BLUETOOTH

Motra e banorit të “Big Brother 9”: Edjola Zyfi: Ervini nuk është i dashuruar

12:10 - 22.04.17 gsh.al
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play




Gerilina KODHELI

U shndërrua në faktor pas sherrit me Damianon të dy javëve më parë, ndërsa këtë javë Ervini është vënë sërish në qendër të vëmendjes pas deklaratës së partneres së tij, Sidritës se ka një të dashur tjetër jashtë. A ka hyrë padashur në një trekëndësh dashurie dhe a është i gatshëm ta pranojë këtë fakt? Këto janë pyetjet që bëhen më së shumti në rrjetet sociale, pyetje që në këtë intervistë për “Bluetooth” “GSH” u jep përgjigje Edjola, motra e Ervinit. Ndërsa rrëfen se si e kanë përjetuar në shtëpi sherrin që “degjeneroi” në “Big Brother”, Edjola tregon edhe përshtypjet e saj për Sidritën në raport me vëllain e saj.
Edjola, kjo javë nuk ka qenë shumë pozitive për Ervinin, i cili ka kërkuar madje edhe të dalë nga shtëpia. Çfarë mendon për gjendjen e tij?
Si në jetën e përditshme ka ulje dhe ngritje. Nuk mendoj se është diçka për t’u shqetësuar.
Sidrita ka treguar se ka lënë dikë jashtë, një të dashur tjetër. Ndjehesh keq për këtë?
Nuk e njoh fare Sidritën dhe nuk i jam futur kësaj historie, të interesohem kush është përjashta. Kur të dalë, vëllai im di t’i vërë pika mbi “i”, nuk ia kam merakun në këtë pjesë.
Si të duket në sjellje me Ervinin?
Në jetën e përditshme edhe ne mërzitemi, qeshim, themi ndonjë gjë që nuk e mendojmë dhe këtu nuk ka asgjë. Ata janë në një lojë që e dinë vetëm ata. Unë mund të flas për Ervinin, por për Sidritën nuk di asgjë, nuk mund ta gjykoj.
Pas sherrit me Damianon ka lënë përshtypjen e një personi agresiv. Kaq nervoz është edhe në jetën e përditshme Ervini?
Jo, absolutisht. Ervini është një djalë shumë i kulturuar, por ai e provokoi dhe e preku edhe nga pantallonat. Megjithatë, nëse ka qenë në kuadër të lojës, nuk ka asgjë. Nëse vëllai im do ishte edhe jashtë ashtu do shqetësohesha, por Ervini është 29 vjeç dhe nuk ka shkaktuar ndonjëherë probleme apo sherre. Normalisht që u ndjeva keq, sepse u provokua shumë. Gjithsesi, ai është stresi i lojës, nuk ushqehet sa duhet, por normalisht keq na vjen që u provokua. Njerëzit që e njohin, e dinë shumë mirë që Ervini nuk ka ngritur ndonjëherë dorë mbi dikë, nuk është i dhunshëm. Ai është një njeri i ndjeshëm dhe human. Besoj se deri tani e ka treguar.
E sheh si fitues?
Po, e shoh si fitues për të vetmen arsye se është një njeri i kompletuar nga të gjitha anët. Megjithatë, loja është e paparashikueshme.
Cila është pika e dobët e Ervinit?
Pika e dobët është familja. Ndërsa për personin e tij nuk di të ketë ndonjë pikë të dobët. Normalisht e kemi përjetuar edhe ne sherrin që ndodhi, sepse ka pasur shumë komente negative, por më shumë na shqetësojnë komentet e njerëzve që na njohin, që e dinë kush është Ervini.
Ka ndonjë femër tjetër jashtë shtëpisë Ervini?
Jo, jo! Ervini është shumë koherent dhe i drejtpërdrejtë. Nëse do ta kishte, do ta thoshte. Ai është ashtu siç e shihni ju. Ndërsa për lidhjen e Sidritës, unë nuk mund ta gjykoj, sepse vetëm ajo e di nëse ka dikë tjetër apo jo.
Sidrita e ka pranuar, fakt për të cilin Ervini është shprehur që nuk mund të futet mes dy personave…
Po, natyrisht. Ka bërë shumë mirë që e ka thënë dhe e mendon vërtetë. Ajo duhet t’ia kishte thënë që në fillim Ervinit.
E sheh si vajzën e duhur për vëllain tënd?
Nuk di ç’të them! Unë kushdo që të jetë do ta respektoj si partneren e vëllait tim. Por nuk e di, Sidrita nuk shfaqet shumë dhe nuk arrij ta njoh. Nuk e kuptoj nëse po luan, apo është vetë e tillë.
Po Ervini të duket i dashuruar, apo e mban këtë lidhje për hir të lojës?
Ervini e pëlqen, por nuk mendoj që të jetë i dashuruar. Ai është një djalë realist, me këmbë në tokë dhe di t’i respektojë femrat. I kam njohur partneret e tij të mëparshme dhe ka zgjedhur gjithmonë vajza të thjeshta, të ëmbla dhe të komunikueshme. Sidrita nuk e di si është, sepse nuk shfaqet, por nuk e paragjykoj, sepse janë në një lojë.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.