KULTURË

Zbulohen rrënoja të një vendbanimi 1600-vjeçar në Korçë

11:34 - 11.05.17 gsh.al
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play


Një vendbanim i cili daton që nga periudha e hershme e epokës së hekurit (shek. X – IX para erës sonë) e deri në periudhën e vonë romake (shek. IV – V të erës sonë), është zbulimi më i ri i dalë në dritë pranë Korçës. Të dhënat janë paraprake e përfundime nga vlerësimi i materialeve prej qeramike të gjetura.
Zbulimi është bërë gjatë punimeve për pastrimin dhe sistemimin e korridorit të kalimit përgjatë gjurmës së Gazsjellësit Trans Adriatik, TAP, në afërsi të fshatit Turan, në Korçë, u zbuluan rrënojat e një vendbanimi të hershëm. Sipas vlerësimeve paraprake nga ekspertët e trashëgimisë kulturore, mendohet se bëhet fjalë për një zonë që gjatë mesjetës (shek. XII – XV), hapësira të jetë përdorur si varrezë, duke iu mbivënë funksioneve që ka pasur në periudhat e mëparshme.
Sipas një njoftimi dërguar mediave nga TAP, punimet nga ana e kontraktorit kanë ndaluar menjëherë sapo janë vënë re rrënojat arkeologjike dhe menjëherë është njoftuar Agjencia e Shërbimit Arkeologjik (AShA). Përfaqësuesit e trashëgimisë kulturore të këtij institucioni kanë kryer vlerësimin e kësaj gjetjeje rastësore, ndërkohë që Këshilli Kombëtar i Arkeologjisë nisi gërmimet e shpëtimit që po realizohen nga arkeologë profesionistë. Zona është rrethuar dhe punimet për ndërtimin e gazsjellës pritet që të rifillojnë pas një muaji, kur institucionet përkatëse të kenë përfunduar vlerësimin dhe raportin e tyre.
Neil Fairburn, Këshilltar për Trashëgiminë Kulturore i gazsjellësit, tha se: “Shpëtimi dhe mbrojtja e trashëgimisë kulturore përgjatë gjurmës së gazsjellësit është shumë e rëndësishme për TAP. Ne kemi zhvilluar një numër të madh studimesh para fillimit të ndërtimit dhe kemi ngritur mekanizma për të minimizuar ndikimin mbi trashëgiminë kulturore, mjedisin apo komunitetet. Ekipet tona vijojnë të monitorojnë gjurmën e gazsjellësit dhe të ruajnë çdo element të trashëgimisë kulturore në përputhje me planin e TAP për menaxhimin e trashëgimisë kulturore, ligjet e Bashkimit Evropian dhe praktikat më të mira të industrisë.”
Më shumë se 30 ekspertë të trashëgimisë kulturore dhe arkeologë janë bërë pjesë e projektit të gazsjellësit për të ndjekur nga afër ndërtimin e gazsjellësit në Shqipëri. Gjatë punimeve ata sigurojnë që çdo gjetje arkeologjike të identifikohet dhe të mos dëmtohet. Gjithashtu kontraktorët e gazsjellësit dhe punëtorët janë informuar dhe trajnuar për hapat që duhet të ndjekin në rastin e një gjetjeje arkeologjike të rastësishme. Të gjitha artefaktet dhe gjetjet arkeologjike u janë dorëzuar autoriteteve përkatëse shqiptare, të cilat sigurojnë ekspozimin e tyre për publikun. Në korrik të vitit 2016, TAP zbuloi në zonën e Skraparit një kapitel të shekullit VI.





Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.