OPINION

Personelizimi si rënie e demokracisë!

07:20 - 03.10.17 gsh.al
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

 




Nga Arian GALDINI

 

Çfarë ju vjen ndërmend kur dëgjoni apo lexoni fjalën “personale”?

Mua për vete, sa herë e them, e shkruaj, e lexoj apo e dëgjoj këtë fjalë, më gëlojnë një shumësi gjërash të bukura.

Personale më së pari kumton se, për çfarëdo çështje, mendim, send, problem, gëzim, arsye, motiv, veprim etj. të jem duke folur, më përket mua.

Kjo përkatësi më jep mua dhe vetëm mua të drejtat dhe përgjegjësitë gjithçka e përkufizoj si personale.

Për t’i rënë shkurt e për ta ruajtur shtjellimin mbi këtë argument në një moment të dytë, po vij te: përse kjo nisje?

Sepse regjimet, autokracitë, diktaturat, tiranitë, këtu e kanë thelbin dhe fuqinë: te shtetëzimi i personales.

Shtetëzimi i personales në diktaturë, na kthen në objekte dhe subjekte të pushtetit.

Personalja bëhet shkak armiqësie ose edhe drejtpërdrejt armike e pushtetit. Kush përkufizon diçka tjetër veç partisë si përkatësi, bëhet telash e pëson telashe. Shtetëzimi i personales, bën që ne të mos kemi asnjë të drejtë përkatësie, vendimi a zgjedhjeje. Pushteti mendon e merr vendime për ne.

Pra, në dhjetorin ‘90, kur studentët dhe qytetarët shqiptarë ngritën krye e u ngritën në këmbë me thirrjen “E duam Shqipërinë si gjithë Europa”, ndoshta e dinin, ndoshta jo, por kryen aktin e parë personal duke rrëfyer publikisht se çfarë duan.

Personalja e shtetëzuar, nuk është publike, sepse nuk krijon bashkësi, por masa.

Personalja në liri, kur bëhet publike, nuk shkrihet, nuk asgjësohet, por krijon komunitet. Në këto 27 vite kemi luftuar kaq shumë për personalen, sa shpesh kemi tejkaluar kufijtë.

Nga grykësia, lakmia e padija, bënim personale edhe çfarë nuk na përkiste, ose shkatërronim si shtetërore edhe atë çka ishte publike. Ja ku jemi sot, në një situatë aspak tiranike dhe aspak diktatoriale. Sidoqoftë, sjelljet dhe simptomat e pushteteve janë tërësisht autokratike dhe armike të lirisë.

Teza ime është e thjeshtë. Këta duan shumë të rivendosin diktaturë, por realiteti gjeostrategjik dhe fuqia e personales së çliruar në Shqipëri, nuk ua mundëson. Ndaj edhe bëjnë çdo ligësi dhe marifet për depersonalizimin e qytetarit shqiptar.

Duan ta shtetëzojnë fare personalen, por nuk munden, ngase nuk mund të vendosin dot asnjë formë diktature.

Mbi këtë logjikë, përderisa nuk e kanë të mundur krijimin e shtetit totalitar, bëjnë tregtarizimin e shtetit.

Tregtarizimi i shtetit, nuk na e shtetëzon personalen, por na e blen.

Blerja e personales na kthen, nga persona me personalitet, d.m.th. nga qytetarë me dinjitet, në personel.

Blerja e personales bëhet me shitblerjen e votës, shërbimeve publike, ofiqeve, vendit të punës, karrierës, mandatit të deputetit etj., etj.

Si rrjedhim, në parti nuk jemi më as militantë e as kontributorë, por thjesht personel.

Si kanë ardhur kohët, partitë nuk kanë më nevojë fare as për idealistë, as për mendimtarë, as për militantë, as për kontributorë, as për traditë e as për risi. Partitë duan vetëm personel.

Lideri i partisë është shitblerësi më i madh i personales sonë. Kështu që, politikë më pa para nuk bën dot askush. Politika nuk është me zgjedhje, konkurrencë, liri. Politika është bërë veprimtari tregtare. Dinjiteti njerëzor është shpallur si barrierë e politikës si veprimtari tregtare dhe po luftohet pa mëshirë nga të gjitha partitë.

Deri para pak kohësh unë kam shkruar për qytetarin e dobët. Sot nuk jemi më as qytetarë të dobët. Jemi më keq akoma. Na konsiderojnë thjesht personel.

Kjo shënon edhe rënien e demokracisë…

 


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.