Kryesore

Vrasja e dyfishtë në Sukth, FNSH mësyn në Shijak, shoqërohen të “fortët”

13:30 - 28.04.17 gsh.al
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play




 

Klodiana HAXHIAJ

Vrasja e dyfishtë e ndodhur pasditen e së enjtes në afërsi të vendit të quajtur “Mbikalimi i Sukthit” mbetet në kufijtë e misterit. Pavarësisht hetimeve intensive, policia dhe prokuroria e Durrësit ende nuk kanë persona të dyshuar për atentatin ku u sharruan me breshëri plumbash ish-efektivi i policisë, Ervin Dalipaj dhe miku i tij, Juxhin Dauti.

Dy ditë pas ngjarjes së rëndë, autoblindat e FNSH-së kanë zbarkuar në qytetin e vogël të Shijakut, ku kanë shoqëruar një numër të konsideruar “miqsh”, me të cilët shoqëroheshin dy viktimat. Sipas bluve, 38-vjeçari Dalipaj dhe 27-vjeçari Dauti kishin shoqëri të zgjeruar në zonën e Shijakut dhe se aty, ata qëndronin gjatë ditës (në disa lokale), ndërsa në mbrëmje ktheheshin në Tiranë, në banesat e tyre. Burime nga policia dhe prokuroria e qytetit bregdetar, dje bënë me dije se janë shoqëruar dhe janë marrë në pyetje në lidhje me aktivitetin e dy viktimave, një numër i madh personash, por deri tani nuk janë siguruar të dhëna të rëndësishme për hetimin.

Ndërkaq, mësohet se janë shoqëruar edhe të “fortët” e Durrësit dhe të Shijakut, por emrat e tyre nuk bëhen me dije për arsye hetimore. Po të njëjtat burime thanë, se nga dëshmitë e dhëna nga të njohur të dy të vrarëve është mësuar se vlonjati Juxhin Dauti, prej kohësh ruhej me eskortë, nga dy mjete shoqëruese. Ditën që ndodhi atentati, 27-vjeçari ka lëvizur pa eskortë së bashku me Ervin Dalipajn. Sipas hetuesve, kjo gjë është shfrytëzuar nga atentatorët që kryen vrasjen.

HETIMET

Sipas burimeve nga grupi hetimor, nisur nga skena dhe dinamika e krimit me dy automjete, dyshohet që pjesëmarrës në atentat të kenë qenë jo më pak se tre persona. Në automjetin e parë “BMV X5” kanë qenë dy persona, shoferi dhe pasagjeri, i cili ka qëlluar me kallashnikov nga xhami i parë i mjetit në drejtim të makinës tip “Audi S8”, në të cilën udhëtonin Ervin Dalipaj dhe Juxhin Dauti.

Edhe në automjetin e dytë dyshohet se kanë qenë dy persona, por hetuesit e kanë të vështirë të përcaktojnë më shumë detaje, për shkak se filmimet e siguruara nuk tregojnë numrin e personave që morën pjesë në vrasjen e dyfishtë dhe as identitetin e tyre. Hetuesit e çështjes, pohuan se telefonat e gjetur në automjetin e viktimave janë duke u ekzaminuar për të parë e kontrolluar thirrjet telefonike të bëra prej tyre para atentatit.

Kompanive celulare u është kërkuar që në mënyrë urgjente të nxjerrin tabulatet telefonike. Nisur nga fakti që dy viktimat janë larguar vetëm pak minuta pasi janë takuar me dy vajzat nga Tirana dhe nuk kanë qëndruar gjatë me to, pavarësisht se ato ishin të lira, apo që nuk kanë drekuar me to, por janë larguar me shpejtësi, dyshohet se dikush mund t’i ketë marrë në telefon. “Ka qenë kohë dreke, ora 13:50, kur viktimat e atentatit janë larguar për të drekuar diku tjetër. Kjo tregon se ata i priste dikush. Të gjitha këto dyshime do të verifikohen pasi të kontrollohen me imtësi tabulatet e tyre telefonike”, pohoi një burim nga grupi hetimor.

Ndërkaq, i njëjti burim saktësoi, se atentatorët mund të jenë vrasës me pagesë, pasi të gjithë krimin e kanë kryer brenda 60 sekondash. “Nisur nga fakti që nuk kanë lënë gjurmë, përveç gëzhojave dhe predhave dhe janë larguar pa u pikasur, të bën të dyshosh që kemi të bëjmë me vrasës profesionistë”, pohuan burimet. Gjithashtu, burimet e mësipërme sqaruan se drejtuesja e makinës tip “Smart” ka qenë fqinjë e 27-vjeçarit Juxhin Dauti (banon në pallatin ku jetonte i riu).

 


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.