EKONOMI

Doganat, bizneset që përfituan nga falja. Afati për fshirjen e detyrimeve tatimore dhe doganore

08:34 - 12.08.17 gsh.al
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play




Drejtoria e Përgjithshme e Doganave publikon listën me 20 subjekte që kanë përfituar nga ligji i faljes. Doganat bëjnë të ditur se lista do të përditësohet çdo muaj me emrat që dalin nga lista e borxhlinjve. Ligji i fshirjes përcaktoi si “Detyrime të pagueshme në doganë” detyrimet e papaguara që kanë subjektet ndaj autoritetit doganor, përkatësisht taksa doganore, TVSH, akciza, renta, taksa e ambalazhit, taksa e qarkullimit, taksa e karbonit, gjoba, kamatëvonesa, interesat kompensuese. Sipas ligjit, “Detyrime tatimore të evidentuara në llogarinë e subjektit” janë dënimet administrative të konstatuara nëpërmjet akt-konstatimit deri në datën 31.12.2016, ndërsa “Detyrime tatimore të regjistruara në llogarinë e subjektit” janë detyrime, njoftim-vlerësimi për të cilat është lëshuar deri në datën 31.12.2016.

Përfituesit

Nga përcaktimet e parashikuara në ligjin e faljes përfitojnë: a) subjektet e regjistruara në regjistrin aktiv, pasiv ose të çregjistruar për detyrime tatimore ndaj administratës tatimore qendrore e vendore, sipas neneve 5, 6, 7 dhe 11 të këtij ligji; b) subjektet debitore ndaj administratës doganore për detyrime sipas neneve 9, 10 dhe 11 të këtij ligji; c) subjektet pronare të mjeteve të transportit, siç përcaktohet në nenin 12 të këtij ligji.

Detyrimet

Detyrimet e pagueshme në doganë, të evidentuara nëpërmjet vendimeve të kësaj administrate nga data 1 janar 2011 deri më 31 dhjetor 2014, fshihen/shuhen, me kusht që brenda datës 31.12.2017 të paguhet i plotë detyrimi i pagueshëm në doganë, pa përfshirë gjobat, kamatëvonesat dhe interesat kompensuese. Detyrimet e pagueshme në doganë, të evidentuara për shkelje të regjimit të lejimit të përkohshëm për automjetet, nëpërmjet vendimeve të kësaj administrate, nga data 1 janar 2011 deri më 31 dhjetor 2016, fshihen/shuhen, me kusht që brenda datës 31.12.2017 të paguhet i plotë detyrimi i pagueshëm në doganë, pa përfshirë gjobat dhe kamatëvonesat.

Afatet

Sipas ligjit në fuqi, e drejta e subjekteve që përfitojnë nga dispozitat e këtij ligji ushtrohet deri më 31.12.2017. Subjektet për të cilat fshirja e detyrimit aplikohet me kusht, nuk përfitojnë fshirje të detyrimit, nëse nuk përmbushin kushtet brenda afateve të përcaktuara në ligj. Ndërkohë, për çdo subjekt që përfiton ose jo nga fshirja e detyrimeve, organi përkatës nxjerr një akt administrativ për këtë qëllim duke njoftuar edhe subjektin. Në ligj thuhet se administrata tatimore, pas përfundimit të fshirjes/shuarjes sipas kushteve të përcaktuara në ligjin nr.33/2017, do të njoftojë tatimpaguesit në “e-Filing system” me anë të një mesazhi i cili në përmbajtje të tij do të informojë se: “Në zbatim të ligjit nr. 33, datë 30.3.2017, ‘Për pagesën dhe fshirjen e pjesshme të detyrimeve tatimore, doganore, si dhe procedura e heqjes nga qarkullimi të mjeteve të transportit, pas fshirjes së detyrimeve tatimore’, ju njoftojmë se efekti i tij është përfshirë në Situatën Tuaj Financiare në sistemin informatik”. Ndërkohë që, për çdo subjekt që përfiton ose jo nga fshirja/shuarja e detyrimeve, organi përkatës nxjerr një akt administrativ për këtë qëllim, duke njoftuar edhe subjektin. Ligji saktëson se subjektet të cilat sipas një vendimi të administratave përkatëse, nuk përfitojnë nga fshirja sipas këtij ligji, kanë të drejtë të ankohen në Gjykatën Administrative sipas legjislacionit të fushës në fuqi.

 GSH.AL


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.