MILOSAO

Poezi nga Agim Venica

08:27 - 15.05.17 gsh.al
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play




Nga Agim Vinca

ROMANCË VERE

Te ura e Drinit piskasin fëmijët
Tek hidhen nga parmakët.
Një djalosh me mjekër si saudit
Shet libra për profetët.

Dielli ngjitet thik përpjetë
Asfalti i nxehtë valë.
Te tavolina lart në breg
Mevludë, ilmihalë.

Si peshq pllaq e plluq fëmijët
Çapkënët struganë.
Bekuar uji që i rrit!
Pa lutje e temjan.

Në Bluesky bosët pinë koktej.
Cicërojnë celularët.
Alo, zemra!… Ku je?… Okej!
Tolloviten shqiptarët.

Te ura e Drinit, mes qytetit.
Stërkala uji e gazi.
O Zot, ç’njerëz! Mjek’r e poetit
Trandet nga marazi.
Strugë, verë 2008

POETI ME KONE
(Për Lasgushin dhe qenin e tij)

Mesditë gushti. Verë. Vapë e zagushi…
Te café-bar Relax me veten time rri.
Rrufis kafenë ekspres e cigaren thith
Në ajrin e vakët një pulëbardhë klith.

Bën vapë, Lasgush, vapë e zagushi
Te café-bar Relax kuvendoj me ty…

Dhe ti si unë dikur andej matanë,
Veç kones sate – askënd pranë.
Më të flisje, me të qeshje e qaje…
Thonë se dhe shtratin me të e ndaje.

Përballë kam Eseninin, kaçurrelin bjond,
Që qenin e Kaçallovit e qau me lot…

Janë të marrë poetët dëgjon të thonë shpesh
E ndodh dhe t’i gërgasin ca laro e syleshë…
Po sakaq ndër mend një mendim më vjen:
«Më mirë një qen mik sesa një mik qen!»

Mesditë gushti. Verë. Zhurmë e vetmi.
Te café-bar Relax me veten time rri …
(Strugë, 2016)

ELEGJI PËR MOTRËN
(Në stil gjysmëveleshtar)

«Do t’i vete prapa djalit,
Siç i vete era malit».
Këngë popullore arvanitase

Iku dhe motra e madhe, Zinija
Papritmas një mëngjes.
Shkoi siç shkon tek nëna bija
Me mall e përdëllesë.

Shkoi siç shkon motra tek motra
Më e mira ndër shoqe.
Eh, motërzeza, motërmjera:
«Çish hoqa, çish hoqe!»1

Iku dhe motra e madhe, Zinija
U tret si qiriri.
Me hap të lehtë si puhia
Vajti tek i biri.

Vajti zemërpërvëluar
Me plagë në gji.
Tek yll i saj i pashuar
Q’u dogj aq i ri.

Iku pa fjalë motërmira
Si nuse me tel.
Atje tek sundon errësira
Të prehet një herë!
Prishtinë, nëntor 2008

DUF SHEKUJSH
(Sipas një mbishkrimi të shekullit XIX)

Gjyshi nga Tetova përkujton të nipin,
Andonin e Dukës nga Reka e Dibrës,
Me një mbishkrim varri gdhendur në gur.

«Këtu, nën këtë rrasë të ftohtë, a rrmua edhe kalbet
trupi i Andçes, biri i Dukos, xhelep prej Dufit».
Moti i Tynëzot 1889, muaj prill, sheher Tetovë.

«Këtu, nën këtë rrasë të ftohtë…»
Ai gjysh po i këndon lehtë nipit të vet:
«Ndieje Zot! Ndieje Zot! Amen!»

Ligjëron shqip me shkronja cirilike
mbi varr të trimit dai nga Dufi
plaku i dhembshur, vjeç 75

Me një duf të pamatë
Sa fusha e Pollogut.

Ndieje, o Zot!
Ndieje, o Zot!
Amen!
(Prishtinë, 31 janar 2010)

KËNGË E PËRHËNUR
(Variant)

Qyteti ka ethe
Zjarr e kllapi.
Hëna ndër gjethe
Si pika mbi i.

Ding-dang kambana
E hoxha në minare.
Ruana Zot nga djalli
Që na qiti fare.

Qyteti ka ethe
Me ethe ekrani.
Këtej Velania
Andej Dragodani.

Hape! – thotë njëri.
Hape! – dhe tjetri.
Jam Jezu Krishti
Jam dhe Shën Pjetri.

Jam Shën Mëria
Parajsa vetë.
Zoti, Mesia
Baba dovlet.

Qyteti ka ethe
Afsh e zjarrmi.
Hëna ndër gjethe
Si pika mbi i.*

2011
____________________
* Varg i Mysesë nga Balada e hënës.

KAMBANË NË QAFË
(Rekuiem për veten dhe shokët e mi)

Qe ditë me diell, muaji maj. Më e bukura stinë,
kur mora pusullën me vulë e nënshkrim!
Tani jam i lirë, plotësisht i lirë, të dashur miq!
I kam gjashtëdhjetë e pesë dimra e beharë mbi kurriz
dhe shtatëdhjetë e pesë euro në xhep!
Mund të bëj ç’të dua. Po, për besë!
Të shkruaj kujtime për veten dhe të tjerët,
të vajtoj për ëndrrat dhe iluzionet e mia djaloshare…
Mund të dal në Gërmi çdo mëngjes,
të pi kafe te vila Lira për vetëm pesëdhjetë centë;
t’i mbush mushkëritë me ajër e klorofil
a të vetëhelmohem me tym e nikotinë.
Mund të zgjohem pa zbardhur drita,
të fle po desha deri në drekë a të bredh natën si somnambul.
Mund të protestoj, të hedh parulla, të gjuaj me gurë;
të përleshem me policinë e të shkoj në burg si dikur… Kot!
«Sundimtarë të rinj sundojnë në Olimp;
Jovi mbretëron ashtu si do vetë…«.2
Ç’nuk mund të bëj! Ç’nuk!
Mund të sillem rrugëve ditë e natë
me duart thellë në xhepa a në kontejnerë. Pse jo?
Edhe ata që rrëmihin plehrat njerëz janë, për besë,
Njerëz. Me «Nj» të madhe,
siç na mësonin dikur mësuesit tanë të mirë
dhe ne pas tyre nxënësit tanë…
Ji i lumtur, më thonë. Dhe jam. Pse të mos jem!
Migjeni nuk e pati këtë fat. Për të kjo qe një ëndërr e largët.
Për moshën e kam fjalën.
As Naimi jo. I mori para kohe që të dy tebeceja.
Luigjin plumbi, Bilalin thika,
Jusufin prita në Untergrupenbah vetë i tretë…
Enigma e një vrasjeje të trefishtë!
As rusi Majakovski, i mbiquajtur Vologja;
as andaluziani Garsia Lorka, as turku Nazim Hikmet;
as pelegrini i madh Xhorxh Gordon Bajron,
që edhe gurët i mësonte të ngrihen kundër tiranisë,
nuk e pritën këtë ditë.
E sa e sa të tjerë. Artistë, poetë.
Ikën më të rinj se unë dhe shokët e mi.
Plaku i Makit, De Rada ynë, po.
Ndërroi jetë me një cironkë në xhep në prag të të nëntëdhjetave
Ai që këndoi: «Ardhi ditë e Arbërit!»
A thua erdhi vërtet kjo ditë?
E shoh qortimin në sytë tuaj: «Je në vete, mik!
Mos u bëj qaraman, heretik!
Nuk të ka hije në këtë moshë».
Keni të drejtë. E pranoj.
Tani jam plotësisht i lirë!
Mund të kthehem andej nga kam ardhë
të zë peshkun e artë në ujërat e liqenit,
të shtrihem gjerë e gjatë buzë lumit tim,
të kapem në rrjetë a ta gëlltis karremin vetë…
Mund të iki nga sytë këmbët, të shkoj ku të dua,
në Europë, Amerikë e më larg akoma.
Mund të blej litar të ri fringo si Klosi
e lakun në fyt në papafingon sterrë
në Tiranën përplot tiranë të vegjël e të mëdhenj.
Mund të puqem befas me ndonjë makinë një ditë,
duke kaluar rrugën «Eqrem Çabej»
e të bëhem njësh me asfaltin e valë…
Sa shumë mundësi që kam, të dashur miq.
A s’është për t’u lakmuar kjo.
Mund ta shkruaj testamentin si Dhimitër Pasko
e t’u lë porosi gruas dhe fëmijëve:
«Adheu është atdhe edhe kur të vret!»
Pardon, kur të nxjerr në pension!
Me shtatëdhjetë e pesë euro në muaj
për bukë, ujë, qumësht, ilaçe, qefin a plaf…
Dhe titullin kumbues Profesor Doktor
varur si kambanë në qafë!
Si kambanë në qafë!
Kambanë në qafë!
Në qafë!
Ah!
Prishtinë, 25. 5. 2012

ODE BIÇIKLETËS SIME

Je mikja ime më e mirë në këtë qytet të rrafshët, me ajër të pastër e ujëra të kaltër.
E lehtë, praktike, e urtë si manare, mikesha ime larushe, lozonjare.
Më shoqëron në freskun e mëngjesit, kur zgjohem nga gjumi i lehtë i natës, a në mesditë, kur dielli djeg si saç. Herë-herë dhe buzëmbrëmjeve, kur disku i artë zbret në horizont,
në atë vijë të qartë si vizatim shkollari.
Të shpie sakaq në plazh, në treg, në park, te qoshku ku shiten gazetat dhe te Dredhëza për kafe.
Dy rrota, një zinxhir, një shalë, dy pedale, mikja ime e butë si dele; e urtë si manare…
Për kë të këndoj, në mos për ty? Për ata që s’dinë ç’është dhembja, dashuria; që s’duan të dëgjojnë për nder e njerëzi; që i luten Zotit pa e njohur atë thellë në vete; që s’kanë dëgjuar kurrë për vargun majakovskian, lutje e britmë bashkë: «Në zemrën e zhuritur nuk hyhet me çizme!».
Për kë të këndoj, më thuaj, për kë? Për posterët e zbërdhulët a piedestalët bosh? Ç’marrëzi,
o Zot!
Më mirë të shkruaj ode për ty sesa të ngre lart fronin mbi pleh e plehun mbi fron, siç thoshte Niçja i marrë në urtësitë e tij të pavdekshme.
Më të ëmbla se ti janë veç mbeskat e mia, Bora e Lea, po ato janë larg, shumë larg nga këtu.
Bicikël e dashur, legjendë e gjallë!
Me ty udhëtonte për tek nxënësit e vet djaloshi shëndetlig me emrin Migjen, që hipur mbi ty, si mbi Pegas, shkonte drejt vdekjes e pavdekësisë.
Tek sjell ngadalë pedalet trotuarit skaj varrezave të qytetit, më kujtohet porosia e sime motre: «Ruaju nga makinat, vëlla! Dhe nga qentë langaçë. Po shtohen çdo ditë në rrugë e në fushë…». Dhe në pallatet shumëkatëshe, motër e dashur.
Rruga më bie shpesh këndej, te kjo muranë me mure e selvi, ku marrin fund të gjitha rrugët, shtigjet, adresat, ëndrrat…
Stop! Stop! Stop! dyrrotaku im. S’jam gati të iki nga kjo botë. Kam edhe shumë punë për të bërë!
Në fshatin tim dikur, gjysmë shekulli më parë, kur ti ishe specie e rrallë, të quanin «toçak».
E me «toçak» mund të shkoje në shkollë e në mulli, por edhe në «bollnicë» e në «opshtinë».
Dy rrotat e tua si dy rruzuj paralelë; dy botë në lëvizje, që s’kanë të ndalë, mësa dielli e hëna!
Forma jote, konstrukti yt fizik, më bind mua ngasësin me trup e shpirt, se Rrota është shpikja më e madhe e njerëzimit dhe se ti je e para ndër shoqe!
Je mikja ime më e mirë në këtë qytet të rrafshët si tepsi, ku ka shumë njerëz, zhurmë e vetmi;
tek endem si somnambul ndanë Drinit ujëshumë, i vetëm në turmë, si buzë Senës dikur
Seul dans la foule!
Vae soli! vogëlushja ime. Mjerë i vetmi, në këtë katrahurë…
Je zinxhir i anktheve të mia; spektër ngjyrash të ndezura:
bardhë, kaltër, kuq… si zemra!
Biçikleta ime, muza ime metalike, Pegasi im grotesk!

(Strugë, korrik-gusht 2013)

(Footnotes)
1 Trajtë dialektore në të folmen veleshtare: «Çka hoqa, çka hoqe!»
.2 Vargje nga Prometheu i lidhur i Eskilit.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.