Deklarata e djeshme e ambasadës Amerikane se vendi mund të kërcënohej nga sulme terroriste për Pashkë ka përhapur mjaft panik te të gjithë qytetarët.
Në njoftimin e djeshëm të ambasadës thuhej se në këto ditë festash objekt i sulmeve mund të ishin kishat apo objekte të tjera fetare.
Ndërkohë që e menjëhershme ka qenë dhe reagimi i Policisë së Shtetit e cila deklaron se ka kaluar në shërbim të përforcuar dhe ka shtuar masat. Masat janë shtrirë përveç policisë rrugore dhe asaj të rendit dhe në drejtim të policive kufitare.
Periudha e festave në vendin tonë shoqërohet përherë me kthime të shumta dhe të emigrantëve që jetojnë dhe punojnë në vendet fqinje.
DEKLARATA E POLICISË
Policia e Shtetit ka marrë masa shtesë për rritjen e parametrave të sigurisë së qytetarëve gjatë ditëve të Pashkëve. Policia e Shtetit ka kaluar në shërbim të përforcuar me qëllim garantimin e rendit dhe sigurisë me rastin e Festës së Pashkëve. Policia e Shtetit ka hartuar një plan të veçantë masash për këtë qëllim. Në këtë kuadër janë marrë në drejtim të rritjes së prezencës policore në territor, me qëllim parandalimin e ngjarjeve kriminale. Të ruajtjes së rendit dhe të sigurisë në objektet fetare si dhe në ambientet ku do zhvillohet festa e pashkëve. Në drejtim të rritjes së sigurisë rrugore, duke shtuar patrullimet e Policisë Rrugore në akset nacionale dhe akset kryesore rurale. Masa janë marrë edhe nga Policia Kufitare në burime njerëzore dhe infrastrukturore. Në këtë kuadër në porte, aeroport dhe në pikat e kalimit kufitar, janë shtuar sportelet me qëllim krijimin e lehtësirave ligjore për të gjithë shtetasit vendas e të huaj që do të hyjnë apo dalin nëpërmjet pikave të kalimit porteve dhe aeroportit duke shmangur vonesat dhe radhët e gjata. Masa janë marrë edhe në drejtim të parandalimit të ngjarjeve me karakter terrorist. Policia e Shtetit uron të gjithë të krishterët, Gëzuar Pashkët dhe siguron ata dhe të gjithë qytetarët se ka kapacitete të mjaftueshme në ruajtjen e rendit dhe sigurisë publike, si dhe për të parandaluar dhe goditur veprimtarinë kriminale në çdo fushë që mund të shfaqet ajo.