KULTURË

Martesë, divorc e zbor nën bekimin e partisë! “Kam një pyetje”, jeta në diktaturë në 20 tablo informuese

10:00 - 23.09.17 gsh.al
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play




Fatmira Nikolli

Si visheshin? Si argëtohej rinia? Si zgjidhej vendbanimi? Si votohej? A ndiqej moda? A kishte protesta qytetare? Si martoheshin? Si blihej televizori? Çfarë ishte “Blloku”? Çfarë ishte organizata e partisë? Çfarë ishte “njolla në biografi”? Si bliheshin rrobat?
Shteti dhe shoqëria shqiptare 1945-1990 ishte tema e takimit të djeshëm, mbajtur me të rinjtë nga Instituti i Studimeve Politike falë një projekti mbështetur nga Ministria e Kulturës. “Kam një pyetje”, zhvillohet përmes një ekspozite të përhershme të quajtur “Muzeu Online” ku informohet dhe parashikohen përgjigjet e çdo lloj pyetjeje në lidhje me funksionimin e sistemit diktatorial në të gjithë veprimtarinë jetësore. Përmban 20 tablo, të cilat informojnë brezin e ri dhe japin detaje mbi 100 pyetje për të kaluarën shqiptare në zhvillimin e jetës nga fryma e ideologjisë komuniste. Ekspozita do të hapet në tri universitete dhe pesë shkolla të mesme në kryeqytet.


Afrim Krasniqi tha se gjatë pranverës 2017 Instituti i Studimeve Politike organizoi një pyetësor me të rinj të disa prej gjimnazeve kryesore në Tiranë. Pjesë e tij ishin testimi i njohurive mbi të kaluarën dhe 100 pyetje pa përgjigje të tyre lidhur me aspekte të ndryshme të organizimit politik, shtetëror, dhe të funksionimit të shoqërisë e jetës shqiptare gjatë 1945-1990. Në funksion të tyre stafi i projektit muzeuimemories.info ndërtoi një broshurë me disa nga pyetjet dhe përgjigjet kryesore, – projekt që do të vijojë të pasurohet edhe në të ardhmen. Projekti gjeti mbështetjen e Ministrisë së Kulturës dhe sot u prezantua në Tiranë nga stafi realizues i ISP. Të dhënat e tij do tu vihen në dispozicion të rinjve të interesuar dhe janë publikuar. “Qëllimi ynë është dialogu mbi të kaluarën, memoria historike dhe nevoja që shoqëria shqiptare të njohë me realizëm atë në mënyrë që më pas të gjej forcë e kurajë për të reflektuar në ndërgjegje dhe në formim kulturor. Në këtë nismë të nisur dy vite dhe dedikuar kryesisht të rinjve që kanë lindur pas vitit 1990, ISP ka gjetur mbështetjen nga MK, OSBE, Ambasada e Gjermanisë dhe institucione të tjera aktive në çështjet e memories mbi të kaluarën”, thotë Krasniqi.


VENDBANIMI
Ishte partia që e caktonte vendbanimin dhe vendin e punës. Individëve nuk u lejohej të kundërshtonin qytetin, fshatin apo vendin e punës që u ishte caktuar. Mbi 10% e popullsisë u internua duke u dërguar forcërisht në zonat e thella të përcaktuara nga regjimi. Qyteti a fshati ku banonin shqiptarët ishte burgu i parë, në të cilin ishin të vëzhguar 24 orë. Largimi dhe ndryshimi i vendbanimit nuk ishte i lirë, ai realizohej vetëm me pëlqimin e autoriteteve. Lëvizjet për një kohë të gjatë nga vendbanimi për arsye të ndryshme familjare, si dhe vizitat që prisnin në banesë shkruheshin te Libri i Shtëpisë, i cili kontrollohej nga policia.
Si blihej shtëpia? Shteti ishte pronari i të gjitha apartamenteve. 3 milionë shqiptarë nuk jetonin në banesën e tyre, shteti ua jepte dhe ua merrte sipas nevojave të tij. Regjimi krijoi qytete artificiale me pallate në fshatrat e zonat më të thella të vendit për të unifikuar mënyrën e jetesës. Banesat ishin të populluara dhe ndodhte të jetonin 3 kurora e deri në 8 persona në një apartament.


Televizori
Kushtonte deri në 15 a 20 herë rrogën mujore. Televizori bardhezi kushtonte 45 mijë lekë dhe ai me ngjyra 60 mijë. TVSH ishte i vetmi kanal në Shqipëri dhe transmetonte 4.5 orë në ditë nga viti 1966. Për marrjen e tyre duhej autorizim nga autoritetet partiake të rrethit ku banoje. Ata modifikoheshin me zhurmues për të ndaluar çdo kanal tjetër me përjashtim të TVSH. Ata që shihnin kanale të huaja modifikonin e mbanin fshehurazi antenën në kushtet e shtëpisë. Nuk mungonin as pankartat  ku shkruhej se qëllimi i televizionin borgjezo-revizionist është të degjenerojë masat.
Biografia ishte kushti kryesor për kurorëzimin e dashurisë së dy të rinjve. Njolla në biografi ishte kur njëri nga partnerët kishte një familjar të dënuar politik. Individët, që refuzonin divorcin e sugjeruar nga partia, nuk gëzonin të drejta të barabarta dhe mund të refuzoheshin në shoqëri. Prindërit e të divorcuarve publikisht qortoheshin se nuk ia kishin dalë te edukonin fëmijët me mësimet e partisë. Një çift nuk mund të ndahej nëse nuk pranohej nga kolektivi i punës, këshilli i lagjes, komiteti i rinisë, bashkimet profesionale, Komiteti i partisë e organizata e gruas.


Argëtimi? Në zbor!
Pyetjes se si argëtoheshin të rinjtë, Instituti i Studimeve Politike, i përgjigjet “me zbor”. Në një nga tabelat e prezantuara, vihet re se “pjesa më e madhe e asaj që sot quhet argëtim, përbënin sjellje të pahijshme dhe shfaqje të huaja për sistemin komunist. Argëtimet duhet të mbikëqyreshin dhe organizoheshin nga strukturat partiake, si mekanizëm për të kontrolluar jetën shoqërore. “Ndalohej” kafja, restoranti, alkooli, udhëtimet jashtë vendit, dashuria e kokteili.
Mes argëtimeve të lejuara, përmenden: paradat dhe parakalimet në nder të partisë, puna vullnetare, ekskursionet te “Shtëpia e Partisë” e në uzina ose leximi i veprave të partisë.
Ndërsa për udhëheqësit ndërtoheshin vila, komplekse e shtëpi pushimi, vetëm një pjesë e punëtorëve arrinin të siguronin fletë kampi. Për familjet pushimet ishin sa argëtuese edhe të mundimshme pasi për 15 ditë pushime ajo merrte gjithçka me vete. Në zonat rurale fëmijët i kalonin pushimet duke punuar në bujqësi.
Shqiptarët punon 6 ditë në javë, ndërsa të dielën bënin punë vullnetare. Pas vitit 1985, e diela quhej Dita e Enverit.
Zbori
“Gjithë populli ushtar”. Zbor quhej stërvitja vjetore ushtarake e detyruar për të gjithë popullin. Pjesëmarrja në të ishte me detyrim. Të gjithë visheshin me uniforma për të mësuar teknikat e luftës në rast se vendi sulmohej nga imperialistët amerikanë dhe social-imperialistët sovjetike.
Shkrimtarët të ndaluar kanë qenë disa.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.