Sot në orën 10:00 në selinë blu do të mblidhet Komisioni për Zgjedhjet në PD.
Në fokus të këtij takimi është rregullorja e fushatës që do të ndiqet për kreun e ri të PD-së, zgjedhje që do të mbahen më 22 korrik.
Ndërkohë që përballë Lulzim Bashës garon Eduard Selami, pasi dje Astrit Patozi refuzoi të merrte pjesë në garë, që sipas tij ishte farsë.
Kryesia e Partisë Demokratike votoi mbrëmjen e djeshme me asnjë votë kundër anëtarët e Komisionit të Votimit me rastin e zgjedhjeve brenda PD-së.
Sakaq, grupi anti-Basha kërkoi ndryshim të rendit të ditës në mbledhjen e djeshme të Kryesisë së PD. Kërkesa për ndryshimin e rendit të ditës u lexua nga Gent Malko, drejtues i Departamentit të Pronave në PD. “Kryesia të anulojë procedurën e nisur për kryetarin e PD. Procedura për kryetarin e PD është anti statutore. Kërkesa për rend dite të hidhet në votim të fshehtë. Kjo kërkesë mbështetet nga 1/6 e anëtarësisë”, tha Malko. Kjo kërkesë hodh në votim, dhe mori vetëm 11 vota pro, duke u rrëzuar kështu pretendimi i grupit anti-Basha.