SPORT

Demi: Fiton Partizani sepse është më i forti

10:53 - 05.05.17 gsh.al
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play




Jeton SELIMI

Presidenti Gazmend Demi po shijon frytet e punës së tij. Që nga rikthimi i skuadrës së kuqe në Superligë, nën drejtimin e tij, Partizani është kthyer në një nga top-ekipet e kampionatit dhe prej tri vitesh është pranë fitimit të titullit kampion. Por shanset më të mëdha duket se i ka në këtë sezon, kur prej disa javësh po bashkëudhëheq kampionatin me Kukësin, ndërsa sot dy kryesueset do të ndeshen mes tyre. Në një intervistë për “Supersport”, bosi i të kuqve flet rreth pritshmërive të tij për 90-minutëshin nga i cili do të vendoset një pjesë e mirë e titullit kampion.

Si e prisni ndeshjen me Kukësin?

Ndeshjen me Kukësin e pres mjaft i qetë, mendoj se është një ndeshje e radhës. Do të ballafaqohen 2 prej 3 skuadrave pretendente për titull, por ne dhe Kukësi në këtë moment jemi me pikë të barabarta. Besoj se do të jetë një ndeshje interesante.

A keni biseduar me stafin dhe lojtarët përpara kësaj ndeshjeje?

Patjetër që jam në komunikim të vazhdueshëm me stafin dhe lojtarët. Është një atmosferë mjaft e mirë në ekip, mendoj që do të triumfojmë në këtë ndeshje.

Ku mendoni se skuadra juaj është më e fortë se kundërshtari?

Për sa i përket pjesës teknike, nuk mund të jap shpjegim të saktë, por personalisht mendoj se kemi një grup të fortë lojtarësh, nga portieri Hoxha e deri tek Ekuban. Por për mua më i rëndësishëm është grupi sesa individë të veçantë.

Tashmë është viti i 3-të që Partizani synon titullin; si e shikon çështjen e titullit në Shqipëri presidenti Demi?

Klubi “Partizani”, që në momentin që është ringjitur në Kategorinë Superiore ka synuar titullin. Vjet ishim mjaft afër, por fati nuk ishte me ne për ta fituar titullin. Bëmë shumë gabime me skuadrat të ashtuquajtura të vogla. Mendoj se këtë vit është edhe më i bukur kampionati, pasi janë 3 skuadra në luftë për trofeun, me Skënderbeun që ka një eksperiencë të madhe, Kukësi po ashtu, dhe ne Partizani, ndaj lufta do të jetë deri në javën e fundit. Këtë vit kampionatin e shoh më të ngjeshur, pasi përveç Korabit që tashmë është konfirmuar si skuadra e parë që do të zbresë një kategori më poshtë, lufta në skuadrat e tjera bëhet jo vetëm për të siguruar mbijetesën, por edhe për të synuar vendin e 4-rt, pasi janë në lojë edhe 15 pikë.

Kërkesa juaj për gjyqtarë të huaj është miratuar; përse e kërkuat këtë?

Opinionet e fundit në lidhje me gjykimet, por edhe vetë fjalët e presidentit Duka, i cili i përforcoi këto opinione se ka edhe gjyqtarë të korruptuar, menduam të kërkojmë arbitra të huaj. Ky është edhe një favor që ne i kemi bërë Federatës, për ta qetësuar edhe institucionin e futbollit që në fund të mos dëgjojmë barsoleta. Mendojmë që të huajt do të jenë më korrektë. Pavarësisht se edhe ata njerëz janë dhe mund të bëjnë gabime, por mendoj se të dy klubet me këtë zgjedhje do të jenë më të qetë.

Si është raporti juaj me presidentin e Kukësit, z. Gjici?

Raporti im me presidentin e Kukësit është shumë i mirë, marrëdhënie kolegësh. Edhe Gjici ka bërë një punë shumë të mirë te Kukësi me investime, pastaj në fushë nuk ka punë raportesh, secili është me skuadrën e vet. E uroj Safetin për nismën që do të kandidojë për deputet, kështu që ai tashmë ka 2 kunguj nën një sqetull; lufton edhe për kampionatin, edhe për postin e deputetit.

Së fundmi, flitet që Starova në fund të kampionatit mund të largohet nga posti i trajnerit. A është e vërtetë që Starova do të kandidojë për postin e presidentit të Federatës?

E para, presidenti i Federatës nuk mund të kandidohet me emra, por me platforma. E dyta, nuk e di nëse Starova ka një platformë apo jo, s’mund të jap përgjigje për këtë, por me sa kam informacion, di që më përpara Starova ka qenë pjesë e Federatës. Për sa i përket Partizanit, të gjithë e dini që unë me Starovën kemi bërë një marrëveshje xhentëlmenësh; Starova do të dalë në pension me mua personalisht dhe me Partizanin. Rolin e trajnerit e ka ai vetë në dorë, nëse do të qëndrojë apo të largohet. Ju e dini se njëkohësisht Starova është edhe këshilltari im kryesor. Tani që është afruar edhe Moxhi, ata do të jenë të dy përkrah meje, gjithmonë nëse Starova do të kërkojë të mos ushtrojë më profesionin e trajnerit. Megjithatë unë e shoh Starovën fizikisht të fortë dhe ndoshta nuk ka pse ta lërë Partizanin në një moment për më tepër që mund ta nxjerrë kampion, ndaj vazhdimësia e tij në drejtimin e skuadrës do të varet nga dëshira e tij.

 

 


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.