MILOSAO

Poezia / Tip poezie epigramatike ose konceptuale

08:46 - 01.05.17 gsh.al
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play




Nga Moikom ZEQO

KRISHTLINDJA E ZEZË
Çdo krijesë, – duket, – se rrjedh, – me shpejtësi, – tek unë!
O, lavra të vogla! – Si i shpikni, – krahët, -e  fluturave? – O, ëndërra! – Si bëheni, – Argonaute, – të Shpirtit?
Tek kjo lule, – frymon, – një emër i fshehtë, – i shekujve!
Dhe çdo Vdekje, – që vjen, – është, – përherë, – “e dikurshme!” – Dhe përroi, – rrjedh, – pa gramatikë. – Dhe Nata, – afrohet, – si Krishtlindja e Zezë!
Tani Zoti, Zoti, – prej interneti, – është!
2008

LETËRNJOFTIMI I GRISUR PËR AMËSHIMIN
Qui dermiunt i terrae pulvere,
erigilabunt, alii in vitam aeternam,
et alii in approbrium,
ut videant seper.*
Dita, – befas, – ngryset, – si një letërnjoftim, – i grisur, – për Amëshimin!
Prania tënde, e dashur, – e padukshme, – është, – si deti, – dhe stinët, – në internet!
Era, – shkund, – gjethe, – pasthirrmat, – e drurëve, – hënorë!
Historia, – shkon – në shtëpi, – s’ka abazhur, – të lexojë – vetveten. – Atë, – një vullkan, – e ndriçon!
2008
* «Nga ata, që flenë nën tokë, disa do të zgjohen në jetën e amshuar, kurse të tjerët, në vuajtje të përjetshme, le t’i kujtojmë përgjithmonë!» (latinisht)

ZOGU I MBRAMË
Heraklit i Efesit! – Nuk futesh – dy herë, – në të njëjtën Kohë! – Gishti me nikotinë i Hënës, – shfleton – një fletë, – të Librit të Shpirtit tim! – Ku jemi kuaj, – lexuesit e mi, – kuriozë?
Shpesh metaforat – i kam katakombe – për të krishterët e hershëm, – të masakruar, – nga përndjekja e egër romake!
Dëgjoj, – zogun e mbramë të botës! – Asgjënë, – s’ja le trashëgim – Askujt!
2008

GORGONA TË KUQE NË MINIATURË
Ciceroni tha : «Kush s’ka varr, – mbulohet nga qielli!» – Dhe Lukani shtoi : «Mund të shkohet në qiell, – nga çdo anë!» – Të tërë vdesin – për atë – që ndodh, – në të vërtetë, – për të shkuarën. – Veç poetët, – s’vdesin dot, – madje, – as në të ardhmen!
Si t’ia shtosh, – kundërmbimin e shirave, – ëndrrës? – Në brigjet, – jonike, – jam i tejdukshëm, – s’kam nevojë, – të identifikohem këtu!
Në kopsht shoh manaferrat, – si Gorgona të kuqe, – në miniaturë!
2008

UNIVERSI, KALË, QË QESH
Poeti thotë : «Universi, – është një kalë, – që qesh!» – Të plogëtit, – gogësijnë, – mbi kolltukët prej sarkofagu! – Po gjethet e reja, – e shpikin pafundësisht, – pranverën!
Qielli, – është lëkura, – e ëndrrës!
Po ditët e mërzitshme, – tani janë, – si trandafilë plot pleshta!
Përplaset mbi ne, – një shqiponjë nga zeniti! – Mos është, – grushti i Zotit, Zotit, – mbi kokat tona rebele!
2008

NDRIÇUESI QIELLOR
Mbi lulëkuqet e porsambira, – rri i motshëm, – malli im! – Por, brenda zambakëve të bregdetit, – ka edhe ëndërra të fshehura.
Kush është ai njeri, – që nga nëndheu i errët, – është ndriçues qiellor?
Mëngjes! – O, art i paartikulueshëm! – Dhe vdekja e mizave, – është si e hyjnive! – Kush prêt, – që unë të vdes, – të bëjë kopsa, – nga eshtrat e mia?
Do të vijë, – një det, – tek ty e dashur, – si qengji i humbur nga grigja.
2008

NËN FLAMURIN E PADUKSHËM TË REALITETIT
Esenca, – është e arritshme, – në fjalë! – Po pemët, – s’u kërkojnë falje gurëve, – pse s’janë, – shkëmbej! – Ç‘është ky ndriçim i mbinatyrshëm, – nga çdo peizazh? – Dhe sendet, – janë të sigurta, – nën flamuri e padukshëm, – të realitetit!
Ah, përfytyrimi i rrejshëm, – i autoritetit! – Ç’është, – ky Princ i Artë, – i luftës së pikturuar? – Pse Virtyti, – pispilloset – me Famë?
Kuptimi, – rri brenda, – në fjalë, – si vdekuri, – në sarkofag! – Lëviz duart, – sikur masturboj, – universin!
2008

DIONISI I KRYQËZUAR NË VEND TË KRISHTIT
Ja, shkëmbejtë, – këpucët e zotave! – Por unë, – s’jam lustraxhiu i tyre! – Amen!
Agimi, – kalë, – i papikturuar, – plotësisht, – nga artisti impresionist!
Vjeshta, – rri, – në supet e fëmijërisë time – si këmishë princi, – e arnuar!
Ah, – gjer, – në palcë, – të eshtrave, – e ndjej, – pagjumësinë jeshile, – të pemëve!
Në Apokalipsin ekologjik – e gjej Dionisin, – të kryqëzuar – në vend – të Krishtit!
2008

E BALSAMOS SHTRËNGATËN E NJËQIND DETEVE
Le të mbetem, – një pështymë rebele, – mbi Altarin e Artit!
Dhe e mbush, – me ylber, – kupën e hyjnive, – për ambrozin e Pavdekësisë!
Dhe ëndërrat, – i kam, – si shpikjen, – më sublime, – postare, – për njerëzit, – dhe shekujt!
O, kristale fluturuese, – pa kimi qiejsh! – Dhe në një rrokje, – unë e balsamos, – shtrëngatën, – e njëqind deteve!
Paradoksi, – është femër, – dhe përherë – shtatzënë!
2008

NË URNËN MË TË SIGURTË TË AMËSHIMIT
Perfeksionohen avionët, – po më i miri, – është ai, – prej letre, – nga librat e mi, – hedhur në ajër, – nga një dorë fëmije!
Kush, – në një shishe Whisky, – e ka futur, – Lirinë, – e Botës? – Ah, vëreni, – hirin tim, – në veshin e prerë, – të Van Gogut, – si në urnën më të sigurtë, – të Amëshimit!
Këto lule të lashta, – s’kanë zemra elektrike!
Njerëz të së Ardhmes! – Me lupën e detit, – zmadhoni, – tiparet, – dhe imtësirat e mia!
2008

SHTRËNGATAT, DISHEPUJT E MI
Jam, – një Tagorë – me tirqe, – në kopshtin, – me plagët trandafila, – të popullit! – Kush – e rrjep, – palloin paleokristian, – të Diellit?
Mbas udhëtimit të Jetës, – shalojmë Vdekjen, – si kalin më besnik!
Ç’janë, – këto pulëbardha, – që bëhen të zeza, – si në djegien e një filmi, – në stampim?
Më ndjekin, – shtrëngatat, – dishepujt e mi, – po pa apoteoza, – pa ungjij!
2008

KERUBINËT URINOJNË NGA FRIKA
Ç’ëndërra të mëdha! – Dhe ç’realitete të mjera!
Kush do t’i gjejë, – duart e mia, – të pluhurosura, – nga Vdekja? – Ah, pasardhës, pasardhës!
Në një epokë ankthi, – urinojnë – dhe kerubinët – nga frika!
Dhe lypësi më i mjerë, – i hakërrohet Dantes: “- Ti s’di, – asgjë, – për Ferrin!”
Nga vallet e hijeve, – krijohen, – lulet?
2008

GJERGJ KASTRIOTI I RI
Shoh njerëzit, – në makinat, – e ndaluara, – befas – si të vdekur, – në arkivole!
Mbase, – vetëm – thundrat e kuajve, – në agim, – larg teknologjive të sofistikuara, – mund ta shpikin, – një Gjergj Kastriot të Ri!
Unë vdes, – përditë, – nga pak, – që ju, – të jetoni, – sa më gjatë! – Amen!
Ah, – Amëshimi, – më çliron, – përfundimisht, – nga muskujt – por dhe nga dhimbjet!
Damarët e mi, – e Ardhmja, – lidhëse – për këpucët e saj, – i ka!
2008

DELET E KRISHTIT VESHUR ME FRAK
Do ta shpik, – një revolucion shtrëngatash, – ndaj detit perandorak, – në perëndim të Diellit!
Të Ardhmen, – e ndjejmë, – të gjithë, – si praninë, – e Zotit, Zotit, – që kurrë, – nuk e pamë!
Ja, delet e Krishtit, – veshur, – me frak! – Pa Buzukun, – pa Migjenin, – Koha e shqiptarëve, – do të ishte, – orë pa akrepa!
Ah, sikur të lindja, – në Kualalumpur, – a në planetin Mars, – do të vdisja, – do të vdisja, – veç në Durrës!
2008

KOMBI FUTURIST I XHIRAFAVE
Wallace Stevensi, – ëndërron, – mes trembëdhjetë mënyrave, – për të parë, një mëllenjë! – Shtëpitë, – rreth e qark – janë fantazma! – Vetëm, – një detar i vjetër, – futur, – në çizme, – i pirë, – dhe përgjumësh, – kap tigra të kuq, – në motin, – e stuhive!
Ç‘janë, – këto dinozaurë, – që kullosin, – në pllajën – e Vetmisë – time?
Ja, po vjen, – kombi futurist, – i xhirafave, – që po zhduken, – dhe më luten, – t’i udhëheq!
2008

DEMONËT NË STUDION E CHAGALL-IT
Te studio e Chagall-it, – vinin – kaq shpesh, – demonë, – pozonin, – por piktori, – i kuptonte, – thjeshtë, – si ngjyra, – jo si fytyra!
Ah, dialogë të lirshëm, – si arti i akuareleve! – Elektriciteti, – më jep – qershitë e tij, – të rrezikshme!
Ah, të jem – Argonaut idesh, – mbi bashin e Hënës, – mes dallgësh!
Çdo humnerë, – është, – një vrimëz, – në shollën, – e këpucëve, – të mia!
Vërtiten – sytë e Homerit, – si rrotat – e kuadrigës – së Akilit!
2008

MJELLMAT E PURPURTA
Ç‘më ngjan, – ky qytet, – si skelet anije? – Ç’udhëtime detare – kanë ngjarë?
Ah, Sibilat e Bogdanit – s’e këndojnë dot, – „Marsejezën”!
Kjo shkretëtirë, – është ëndërruar, – dikur, – nga një Perandor, – i Bizantit, – emri, – i të cilit, – nuk gjendet, – në kronika!
Ah, mitet ilire, – dua, – t’i amshoj, – në metafora, – të vetëdijshme! – Ajme!
Brenda, – fyellit, – të Panit, – flenë, – fluturimet – e mjellmave – të purpurta!
2008

TË FALAT E DHJETË OQEANEVE
Na sulmon, – agimi apokaliptik, – i Shtazës Shpëtimtare! – Po, unë – stemën princërore, – të Pikëllimit, – e kam – në horizontet – e Lirikës! – Një Njeri i Panjohur, – erdhi – tek unë – dhe më dha të falat – e dhjetë oqeaneve!
Poeti, – i njeh, – tërë fjalëkalimet, – e shekujve!
Ah, – i kam mbetur, – Lirisë, – në fyt!
Ç‘majmunë – u dashuruan, – me kompjutrat?
Ç‘gijotinë, – llomotit, – me gjuhën – e hekur, – duke artikuluar – koka të prera, – si fjalë fatale?
2008

ÇELSI BUTAFORIK
Në nënkrejse – kam, – puplat – e tërë zogjve, – të shekujve, – pra, – koka ime, – fle, – veç, – mbi, – fluturimet – e dikurshme!
Në Parajsë, – s’ka çelsa! – Shën Pjetri, – e mban, – ashtu kot, – një çels butaforik!
Si ta bëj, – reduktimin – e tërë universit, – tek – një gjethe e vetme!
Ah, – dhe, – një rrokje, – timen, ekuinoks, – do ta kemi!
Një shqiponjë, – e verbuar, – më lutet, – më lutet, – t’i jap – sytë e mi! – Mos është – vetë Homeri, – me pupla – amshimi?
2008

NJERËZ PA EMRA SI PLESHTAT
Mortus pater
filium moriturum
expect.*
Kush, – mbledh, – bishtukë rrufesh, – në vreshtat qiellore?
A mundet, – vallë, – në bisht, – të stuhisë, – të jem, – përherë, – një glasë, – të vetvetes?
Në gotën time, – të verës, – noton, – një Behemot biblik!
Sa shumë njerëz, – pa emra, – janë – në lëkurën – e Historisë, – si pleshtat!
Në prag, – pres, – stuhitë, – të mbathin, – këpucët – e mia!
2008
* “Babai i vdekur pret birin / që duhet, të vdesë” (latinisht).

SHKEL MBI TË PAPRITURËN
Poeti, – qendërzon, – Universin! – Pse tha Allen Ginsbergu „The Happy Birthday of Death!” ?– Unë shkel, – mbi të Papriturën, – si tërmet, – i përcaktuar, – nga ekuinokset, – e së Ardhmes! – O, Vetmi, – e infinitit, – ku Iluzioni, – flet, – me dialektin hyjnor, – të së Vërtetës!
Kush, – atdheun, – e quajti “treg”?
Pse, – engjejtë, – çveshin, – rrobat e bluarta, – të oborrtarëve, – dhe veshin, – leckat, – e lebrozëve, – dhe lypsave?
Pse, – drurët, – lumi, – yjet, – dhe stuhia, – mbajnë, – erë njeriu?
2008

TEK DETI I SHPIRTRAVE
Fluturoj, – tek Deti i Shpirtrave! – Shirat, – e mbulojnë, – qytetin, – si koret ambroziane, – kishtare! – Ca Xixëllonja demoniake, – m’i ndriçojnë, – bodrumet, – e kujtesës!
Dhe do të vijë, – do të mbrijë, – Agimi Migjenian, – si heraldikë blasfemie!
Të vdekur! – Zoti, Zoti, – s’i lexon testamentet! – S’i njeh – noterët! – Zoti, Zoti, – refuzon, – tërë, – të panjohurve, – t’u japë – qiellin, – me qira!
Të gjallë! – Këtë vjeshtë të artë, – e kemi – nga unë, – kishën – e Përdëllimit – tuaj.
2008

TEMJANI KOZMIK
O, engjëj të drurëve! – Deti, – ju thërret!
Këto, – hije magjistarësh, – mos janë, – veset e mia, – të krijimit?
Heshtni, o Zota! – Të flasin, – poetët! – Si arrin, – kështu, – deri tek unë, – temjani kozmik, – i një ylli, – të vetëflijuar?
Po shkoj, – po shkoj, – të shtrihem, – të qetësoj, – pak, – eshtrat, – në baldakinin – e vjeshtës, – si Milosaos!
Nxijnë, – shkëmbejtë, – nën shtrëngatë, – truri im, – i karbonizuar!
2008

DETI, TRUPI I LUÇIFERRIT
Mbase ky det, – është, – trupi, – i Luçiferrit!
Kohëra të panjohura! – Mes jush, – nuk më ndalni dot!
Në farkën e agimit, – e kalis, – shpatën, – e guximit tim!
Ah, filozofi! – O, tempull, – që shpesh, – të shmangem, – si një klinikë, – për metaforat poetike!
Deti! – Ah deti, deti! – E feston, – madhërisht, – si të Kremten e Madhe – vetë vdekjen time!
2008

HOSANA PËR GJITHËSINË
Serafinët, – e zjarrtë, – të Vjeshtës, – ëndërrojnë, – reshje dëbore!
Dhe Nata, – përvidhet, – si mace, – e shenjtë, – egjiptiane!
Dhe deti epikurian, – pi, – dollitë, – e lumenjve, – me eks! – Dhe brohoret, – me shtrëngata, – gëzimi! – Ah, – deti, – që thotë: – Hosana, – për Gjithësinë!
Satana! – Më ndihmo, – të ngre – këtë kapak – sarkofagu, – të shkojmë, – bashkë, – të pimë, – në një mejhane, – të gjallësh!
2008

HELMI ALKIMIK I AMËSHIMIT
Lulet, – flakërim, – i bardhë! – E unë, – fermentoj, – nga këto lule, – Helmin, – Alkimik, – të Amëshimit, – tim, – të kotë!
Peizazhe, – të galvanizuar, – me përdëllimin, – tim! – Jam, – balsamosur, – për sytë kureshtarë, – të engjëjve, – në një Herbarium Shpirtëror!
Dhe rrugët, – luhaten, – si miliona, – duart, – e Hyjnive Hinduese!
Ah, – kjo mesditë, – e nxehtë, – e padurueshme, – e Jugut, – është, – pavetëdija, – ime, – pa kufi!
2008

GJUMI, FANTAZMA QË MË GLLABËRON
Gjumi, – është – fantazma, – e vdekjes, – që vjen, – rregullisht, – dhe më gllabëron, – çdo natë!
Mona Lizës, – i ve, – kapelën – e Whitmanit – dhe këtë – estetët – s’di pse, – e quajnë, – art konceptual.
Ah, – erëvrapuesit! – Ah, kuajshtrëngatat! Homeri, – hedh – në trupin lakuriq – dhe të drobitur, – loshnikun – e Kashtës së Kumtrit!
Këmbçjerrë, – s’do të më lënë, – të hyj, – tek banesa, – e kerubinëve, – por retë, – në skaj, – të qiellit, – janë argjil, – që gishtat, – e një skulptori, – të padukshëm, – e bëjnë, – figurën – e një Hyjneshe!
2008

“E KËTUSHMJA”ËSHTË DHE „E ATJESHMJA”
Arti, – është, – empirizëm vetiak, – përvojë, – e papërsëritshme, – që thotë, – se „e këtushmja”, – është dhe „e atjeshmja”.
Si piktorët, – e Bizantit, – që arrijnë, – deri, – tek ngjyrat, – e pastra, – që zbulojnë, – dhe trajtojnë, – „hyjnoren”, – unë, – kërkoj – origjinalitetin – këlthitës – të Poezisë, – për të shkatërruar, – „neurozat kolektive” – të mediokritetit!
Dhe brenda, – vetes, – jam, – edhe ai, – që isha, – para – 3000 vjetësh!
2008

KOKA E VDEKJES ME KURORA ZOTASH
Tek këto degë, – jashtë dritares, – luhaten duart – e atit tim, – të vdekur, – gjysmë shekulli, – më parë!
Ah, koka e Vdekjes, – me kurora zotash! – Deti, – feston, – amëshimin, – e erërave! – A mund – t’i besoni, – secilës fjalë, – që ju them? – Dhe çastet, – janë, – jetëshkurtër, – si magji teatri!

E nëse – do të jem – i vdekur – në Kohë, – në Hapësirë – do të lëviz – pareshtur!
Pse kjo rrugicë dëshpërimi – më çon – tek ylberi?
2008

NË SYTË E KUAJVE DHE DELFINËVE
Këto yje, – do të pyllëzohen – në sytë e kuajve, – dhe delfinëve! – Dhe një pulëbardhë e Milosaos – e ka bërë fole, – kafkën e Adamit, – nën kryqin, – në Golgota!
Krahasimet, – i kam, – shpesh, – si engjëj të rrëzuar! – Njeriu, – dhe Poezia, – përplasen, – si një hark elektrik!
Kush flet, – për fluturime kozmike, – ndërsa, – unë, – dergjem, – në fundin, – e oqeaneve – të Dhembjes?
2008

KJO PËLLUMBESHË, KUSHURIRA E HËNËS
Nga vjen, – që nga larg – kjo pëllumbeshë, – si të qe kushërira e Hënës?
Vjollcat lulëzojnë, – si qilima persiane – dhe drurët në kopsht, – luajnë trille të Vivaldit!
Asnjë pelikan, – s’më bën pyetjet: „Nga vijmë?”, „Ku shkojmë?”
Ç‘është kjo qetësi e madhe? – Qetësi? – Por ama plot xhinde!
Dhe fytyrizohen vjeshtat – si njëmijë metamorfoza – të Hyut Dionis!
2008

PIKËLLIM KRENAR! PREJ BRONXI QOFSH TI!
Tërë kryeengjëjt, – zbresin nga qiejt, – dhe vijnë të më lajnë, këmbët e lodhura, – nga udhëtimet e pafundme!
Dhe rrufetë, – rrjedhin me çurk, – si gjak, – nga aortat e Vjeshtës!
Mbi det – lëvizin drerë madhështorë,- kristali blu!
Dhe Poeti, – është njëherësh, Zot dhe Satana!
Dhe kostelacionit rrëzohen – si gurë dominoje!
O, pikëllim krenar! – Prej bronxi të pavdekshëm, – qofsh ti!-Qofsh ti!-Qofshi ti!
2008
SHKËMBEJTË SHPIKIN LUANË
Dorëshkrimet e pabotuara, – janë kripta e poetit! – Një shi i skithët, analfabet, – lag mjeshtërinë e Fjalës!
Dhe rrotat e zjarrta plot sy të Ekzekielit, – vërtiten tani, – si mekanizma surrealiste – në Uzinën Kozmike, – të Fatit të secilit!
Ah, Ferri dantesk i pashmangshëm! – Në moralitet hakmarrës, – të pafund!
Ah, këta shkëmbenj të vendlindjes, – që i dua, –  shpikin luanë!
2008

MUZGU, GJAHTAR ANTIK I YJEVE
Zogj të dëshpëruar, – dalin – nga ëndërra! – Pse metaforat, – janë, – rroba ceremoniale, – të fjalëve?
Më pret – deti i madh tani, – si sarkofag i zbrazur perandori!
Ja, vetëdija ime! – Po ju krezmoj me të, – të gjithëve!
Dyshimi, – ecën këmbëzbathur, – i shpuar, – nga gjembat! – Dhe urtësitë e lashta, – s’e ndjekin dot – nga pas! – Por brenda, – kupës time të zbrazur, – kumbon, – tërë Gjithësia!
Dhe shoh muzgun, – si i ndjek yjet, – si gjahtar antik!
2008

NË ZËRIN TIM KA HYRË PAGJUMËSIA
Në zërin tim, – ka hyrë pagjumësia, – si shpata, – që futet në plagë!
Dhe unë shtegtoj, – tek Arusha e Vogël, – fshat qiellor i idileve.
Ujërat janë, – brigjeve të gjelbëruar, – por nimfat, – kanë humbur.
Këndezë me pupla heraldike! – Si të pimë, – verën e zjarrtë, – të fermentuar – prej rrufeve të epokës?
Dhe mjellmat, – kërkojnë, – mauzoletë e heronjve, – prej mermeri të reve, – në lartësi!
Ah, agim i lashtë! – S’i s’humbi, – s’u zhduk, – shkëlqimi yt, – i pafund?
2008

FËMIJËRIA, QYTET ARKEOLOGJIK, I BRAKTISUR
Gurgullima e përroit, – si metaforë lasgushiane! – Dhe unë, – luleve të porsambira, – u bije, – në gjunjë – me përkushtim!
Fije bari, – plot vesë simbolike! – Dhe yjet, – shpërndahen, – si temjan!
Ah, zëri rënkues, – i hapësirave, – pa emër! – Çdo poet, – në trup, – e ka, – ADN-në e yjeve! – Dhe rrufetë, – janë vizatime dafinash! – Shkëlqimi – përkëdhel, – gjithçka! – Dhe Koha Profetike – po afron, – po vjen, – po vjen!
Ç’kuaj, – kam mbrehur, – për të tërhequr, – trupat e rëndë, – të shekujve të plagosur?
Ah, e kam lënë, – kaq kohë, – fëmijërinë, – si qytet arkeologjik, – të braktisur, – në mal!
2008


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.