BLUETOOTH

Bluetooth – Nostalgji/ Sfida e radhës për Albanin & Miriamin. Blushi & Fino në bankat e fundit…!

16:00 - 02.09.17 gsh.al
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Në lajmet tona të “show-bizz”-it, në rubrikën “nostalgji” mund të gjeni fotografi, lajme apo intervista të veçanta, të publikuara gjatë viteve në suplementin “Bluetooth” të “Gazetës Shqiptare”. Në GSH.al, sot po ju sjellim:  Sfida e radhës për Albanin & Miriamin. Arben Malaj qan hallet e PS te ambasadorja. Arta Dade  etaloni i deputeteve të reja të PS. Blushi & Fino në bankat e fundit…!





Sfida e radhës për Albanin & Miriamin
Ka qenë viti i tyre padyshim. Pas shpalljes publike të marrëdhënies trevjeçare, Alban Skënderaj dhe Miriam Cami kanë pasur jo pak suksese profesionale; fushata elektorale (Albani këndonte në mbështetje të partisë G99), këngë të reja, klipe e duete. Por duket se ambiciet e çiftit Skënderaj-Cami nuk ndalen. Këtë fundvit ata do të marrin pjesë në Festivalin në Radio- Televizion. Eurosongu është një ëndërr e çdo këngëtari, por për Albanin duket se çmimet janë kthyer qëllim në vetvete. Dy vjet më parë ai ishte pjesë e jurisë së këtij festivali, madje vota e tij ngjalli edhe shumë reagime. Të gjithë e kujtojnë zemërimin e Edmond Zhulalit dhe debatet që shoqëruan më pas kontestimin e këngës së Olta Bokës nga ana e kompozitorit. E këtë herë ata, Skënderaj dhe Zhulali do të jenë në të njëjtën anë të barrikadës, të dy konkurrojnë për Festivalin në RTSH. Gara ka filluar dhe ethet i kanë zënë tashmë të gjithë. Fundjava që pason do të na dëftejë surprizat e këtij festivali dhe këngëtarin që do të përfaqësojë këtë herë Shqipërinë në “Eurovizion”. Deri atëherë Albanit dhe Miriamit do t’u duhet “të luftojnë” për të joshur jo vetëm me këngën, por edhe me performancën e tyre anëtarët e jurisë së këtij festivali.


Arben Malaj qan hallet e PS te ambasadorja
Arben Malaj, një nga eksponentët e PS-së që është shprehur kundër kryetarit Edi Rama, ka përfituar nga një takim i rastësishëm me ambasadoren angleze, Fiona Meklluham dhe po i qan hallet për ato që po ndodhin në Partinë Socialiste. Ambasadorja duket se e ka me nxitim, prandaj edhe teksa po kërkon diçka në çantë, nuk e ka shumë mendjen te ato që thotë socialisti Malaj. Por, për të treguar se është e sjellshme, ajo ka gjetur pak kohë dhe po e dëgjon, duke pasur parasysh faktin se si përfaqësuese diplomatike mund të ndikojë edhe në çështjet politike, por jo direkt në punë e brendshme të Partisë Socialiste.


Arta Dade  etaloni i deputeteve të reja të PS
Gjithmonë ka qenë një ikonë e gruas së bukur në PS, por së fundmi, teksa është parë nën shoqërinë e deputeteve të reja, Arta Dade duket se po jep shembullin e saj për fermat e selisë rozë. E veshur me pallto tipike angleze, për të treguar se është një grua e fortë, Arta Dade vazhdon të mbajë vendin e parë mes grave sharmante të politikës. Këtë herë, edhe pse ditë shiu, çadra e saj shkrihet me të zezën e çantës dhe këpucëve, që duket se kombinohen në mënyrë perfekte me zonjën e bukur të Partisë Socialiste. Ledi Shamku duket sikur po ecën në gjurmët e saj, dhe nuk ka asgjë të keqe të mendosh që zonja Dade është etaloni i femrës së bukur.


Blushi & Fino në bankat e fundit…!
Dy kundërshtarët e shpallur të Edi Ramës, të pranishëm në asamblenë e Partisë Socialiste, kanë gjetur si vend komod fundin e sallës në vend që të rrinë në radhën e parë. Duket se Bashkim Fino dhe Ben Blushi nuk guxojnë të shohin kryetarin në sy dhe kanë gjetur një vend ku nuk vëzhgohen nga askush. Madje, ata ndihen aq komodë në fund, sa janë shtriqur sa gjerë e gjatë dhe teksa dëgjojnë fjalën e anëtarëve të tjerë, fërkojnë kokën. Në vend që të marrin pjesë në debat si dy nxënës të prapë, Blushi  dhe Fino flasin fshehtas me njëri-tjetrin, pa e vrarë mendjen për planet e fundit që po hartojnë socialistët.
Ky shkrim u botua më  19 dhjetor 2009


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.