Një punonjës policie është rrëzuar në një zonë të pyllëzuar gjatë një aksioni policie antikanabis, duke u plagosur në shpatull dhe kokë.
Nga sa mësohet gjatë kontrollit të territorit mbi Palohor në një terren të pyllëzuar e të thepisur, në afërsi të malit Sopot, punonjësi i Policisë B.H, duke kontrolluar në këmbë territorin është rrëzuar aksidentalisht dhe u dëmtua në shpatull dhe kokë.
Menjëherë ai është transportuar në spitalin e Sarandës për ndihmë mjekësore. Pas ndihmës së parë të dhënë në spital, Polici i lënduar do të transportohet me helikopter për ndihmë më të specializuar në Tiranë. Ai mësohet se ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Haki Çako, ka telefonuar menjëherë punonjësin e Policisë, duke i uruar shërim të shpejtë, duke i siguruar se do të merret çdo masë e nevojshme dhe ndihmë mjekësore.