MILOSAO

ESSE / Nga ishulli i kujtimeve

08:39 - 01.05.17 gsh.al
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play


Nga Rexhep FERRI




1.
– Zotëria Juaj, çka mendoni të bëni me kërkesat e çmendura të kohës së çmendur ? – më pyeti dervishi që flinte nën Urën e Vezirit.
– Pasi ta shohim se ku jemi, ia fusim gjumit, e pas gjumit, prapë ia fusim gjumit. – i thashë.
– Sa mirë ! – m’u përgjigj dervishi.
– O dervish, jo sa mirë, po shumë mirë.
Në krizë, në kushte krize pashë se kishim shkuar larg dhe ishim vonuar për të parë varrin e hapur të gabimeve që na shërbejnë si art.
Nga fabula e Ezopit, me personazhe kafshë, na japin mësim me bisht, me fjalë, me kthetra.
Të frikshme.
Qesharake.
Nga mendimet e maskuara, që nuk kuptohen lehtë, në Kanja të Anadollisë së largët, të Turqisë, turqit i kanë ngritur shtatore edhe Nastradin Hoxhës, të hipur mbrapsht në gomar.
Shkurt, përballë e kemi një elegancë argëtuese, për t’i ngushëlluar ëndrrat që ende nuk i kemi parë.
Edhe pse jemi me njëqind vjet vonesë e me njëqind vjet këngë patriotike, ende nuk e dimë se me lejen e kujt po flasim e pse po flasim.
Në Ishullin e Kujtimeve, kohën që duhet ta blejmë nuk po e bëjmë hesap.
Me aq sa më kujtohet, nga parahistoria e deri te historia që po përsëritet luftën nuk e gëzoi askush.

2.
Kur kalova në faqen tjetër, atje ku kam qenë më parë u binda se kohës së tashme duhet t’i jepet një kuptim për diçka që nuk po na shkon mirë.
Me pasqyrimin e realitetit, mungesën e realitetit, më vonë u vërejt se kemi humbur.
Takohemi pas një zhgënjimi.
Rreth jetës.
Rreth diellit.
Sikur të mos kishte ndodhur asgjë.
Ata që kanë qenë besnik janë vrarë nga miku i afërt, miku i largët.
Me një trokitje që mbyll derën, hajde toskë, hajde.
Dredhe toska i detit, dredhe.
Hajde gegë, hajde.
Dredhe gega i maleve, dredhe.
Sa bukur po ecim, si gjarpri me dredha.
Me dredha e pa dredha.
Me pesë çelësa të ndryshëm.
Me pesë adresa të ndryshme.
Pa therrë në këmbë po kalojmë nga një vend në vendin tjetër.
Kësaj pune i thonë – histori.
Për të mos thënë ëndërr që nuk e pamë kurrë.

3.
Kur frika është më e madhe se arsyeja, ku mund ta gjejmë një logjikë të shëndoshë? Brenda një besimi ndoshta të një mundësie kur na mungon një mundësi ndryshe.
Zënkat e bandave mashtruese nuk mbyllen lehtë. Për t’u ndalur nuk ndalen as para vështirësive.
Unë në një anë.
Ti në anën tjetër.
Të ndarë në rrugë.
Deri në qelizat e paimagjinueshme.
Me të drejtë e pa të drejtë.
Kur urrejtja ka të drejtë.
Kur urrejtja kthehet në mundësi.
Me çdo kusht të fitohet parajsa e kësaj bote.

4.
Ajo që dikur na mbante gjallë, tani nuk ka asnjë vlerë, asnjë kuptim.
Nga luksi nuk po na kujtohet as edhe sa shkronja i ka alfabeti i gjuhës shqipe.
Për të krijuar diçka me vlerë, po na kujtohen shumë premtime.
Te shkallët e famës, ku tipave të droguar nga fama e rrejshme u mbushet mendja se mund të ngjiten lart për ta shtruar muhabetin me Zotin, në Qiellin e Shtatë.
Nëse e kanë seriozisht, athua edhe çka mendojnë.
Tjetër, e tjetër e tjetër…
Kur dalin para pasqyrës, me çka e mashtrojnë veten.
Për ta kthyer largpamësinë shkuan katër, erdhën tetë. Shkuan tetë, erdhën njëzet e tetë. Shkuan njëzet e tetë, erdhën njëqind e njëzet e tetë.
Të gjithë të ngjashëm njëri me tjetrin.
Në koncert me këngë, ku nuk i këndohet asnjë lavdie, në plan të parë shihet një patriot me sy majmuni.
A guxon t’i thotë kush të lëshojë pak vend që të ulet edhe dikush tjetër?
Kjo pyetje e shumë pyetje dhe e shumë realiteteve, tani për tani nuk është e gjallë.
Me dritë e hijet e veta pret trashëgimtarë…

5.
Deri tani nuk e kam ditur sa e shtrenjtë është mosnjohja e vetvetes.
Ndonjëherë e shoh si të pabesueshme.
Sa për ta shënuar Ditën e Flamurit, shkova te mbajtësi i flamurit.
Me tupan e këngë patriotike për t’i ruajtur e mbrojtur tokat e banuara me ne.
I forti, shyqyr që nuk e di sa është i fortë.
Larg qoftë, mund të bëjë edhe vetëvrasje…
Përballë malit, gjatë natës, për asgjë, për çdo gjë dhe për aq sa dhimbja është e pafund.
Gjithçka është pikturë.
Gjithçka nuk është pikturë.
Kur nuk kapim asgjë, na ishte kur na ishte koha kur na bënte që të ëndrrojmë.
Mitet, legjendat, nuk mjaftojnë më.
Duke parë se çka po ndodhë krijohet përshtypja dhe bindja që dikush po të thotë:
– Hani dhe bëni çka të doni, por kokën përpjetë mos e çoni.
Luftërat e harruara prapë harrohen.
Dramat humoristike prapë na sjellin rrotull.
Janë për një histori të viteve të humbura.

6.
Për gjumin njerëzor, as fama mashtruese, as belbëzimi nuk po na pengojnë.
Universin e kemi nga rruga.
Largësia nuk është problem.
Është për t’u respektuar.
Me një heshtje do t’i shprehim ndjenjat tona.
Për ata që vdesin para kohe, jeta mund të jetë edhe vetëm një ditë e vitit.
Princesha e ngjyrave të fluturave e sheh këtë ëndërr dhe thotë: edhe unë kam jetuar.
Për gjumin njerëzor edhe njëqind vjet janë pak.
Për shkurtësinë e jetës nuk ka as pyetje, as parashikime.
Përballë jetës, përballë universit, ajo që është nisur ec deri atje ku është e vizatuar.
Deri atje ku edhe unë, i mëparshmi, me një buzëqeshje të lehtë ndalem.
E shpirti më thotë:
– Pikturo jetën! Pajtohu me fatin. Vlerësoje çmimin. Për varrimin duhen lule. Derisa të mos lëshojë rrënjë harresa.
Pse është ashtu nuk është e lehtë të shpjegohet.
Kjo pyetje është përsëritur qindra herë.
Me një qetësi të vetkuptueshme.
Edhe kjo ka diçka të vetkuptueshme.
7.
Për të riimagjinuar kohën e Prometheut, të Prometheut që për njeriun nga Zeusi e vodhi zjarrin. Zjarrin që për ta ruajtur për ditën tjetër e mbulon me hi.
Mes Zeusit e njerëzimit.
Pasi kaloi edhe një luftë, prapë takova dervishin që flinte nën Urën e Vezirit. Kur më pa u ndal dhe më pyeti:
– A je ti Ai që po vizaton e po shkruan libra?
– Po! – i thashë.
– A din me qit edhe fall? – më pyeti.
– Jo! Fall nuk di me qitë!
– Kurrgjë nuk po ditke!… Bash kurrgjë… Kohën e paske huq – më tha dhe shkoi.
Unë mbeta vetëm.
Para pasqyrës, në pasqyrë.
Kapa një pamje të egër.
Me një popull të vogël e me shumë rrugaçë.
Të ishin vetëm rrugaçë.
Shtatë vjet më vonë, përballë të panjohurës, një pikëpyetje më erdhi si pyetje.
Kur ta ndani mendjen? Kohën që na duhet?
Drejt sekretit nuk është çdo gjë matematikë.
Për hir të jetës, fillova të pikturoj diçka që nuk di.
Fjala patriot e ka humbur vlerën, kuptimin.
Arsyet nuk shpjegohen.
Me urdhër të kujt nuk dihet, psehu është pyetje më e thjeshtë seç mendohet.
Për të dalur aty ku ishim, njeriu kur ëndrron kërkon vetveten.
Duke i parë gjërat, si ato larg, si ato afër, nga shkurtësia e jetës nuk mund të ik…

8.
Në këtë botë të kërkosh Parajsën ose je i çmendur, ose të shpallin të çmendur.
Në çmendinën e ditëve tona ka vend për të gjithë.
Edhe për ata që nuk janë të çmendur e i shpallim të çmendur.
Me ç’të drejtë e të padrejtë, te guri i kufirit asgjë më pak e asgjë më shumë se atë që e thotë populli.
Mashtrohet kush mashtrohet.
Biografitë mashtruese populli nuk i ka në natyrën e vet.
Për të gjitha mëkatet takohemi pasi të ikim.
Vetëm e vetëm për t’u bindur se qëndrojmë.
Kjo ëndërr është një përjashtim.
Koha për t’u zgjuar nga gjumi.
Aty ku urrejtja ndan lindjen nga perëndimi…
Për të mbajtur peng sekretin…
Ndoshta edhe ndonjë arsye tjetër…
Për ta jetuar jetën.
Me aq sa më kujtohet, fajin e ka kënga me ide për trimëri..
Me përvojat e luftërave të humbura…

9.
Me patriotët parazitë koha e tashme, krahasuar me çfarëdo kohe tjetër, me mirësjelljen e ligjeve të pashkruara i ka harruar edhe të gjallët, edhe të vdekurit.
Me urrejtje të panevojshme, kësi budallenj bota deri tani nuk ka parë. Për t’i çuar në spitalin psikiatrik nuk janë kapur nga ajo sëmundje. Për t’i ndihmuar kohës.
Edhe ne.
Edhe ata. Duhet t’i harrojmë se në ç ’kohë po jetojmë.
Nga shkurtësia e jetës mund t’ia fusim gjumit, mund t’ia themi këngës dhe vajit të burrave.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.