KULTURË

Kiço Londo, ‘Në shtrat me armikun’ – kthen në skenë Anagnostin e Ndrenikën

10:07 - 29.09.17 gsh.al
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

 




Fatmira Nikolli

 

Për Kiço London, teatri shqiptar është i çorientuar. Dje, në një konferencë ku bëri me dije kalendarin për sezonin e ardhshëm artistik, nuk ngurroi të kritikojë, siç ka bërë edhe më herët, skenën teatrore shqiptare, duke nisur nga fqinji i tij, me të cilin i ndan një pishinë, Teatri Kombëtar. Tha se sezonin e shkuar ka pasur 350 shfaqje, pothuaj një për çdo ditë të vitit, dhe këtë vit premtoi deri në tri shfaqje në natë. I pyetur nga “GSH” se si ia del të bëjë më shumë se të tjerët kur para ka më pak se të tjerët, ai tha “me punë”. Nga ana tjetër, mohoi që puna e shumtë për pak staf e me pak para, ul cilësinë.
Urimit për një mandat të dytë në krye të Teatrit, iu përgjigj me “kemi kohë për atë punë”, dhe me gjithë pyetjet e gazetarëve ruajti qetësinë edhe në raport me fqinjin edhe në raport me Ministrinë e Kulturës, e cila sipas tij, kërkesën e tij për buxhet më të madh “e ka marrë shënim”.
AJO QË LAMË PAS
“Lëmë pas një sezon me 350 shfaqje. Një shifër rekord, që mbart brenda shumë punë nga stafi, për fëmijë, adoleshentë e të rritur. Jemi vetëm 11 veta që punojmë. Me një buxhet prej 200 mijë eurosh, nga i cili për projekte shkojnë vetëm 50 mijë, puna jonë tregon se Teatri Kombëtar Eksperimental “Kujtim Spahivogli” është në një shinë krejt tjetër, por jo domosdoshmërisht pjesa tjetër e teatrove duhet që të vijnë në këtë shinë, sepse nuk vijnë dot, dhe kjo është normale”, – tha Londo para mediave.
“Mendoj se në përgjithësi Teatri Kombëtar shqiptar është një teatër i çakorduar, edhe që nuk është në funksionin, mision edhe në rentabilitetin e vet. Mund të krijohet ideja se çfarë janë duke bërë këta të TKES? Ajo që bëjmë ne është fare e thjeshtë, por nuk është e thjeshtë për t’u realizuar. Kemi arritur që të fokusohemi në tri pika: puna e aktorit me veten, puna e aktorëve me njëri-tjetrin dhe pika e tretë është spektatori”.


GJELA ME ATLETE TË ZGJOHET FQINJI
Një poster ku tre gjela ecin me atlete, përbënte sfondin e konferencës së Londos. “U ngritëm” shkruhej me germa kapitale. “Tashmë Teatri Kombëtar Eksperimental është ngritur. Është godina më e mirë aktualisht teatrore, por ajo për të cilën krenohemi është intensiteti i punës, që është jo i zakonshëm. Ashtu siç është e tillë edhe mënyra që është ngritur kjo godinë sot, që i gjithë investimi është partneritet privat, që privati nuk merr asnjë gjë nga ajo që jep”, – tha Londo.
Po ç’domethënë u ngritëm? Asnjë paralelizëm me “Shqipërinë që ngrihej” nga opozita. Drejtori tha se kuptimi i parë është që TKES është ngritur. I dyti është që kënga e gjelave është një zgjim nga gjumi, dhe natyrisht që, kur zgjohet nga gjumi, njeriun e pret një ditë plot sfida. “Dhe gjelat kanë një të mirë, që zgjojnë të zotin dhe komshiun; është një tendencë për t’u zgjuar të gjithë komshinjtë tanë, MK dhe ata që kanë në dorë fondet publike, se me krenari, falë stafit të artistëve të rinj por jo vetëm, meritojmë më shumë vëmendje, sepse jemi i vetmi institucion që financat publike nuk i japim askund pa kontribut publik”, – tha Londo. Për të, kjo është arsyeja që me fondet publike të tri projekteve kanë bërë 15. Madje këtë herë do bëjnë 31 projekte, dhe pa u qarë. “Na detyrohen edhe 20 për qind nga viti paraardhës, që shpresoj që MK të na i lirojë deri në fund të vitit, se janë fonde të artistëve, që përpiqen bashkë me ne, dhe nganjëherë nuk mundet që ta kenë jetën fort normale për shkak të kësaj mungese”.
‘NË SHTRAT ME ARMIKUN’,
VIJNË ANAGNOSTI E NDRENIKA
Është tema e sezonit të sivjetshëm. “Për çdo hap në dritë duhet paguar taksa e hijes, edhe për çdo hap në errësirë duhet paguar gjithë mungesa e dritës. Qëllimi i kësaj stine është teatri cilësor për të gjithë”, – tha Londo, duke premtuar laborator për fëmijë. Nga shtatë produksione, njësoj sa vjet, këtë vit shtohet edhe një laborator, një shfaqje me fëmijët me aftësi ndryshe.
Në vijim, nis puna për “Shumë zhurmë për asgjë”, që pas 10 ditësh do jetë në skenë. Një projekt gjysmë i pavarur me regji të Altin Bashës, sjell për herë të parë në TKES Gazmend Gjokën, i cili ka pak kohë që po bën pushim. Një produksion i pavarur është edhe “Në Lindje të Berlinit”, ku do të ngjitet në skenën e TKES, i shumëprituri Nderi i Kombit Robert Ndrenika, dhe krah tij do të luajë edhe aktori Arben Derhemi. Londo tha se kësaj here “Medea” rikthen për të tretin sezon Luiza Xhuvanin; pjesë e produksioneve të TKES do të jetë edhe e mirënjohura Roza Anagnosti si dhe Ermira Bahiti. Gjithsej janë 12 produksione.
Këtë vit TKES do të funksionojë me tri salla, “Molier” (salla e madhe), “Gëte” (salla e mesit) dhe “Lorka” (salla ballore, që do të ketë një muze dhe një histori të ngjarjeve të mëdha të kësaj godine).
“Këto i kemi bërë në tri vite, mes letrave dhe kontrolleve se çfarë po ndodhte, por tashmë kemi një ambient fizik normal”, – tha Londo.
MBI PYETJET e TË TJERA
I pyetur për fqinjin e TKEKS, TK, Londo tha se “marrëdhënia me komshinjtë zgjon përherë kureshtjet. Fakti që me 95 për qind të financave që merr teatri shqiptar (12 të tillë), bëhet vetëm 40 për qind e produksioneve, dhe me tre për qind bëhen 60 për qind do të thotë që teatri shqiptar në përgjithësi, edhe ata që e drejtojnë teatrin, duhet të mbahen nga muri. Kur dy vetë të thonë që je i dehur, duhet të mbahesh detyrimisht nga muri, edhe pse ke dhjetë vjet që nuk vë alkool në gojë”.
Pyetjes së “GSH” se “si ia dilni të bëni kaq shumë me kaq pak”, Londo iu përgjigj: “Keni pranë tri vajza, që punojnë në TKES për një pagesë jo fort dinjitoze për kontributin e tyre, për punën e tyre, por luajnë katër deri në pesë produksione në vit. Fondet publike nuk i lëshon askush pa një kontribut publik. Ne marrim tre për qind të lekëve që merr i gjithë teatri zyrtar prej 12 teatrosh në Shqipëri. Më pak se 200 mijë euro për gjithçka, për projektet janë rreth 55 mijë euro. I kemi bërë kërkesë për gjendjen ministrisë, dhe ata kanë mbajtur shënim. Pse ju shkakton humor? Kam folur vetë me të, edhe ajo ka mbajtur shënim, besoj se do të jetë e vëmendshme”.
Shtoi se puna për një shfaqje zgjat dy muaj, por punohet deri pas mesnate. Por, a bie cilësia për një njeri që bën katër punë?
“Katër punë bëjnë vetëm punonjësit e prapavijës, aktorët bëjnë një rol në shfaqje. Ka edhe gjëra që nuk paguhen dhe janë të mëdha, dhe lindin si rezultat i një gjëje që vjen nga brenda. Çelësi i suksesit ka të bëjë me faktin e celebrimit të linjës zyrtare me një linjë tjetër që është jozyrtare, është një dashuri shumë e madhe. Celebrimi i këtyre dy linjave ka sjellë TKES”, – tha Londo.
Ai duket krejt i painformuar mbi ç’ndodh përreth. I pyetur se çfarë do bëhet me teatrin kur të bëhet Turbina, Londo tha: “Nuk jemi të njoftuar për këtë. Nuk kam një informacion të tillë. Edhe zhvendosjen në qershor e dëgjoj nga ju, por besoj se nuk është objekt i këtij takimi. Që TK është në këtë gjendje, dhe që do të rrijë edhe një vit nuk është ndonjë normalitet. Të gjithë ne do të largohemi nga kjo botë në një kohë, edhe TK do të jetë në këmbë, por kjo nuk na bën që të mos kujdesemi për veten çdo ditë, por edhe për avenirin, botën e brendshme. Pas një viti nuk e di se çfarë do të ndodhë”.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.