KULTURË

Festivali Ndërkombëtar i Koreve, repertori nis nga mesjeta

10:10 - 01.10.17 gsh.al
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play




Nisi të premten, 29 shtator edicioni i 6-të i Festivalit Ndërkombëtar të Koreve me mbrëmjen e parë ku pjesëmarrës ishte Kori EKEGY nga qyteti i Eger Hungari, Kori “Rosette Project” Rotterdam Hollandë dhe Ansambli Vokal i Gronningen Hollandë. Programi i ekzekutuar nga Koret përfshinte një hapësirë nga Mesjeta e deri në ditët tona, duke përfshirë këtu edhe repertor të Gospel, Rock dhe Pop, por edhe me surpriza nga muzika popullore shqiptare e arranzhuar dhe kënduar si nga Kori i Rotterdamit ashtu edhe nga Ansambli vokal i Gronningen.

Ishte një befasi e këndshme të dëgjoje këngën “Cobanka” apo “Jarnana jarnane” nga koristë që nuk e dinë gjuhën shqipe, por që shqiptonin më së miri tekstet e këngëve. Kori “Ekegy”, i drejtuar nga Adam Kovascz u paraqit me një repertor të studiuar mirë për t’u mundësuar të rinjve të Eger-it të sillnin një të kënduar të gjallë e të “freskët”  për publikun e festivalit. Programi i tyre përmbante korale nga Kodály: Esti dal, Szép könyörgés dhe Horatii Carmen II:  Rectius Vives; nga Karai: Ugrótánc; nga Liszt F.:  Salve Regina; nga Daróci Bárdos Tamás: A pünkösdi rózsa, nga Kálmán Tamás: Túl a vízen nga Sebő Ferenc: Énekelt versek – részletek; nga Passereau: Il est bel et bon, nga P. Drennan: Gospel Magnificat dhe S. Tyler: Dream on. Të dytët në skenë u paraqitën “Rosette Choir” nga Rotterdam të cilët erdhën në këtë festival me një Projekt dedikuar “Dario Fo” duke përmbledhur një numër këngësh nga “Mistero Bufo” e vitit 1969 si dhe një “Baladë për kukulla të vogla e të mëdha” po e vitit 1969. Ansambli Vokal i Gronningen u paraqit me një repertor tipik “a capella” nën drejtimin e dirigjentit Ëilfried Reneman i cili, me skrupulozitetin e tij profesional e dalloi të kënduarin e korit të tij nga pjesa tjetër e pjesëmarrësve, jo vetëm për nga saktësia dhe realizimi profesional, por edhe për kërkimet e tij tingullore dhe të vendosjes së ansamblit dhe për rrjedhojë të zërave e linjave muzikore të repertorit të përformuar. Ajo që bëri me të vërtetë përshtypje në këtë mbrëmje ishte dhe aftësia e Reneman për të përcjellë një arranzhim të këngës popullore shqiptare “Jarnana Jarnane”, i cili spikati për polifonizimin e një teksti muzikor (melodi e ritëm të vetë këngës). Kjo cilësi e dëshmuar prej Reneman lidhej si me zbërthimin e elementëve natyralë dhe të frymëzimit popullor shqiptar ashtu edhe me rikrijimin e vetë këngës  në një stil polifonik. Ky element mund të konsiderohet dhe si pika më e lartë profesionale e premierës së ekzekutimit të “Jarnana jarnane” në mbrëmjen e parë të Festivalit Ndërkombëtar të Koreve.

Ditën e shtunë, interpretuan Kori i Vajzave të Liceut Artistik “Jordan Misja” dhe Kori arbëresh “Sofioti Cantores”. Dita e diel do të ketë Mbrëmjen Finale të Festivalit, pranë Sallës së Madhe të Koncerteve të Universitetit të Arteve Tiranë, ku Kori “Prenkë Jakova” do të paraqitet para publikut të festivalit si dhe të gjithë koret sëbashku do të intonojnë Ode-n e Gëzimit të Beethovenit dhe të mirënjohurën “Lule Borë” të Gjon Simonit. Mbrëmja finale do të vazhdojë më tej me të gjithë koret pjesëmarrëse me repertorin më të zgjedhur të paraqitur në Edicionin e 6-të të Festivalit Ndërkombëtar të Koreve.

Festivali Ndërkombëtar i Koreve vjen me ndihmën e Ambasadës së Hungarisë, Institutit Italian i kulturës, Unversitetit të Arteve, etj.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.