![GSH APP](https://gazetashqiptare.al/wp-content/uploads/2022/04/gshok.jpg)
![Download on Apple Store](https://balkanweb.com/wp-content/uploads/2019/01/ios.jpg)
![Get it on Google Play](https://gazetashqiptare.al/wp-content/uploads/2022/04/android-app.png)
Burim Kukeli e nis me këmbën e mbarë sezonin e ri në Superligën zvicerane. Lojtari i Kombëtares kuqezi që ka zgjedhur të vazhdojë karrierën te Zyrihu, zhvilloi ndeshjen e parë titullar me Zyrihun në derbin kundër Grasshopers të fituar me rezultatin 2-0. Risia më e madhe e këtij takimi për Zyrihun ishte zhvendosja e Kukelit në mbrojtje. Trajneri Ulrih Forte hodhi në fushë formacionin 3-5-2 duke e zhvendosur disa metra më mbrapa lojtarin shqiptar në krahun e majtë të mbrojtjes me tre lojtarë. Kjo lëvizje është diktuar nga nevojat që ka aktualisht ekipi, por njëkohësisht është një sinjal edhe për trajnerin e Kombëtares Shqiptare, Kristian Panuçi. Në fakt, trajneri i Kombëtares kuqezi mund ta aktivizojë Kukelin edhe në mbrojtje pasi është një rol që 33-vjeçari nga Gjakova di ta bëjë shumë mirë edhe pse në radhët e ekipit kombëtar ai është aktivizuar kryesisht mesfushor. Kukeli luajti për 90 minuta duke mos gabuar pothuajse asnjë top në suksesin e parë sezonal të Zyrihut që këtë sezon rikthehet mes më të mirëve të Zvicrës.