MILOSAO

Një studim mbi poezinë e Natasha Lakos në hartën e letërsisë botërore

08:40 - 01.05.17 gsh.al
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play




Nga Florinda BORIÇI*

Ashtu sikurse shumë aspekte dhe konceptime të shkencave humane kanë ndryshuar si rezultat i zhvillimeve të shumanshme në gjysmën e dytë të shekullit XX, po ashtu edhe metodat, qasjet teorike, interpretimi dhe vizioni i studimeve letrare ka pësuar ndryshime të jashtëzakonshme, me të cilat studiuesit e të gjitha letërsive kombëtare (duhet të) përditësohen. Ndër arritjet më të mëdha për çdo letërsi është që autorët e saj të lexohen edhe në gjuhë të tjera. Sidomos për gjuhët si shqipja dhe shumë të tjera më pak të përhapura se ato shumëmilionëshe, kjo njohje ndërkombëtare ndodh sidomos përmes përkthimit. Por që të nxitet përkthimi nuk është e lehtë. Një mënyrë është që studime për këta autorë të botohen nga specialistët e fushës jashtë vendit dhe në gjuhë të ndryshme, përveçse në gjuhën përkatëse.
Shtëpia e njohur botuese akademike Cambridge Scholars Publishing ka botuar së fundmi një vëllim shkencor me studime të zgjedhura mbi gjuhët, letërsitë dhe kulturat anglofone dhe komparatistikën. Libri i titulluar Challenges of Anglophone Language(s), Literatures and Cultures (Sfida të gjuhës/ve, letërsive dhe kulturave anglofone) është një bashkëpunim i studiueses shqiptare Bavjola Shatro, Profesore e Asociuar e Letërsisë Bashkëkohore Shqipe dhe Botërore në Universitetin “Aleksandër Moisiu” në Shqipëri dhe Alena Kaçmarovës, Profesore e Asociuar në Institutin e Studimeve Britanike dhe Amerikane në Fakultetin e Arteve të Universitetit të Presovit, në Sllovaki. Ky libër është një botim në formatin co-editing, i cili nuk është shumë i përhapur në akademinë shqiptare, por paraqet një praktikë të zakonshme sidomos në akademinë e vendeve të ndryshme perëndimore dhe Europiano-qendrore. Ky libër është një vëllim shkencor me studime nga tri fusha të studimeve anglofone e të komparatistikës, përkatësisht nga ajo e gjuhësisë, letërsisë dhe kulturës. Libri është i ndërtuar në tri pjesë.
Pjesa e parë përbëhet nga tetë studime me tematika gjuhësore që ndahen në dy fusha: kontakti gjuhësor (anglisht-polonisht, anglisht-sllovakisht) dhe marrëdhënia gjuhë-kulturë si dhe perspektiva stilistikore dhe sintaksore. Studimet trajtojnë çështje të kohëve të fundit ne studimet gjuhësore anglofone dhe ofrojnë analiza interesante kryesisht të një natyre krahasuese. Gjuhët e krahasuara me anglishten janë gjuha sllovake, çeke e polake.
Pjesa e dytë përfshin katër studime në fushën e letërsisë që kanë të bëjnë kryesisht me letërsinë amerikane, angleze dhe australiane të shekullit XX dhe XXI. Studimet fokusohen në poezi dhe prozë dhe kanë të bëjnë me temat e identitetit, gjinisë, metaprozës, gjendjes postmoderne dhe çështje të tjera të rëndësishme teorike në letërsinë bashkëkohore. Analizat e gjera dhe interpretimet origjinale në këto studime hedhin dritë mbi zhvillimet e këtyre letërsive në anglisht përgjatë gjysmës së dytë të shekullit të njëzetë, në autorët e tyre përfaqësues dhe në disa prej veprave më të shquara prej këtyre autorëve. Punimet e këtyre studiuesve shpesh sugjerojnë qasje krahasuese për studime të mëtejshme më të thelluara.
Studimi Self-referentiality and Fiction Writing in Martin Amis’s ‘Money’ (Autoreferimi dhe shkrimi i prozës në romanin ‘Paraja’ të Martin Amis) nga profesori i letërsisë britanike Loran Gami, në Fakultetin e Gjuhëve të Huaja të Universitetit të Tiranës, fokusohet te romani “Paraja”, një nga më të njohurit e autorit britanik Martin Amis. Studimi synon të eksplorojë teknikat që përdor Amis, dhe në mënyrë të veçantë metaprozën. Shkurtimisht, punimi trajton edhe se çfarë është metaproza (ose autoreferimi) dhe sesi ndryshon ajo si nga romani realist, ashtu edhe nga ai modernist. Studimi fokusohet edhe te fakti sesi Amis vetë i merr në diskutim çështje të tilla estetike si realizmi, realiteti, proza artistike, motivimi dhe morali. Romani është metanarrativ dhe tërheq vëmendjen te trillimi i tekstit të tij dhe lexuesit bëhen të vetëdijshëm se po lexojnë një tekst, një trillim letrar. Amis diskuton çështje të tilla si marrëdhënia mes autorit dhe tekstit, mes lexuesit dhe tekstit, si dhe marrëdhënia mes autorit dhe krijimeve të tij. Në romane të tilla lexuesit bëhen pjesë të procesit të krijimit.
Studimi i dytë Tears Behind Laughter in Alexis Wright ‘Carpentaria’, (Lotët pas të qeshurës në veprën ‘Karpentaria’ të Alexis Wright) nga Jana Scigulinska, doktorante nga Universiteti e Presovit në Sllovaki, paraqet letërsinë bashkëkohore indigjene përmes romanit më të njohur të autores australiane Alexis Wright, Carpentaria botuar në 2006. Wright është një nga shkrimtarët më të vlerësuar me origjinë indigjene, që frymëzohet nga kozmologjia, nga strategjitë e ndryshme narrative, si dhe nga tradita gojore e tregimeve të fiseve aborigjene të Australisë duke u ndikuar prej tyre në stilin e saj specifik, i cili shkon përtej traditës letrare klasike perëndimore.
Studimi tjetër i pjesës së dytë The visual and the verbal in storytelling: writers’ (un)controlled development of narrative dynamism in semi-visual/hybrid novels and short stories (Pamorja dhe verbalja në tregimtari: zhvillimi i (pa)kontrolluar i dinamizmit narrativ në romanet dhe tregimet gjysëm pamore/ hibride) nga profesori Marek Tomasik i Universitetit të Presovit në Sllovaki, përdor materialet narrative të romaneve dhe tregimeve vizive të Odri Nifenegerit (Audrey Niffenegger) si trampolinë për të analizuar bashkëveprimin komunikativ ndërmjet dy kanaleve që shpesh janë të ndara dhe trajtohen veçmas, përkatësisht pamorja dhe verbalja në tekstet hibride.
Pjesa e tretë e këtij vëllimi studimor përfshin katër studime mbi kulturën anglofone të lidhura me tematika të një interesi konstant mes studiuesve të studimeve anglofone, të tilla si qasjet teorike në Studimet Kulturore që janë shumë të rëndësishme në kontekstin kulturor të ditëve të sotme, e në mënyrë të veçantë në universitetet e Europës perëndimore dhe qendrore. Çështje të tjera përfshijnë gjuhën dhe kulturën irlandeze, fenomene kulturore bashkëkohore të frymëzuara nga kudogjendja e teknologjisë dhe ndërhyrjet e saj në fusha të ndryshme të kulturës.

Një ndër veçoritë më të spikatura të librit është studimi i Pjesës së Dytë të tij, shkruar nga  studiuesja Bavjola Shatro me temën The Meaning of the Self in Contemporary American and Albanian Poetry. Being a Woman in the Poetry of Marge Piercy and Natasha Lako (Kuptimi i unit në poezinë bashkohore amerikane dhe shqiptare; Të jesh një grua në poezinë e Marxh Pirsit dhe Natasha Lakos). Ky studim analizon realitetin e ndërlikuar (poetik) të të qenurit grua dhe imazhet poetike që lidhen me këtë realitet në poezinë e dy poeteve përfaqësuese në poezinë amerikane dhe shqiptare, përkatësisht Marxh Pirsi dhe Natasha Lako. Kuptimi i vërtetë i unit në poezitë e tyre dhe mënyra sesi një grua (poete) krijon lidhje me veten dhe botën-  shprehur kryesisht përmes referimeve ndaj jetës së përditshme, trashëgimisë kulturore, konteksteve shoqërore dhe sistemeve simbolike dhe analogjike të bazuara gjerësisht te natyra dhe trupi i femrës- janë në qendër të kësaj analize. Natasha Lako është një poete e përveçme në letërsinë tonë dhe një nga risueset më të mëdha të poezisë bashkëkohore shqipe. Poezitë e saj janë përkthyer në 14 gjuhë. Studimi fokusohet në poezinë e Lakos gjatë periudhës së komunizmit, si edhe në vëllimet e saj botuar pas rënies së regjimit në vitet 1990. Ndërsa nga ana tjetër, Marxh Pirsi njihet tashmë si një nga përfaqësueset më të rëndësishme të letërsisë bashkëkohore amerikane. Ajo është një nga shkrimtaret klasike të poezisë amerikane të dekadave të fundit të shekullit të njëzetë dhe fillimit të shekullit të njëzet e një. Pirsi i përket atij grupi poetësh që janë në të njëjtën kohë në thelb politikë, por edhe thelbesisht të ndjeshëm ndaj kompleksitetit të brendshëm të individit, duke ndriçuar aspektet më të shtypura e të ndërlikuara të personalitetit, e veçanërisht të gruas.
Studimi përqendrohet kryesisht në poezitë që gjenden në librin me kujtime  të Marxh Pirsit “Sleeping with cats” (Duke fjetur me macet) dhe synon të analizojë marrëdhënien mes kujtesës dhe unit, si dhe shtresën autobiografike të poezive të saj që i drejtohet ngjarjeve shoqërore, kulturore dhe politike që  ka përjetuar Pirsi dhe që kanë influencuar botëkuptimin e saj mbi poezinë dhe letërsinë në përgjithësi.
Poezia e Pirsit dhe Lakos në këtë studim është analizuar në një mënyrë krahasuese dhe hermeneutike ku theksi është në aspekte të ndryshme që burojnë si nga analiza tekstit, ashtu edhe nga kontekstet kulturore. Si në poezinë e Pirsit, ashtu edhe në atë të Lakos kuptimi i unit lidhet ngushtësisht me të qenit grua dhe me vendin e gruas në botë. Të dyja autoret shprehin në poezitë e tyre se individi e në mënyrë të veçantë një grua është e rrethuar nga një pafundësi forcash që tentojnë ta formësojnë atë sipas këndvështrimeve të veta, të huaja. E për më tepër, të dyja poetet duket se kërkojnë një ekuilibër që kryesisht paraqitet si një marrëdhënie mendjehapur mes unit dhe botës.
Siç mund të merret me mend nisur edhe nga prejardhja dhe letërsitë e ndryshme ku përkasin poetet në fjalë, mes tyre ka dallime domethënëse, por ka edhe ngjashmëri të forta në mënyrën sesi këto dy poete  e perceptojnë  unin poetik dhe në konceptin e të qenit grua. Të dyja aspektet e krahasimit, qofshin ngjashmëritë ose ndryshimet evidentojnë të mirat e qasjes krahasuese mes poetëve që i përkasin mjediseve shumë të largëta letrare, por që ndajnë mes tyre shqetësime të ngjashme politike, shoqërore e kulturore dhe kanë ndjeshmëri poetike të krahasueshme mes tyre. Në fund, studiuesja Shatro thekson se një qasje e tillë ndaj poezisë së dy poeteve të shquara synon të kontribuojë në studimin e letërsisë në një perspektivë transkombëtare dhe krahasuese, si dhe të inkurajojë studimin e mëtejshëm të komunikimit të letërsive që janë në dukje të largëta, por gjithsesi nëpërmjet ngjashmërive dhe ndryshimeve të tyre hedhin dritë mbi mënyrën sesi ne lexojmë letërsinë në epokën e globalizmit, si dhe mund të na ndihmojë të kuptojmë më mirë konceptin e letërsisë botërore sot dhe vendin që letërsitë kombëtare kanë në procesin letrar në epokën e globalizmit.  Prandaj, studime të tilla janë gjithmonë të nevojshme dhe të rëndësishme jo vetëm për studiuesit e gjuhësisë, letërsisë e kulturës anglofone, por për të gjithë ata që kanë dëshirë të mësojnë më tepër rreth botës anglofone dhe marrëdhenieve mes letërsive dhe kulturave të ndryshme.
Në këtë kuptim, ky botim ka një vlerë të veçantë jo vetëm si arritje akademike e studiuesve shqiptarë në nivel ndërkombëtar e mbi të gjitha në Perëndim, por sepse evidenton veprën e një prej poeteve më të mira shqiptare Natasha Lakos në prizëm krahasues, më letërsi e autorë të njohur ndërkombëtarisht, duke nxitur vëmendjen e studiuesve të ndryshëm botërorë për veprën e kësaj poeteje të madhe shqiptare, dhe për poezinë e letërsinë shqipe në tërësi. Prandaj, ky vëllim studimor është veç të tjerave një nxitës, një inkurajim i fuqishëm qoftë për studiuesit e letërsisë shqipe, qoftë për ata të studimeve anglofone apo të kulturave të tjera, që të marrin në shqyrtim komunikimet e mundshme mes letërsive dhe autorëve, raportet mes letërsive të ndryshme dhe që t’i bëjnë publike gjetjet e tyre jo vetëm në mjedisin e ngushtë të një vendi, atë të vendit tonë, por në arenën e madhe botërore akademike ku edhe shkenca, edhe letërsia komunikojnë më hapur dhe më lehtë me këdo që u qaset me qëndrimin e duhur.

* Pedagoge e Letërsisë Amerikane në Universitetin “Aleksandër Moisiu” Durrës. Ky shkrim është fjala e mbajtur nga autorja në leksionin e hapur për prezantimin e përbashkët të dy librave “Challenges to Anglophone Languages(s), Literatures and Cultures”, Alena Kacmarova& Bavjola Shatro, dhe vëllimit më të ri poetik “Kundërpërfytyrimi” të poetes Natasha Lako, në Universitetin “Aleksandër Moisiu” në Javën e Librit Universitar, në prill 2017.

Titulli i shkrimit është Studimet anglofone, komparatistika dhe poezia bashkëkohore shqipe në një vëllim shkencor nga Alena Kaçmarova dhe Bavjola Shatro


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.