekturën e sigurisë europiane. Në dy vitet e fundit, niveli i bashkëveprimit mes Ballkanit Perëndimor në një anë dhe Bashkimit Europian nga ana tjetër ka qenë mjaft i mirë në këtë pikë. Unë shpresoj dhe uroj që të mund të përmirësojmë marrëdhëniet tona, të mund të ndërtojmë një narrativë bindëse, sepse kur flasim për këtë fenomen, por edhe për marrëdhëniet e Bashkimit Europian me Ballkanin Perëndimor, nuk mund të kemi një marrëdhënie të ngjashme me atë që mbështetet në menaxhimin e krizave. Duhet të shkojmë përtej saj.

Fr24. Po… Duke pasur parasysh se ju jeni ndërmjet Greqisë dhe pjesës tjetër… Por ekziston dhe  fenomeni i largimit të shqiptarëve nga Shqipëria. Në vitin 2015, në Gjermani, mendoj se shqiptarët kanë zënë vendin e dytë për numrin e lartë të azilkërkuesve, mbi 50.000 njerëz?

BUSHATI – Kjo është e vërtetë, por tani jemi në vitin 2017. Më 2014 ka qenë Serbia, më pas Maqedonia dhe Kosova që janë prekur më së shumti nga ky fenomen. Në vitin 2015 edhe Shqipëria. Siç ju ndoshta e dini, këto u shoqëruan me veprime nga ana e qeverisë gjermane dhe më pas nga ana e Bashkimit Europian, për të transferuar vendet e Ballkanit Perëndimor në listën e vendeve të sigurta të origjinës. Ne kemi marrë edhe disa masa në terren.

Fr24. Pse njerëzit duan kaq shumë të largohen?

BUSHATI – Ka njerëz që largohen nga Ballkani Perëndimor, ka nga ata që largohen nga Europa Lindore drejt Europës Perëndimore, nga Europa jugore drejt Europës veriore.  Nëse i referohemi shifrave të dhëna nga Eurostat por dhe ministrive të brendshme në kryeqytetet kryesore europiane, do ta konstatoni këtë trend, sepse njerëzit besojnë se mundësitë janë më të mira duke shkuar në pjesën veriore të Europës. Siç e dimë, të gjithë refugjatët që vijnë nga Siria dhe nga vende të tjera, synojnë të shkojnë në Gjermani dhe Europën Veriore. Janë shumë pak ata që dëshirojnë të qëndrojnë në Europën Jugore apo në Ballkanin Perëndimor. Por nga ana tjetër, bashkëpunimi i në nivelin e forcave të policisë dhe të sigurisë është mjaft i mirë.

Fr24. Njerëzit po kthehen të gjithë nga Gjermania, për shumë pak kohë.

BUSHATI – Po. Dhe ne po synojmë forcimin e bashkëpunimit.​

Fr24. Në përfundim zoti Bushati, sepse pothuajse ju morëm të gjithë kohën tuaj. Kur ju e shihni BE-në sot, me krizën e refugjatëve, apo edhe me vendet e eurozonës të cilat kanë filluar të përmirësohen ekonomikisht, por ende nuk duket të jenë jashtë krizës. Si e shihni të ardhmen e BE-së? Si një bllok? A e shihni të qëndrueshme? A do të qëndrojnë të bashkuar?

 BUSHATI – Së pari, unë projekti europian duhet konsoliduar. Kur flasim për Ballkanin Perëndimor, për gjashtë vendet në Ballkanit Perëndimor, duhet të kemi në mendje këtë projekt të konsoliduar. Është e domosdoshme ta përfundojmë atë pasi Ballkani Perëndimor është ende një “biznes” i papërfunduar. Së dyti, mendoj se çfarë po them është reciprokisht e dobishme. Ajo është sigurisht e dobishme për vendet e Ballkanit Perëndimor. Ne jemi europianë dhe dëshirojmë të jemi anëtarë të Bashkimit Evropian. E shohim këtë rrugëtim si një udhëtim transformues. Por është edhe në interes të Bashkimit Europian të përhapin influencën e tyre, pushtetin, ndikimin demokratik, vlerat në gjithë territorin e Ballkanit Perëndimor. Së treti, kemi nevojë për pak më shumë gjeste që shoqërojnë instrumentet. Mbaj mend, dhjetë vjet më parë, kur Bashkimi Europian po festonte 50 vjetorin, të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor ishin ulur rreth tryezës. Është për të ardhur keq që javën që shkoi, vendet kandidate, apo vendet e Ballkanit Perëndimor nuk ishin të ftuara (në samitin e Romës). Sepse këto janë shenja të një perspektive të qartë për të ardhmen e bllokut dhe për të ardhmen e Ballkanit Perëndimor.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.