Ornela MANJANI
Kredia e dhënë për subjektet jashtë vendit ka arritur në 67 miliardë lekë, ose rreth 500 milionë euro. Ekspertët e bankës pohojnë se nuk ka kufizime sasiore për këtë lloj kredie, ndërsa ajo ponderohet me një normë më të lartë rreziku. Të dhënat janë bërë të ditura nga Banka e Shqipërisë, në Raportin e Stabilitetit Financiar për 6-mujorin e dytë të vitit 2016.
Sipas Bankës së Shqipërisë, kredia që jepet jashtë vendit ka vijuar të jetë e lartë. Sektori bankar ka zgjeruar pozicionin kreditor në subjektet jorezidente. Në dhjetor 2016, aktivet me jo rezidentët përbëjnë 27% të totalit të aktiveve, ndërsa detyrimet përbëjnë 6% të tyre. Si rrjedhojë, pozicioni neto kreditor është zgjeruar me rreth 11% në terma gjashtëmujorë dhe rreth 19% në terma vjetorë, duke arritur në nivelin 293 miliardë lekë. “Rreziku nga ekonomia e brendshme vijon të jetë i lartë, sipas matricës së publikuar nga Banka e Shqipërisë.
Nga ana tjetër, bankat mëmë mund të kenë reduktim të veprimtarisë në rajon dhe kjo tendencë duhet vlerësuar”, theksuan ekspertët e Bankës së Shqipërisë. Rreziku i kreditit u ul përgjatë periudhës, ndonëse mbeti pranë nivelit të një viti më parë, kreditë me probleme u ulën në 18.3%, mbulimi i kredive me probleme me provigjione dhe kapital u përmirësua, koletarizimi i kredive është i qëndrueshëm, si dhe shpërndarja sipas monedhës, sektorëve dhe bankave është më e mirë”, thanë ekspertët e BSH-së.
Kredia me probleme
Në uljen e kredive me probleme kanë ndikuar proceset e mbledhjes, ristrukturimit dhe largimit të tyre nga bilancet. BSH thekson se zhvillimet janë pozitive dhe inkurajuese, por procesi i uljes së kredive me probleme përmban pasiguri. Bankat munden të ruajnë fokusin në këtë proces. Rreziku i likuiditetit vlerësohet i ulët nga Banka e Shqipërisë. Kjo për shkak të vlerës së ulët të raportit kredi/depozita, vijimi i rritjes së depozitave, prania e lartë e aktiveve likuide dhe rezultatet e ushtrimit të provës së rezistencës. Sipas monedhave, rreziku i likuiditetit në valutë është më i lartë se ai në lekë, ndaj kjo duhet të reflektohet në rritjen e kërkesës minimale për aktive likuide në valutë (de-euroizim). Sektori bankar është i ekspozuar ndjeshëm ndaj rrezikut të tregut, si luhatjet e kursit të këmbimit dhe ndryshimet e normave të interesit.
Portofoli i kredisë
Në strukturën e portofolit të kredisë, pesha e kredisë në lekë ka vijuar rritjen. Në harkun kohor të një viti, teprica e kredisë në monedhën vendase është zgjeruar me 8.2%, ndërsa ajo në valutë është ngushtuar me 1.2%. Kredia e re në lekë, dhënë gjatë periudhës, është rritur me 21 p.p. dhe zë 61% të totalit të kredisë së re të periudhës. Ajo vijon prirjen rritëse të viteve të fundit, duke u zgjeruar me 62% nga e njëjta periudhë e një viti më parë. Kredia e re në valutë, dhënë gjatë periudhës, është ulur me 31% ndaj së njëjtës periudhë të një viti më parë. Në mbështetje të kreditimit në monedhën vendase, sektori bankar ka ulur normën e interesit të kredisë së re në lekë me 1.8 p.p. në nivelin 5.5%. Norma e interesit të kredisë së re në euro shënon 4.6%, në rënie më të ngadaltë me 0.73 p.p. gjatë gjashtëmujorit të fundit të vitit të shkuar.