OPINION

Berlin, “post-truth politics” i një beteje elektorale

07:15 - 04.10.17 gsh.al
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

 




Dr. Monika Shoshori STAFA

 

Gjatë marsit të këtij viti e deri në orët e fundit të një të diele shtatori, Martin Schulz, lideri socialdemokrat rrëfeu në një bashkëbisedim me gazetarët se kjo kish qenë periudha më e çmendur e jetës së tij, ndërsa për shumë vite kish shërbyer me një qëndrim të paepur, si një anëtar i denjë i Parlamentit Europian në Bruksel. Rrethanat u shfaqën aq të papritura rrotull tij, ndërsa veten e kish parë nën petkun e shpëtimtarit të SPD-së, për ta çliruar atë prej një mallkimi që e kish mbajtur larg suksesit për vite me radhë. Këshilltarët e tij politikë deri tre muaj më parë ishin të sigurt kur pohonin, se ai ishte i vetmi sfidues që mund t’i jepte fund epokës ‘Merkel’ si kancelare e vendit, pas 12 vitesh të gjatë qeverisjeje.

Sikush do ta ndiqte atë në përballjet elektorale mes simpatizantëve, do të dallonte pranë tij një grup grarie që ishte aty për t’i shërbyer, një risi tashmë e pafshehur e gjermanit Schulz, nëse kujtojmë ndër të tjera se ai në deklaratat publike kish premtuar për një kabinet ku më shumë se gjysma të përbëhej nga gra dhe vajza. Si çdo lider karizmatik e me një pamje atipike vizionare, të paktën kështu shkruanin gazetat deri në orët e fundit të betejës elektorale mes tij dhe Merkel, M. Schulz pat qenë rrethuar gjatë gjithë kohës prej një kori të bukur femëror në partinë e tij.

Ndoshta Schulz pat kuptuar se diçka nuk shkonte ashtu si duhej; ai duhej të ishte gjithçka, megjithëse kjo ‘gjithçka’ nuk ishte ajo që ndjekësit e tij do donin të ishte në të vërtetë. Stina e verës pat rezervuar një tullumbace tjetër për të, një tullumbace që u ngjit lart, por plasi shpejt. Schulz nuk do ta donte kurrë atë lloj histerie si ajo që shpërtheu në ‘Tweet’ pas publikimit të statusit: “Treni Schulz u nis… Ndalesa tjetër: Kancelaria”. Aq i pakënaqur u duk të shfaqej atë kohë sa dhe ishte me rezultatin e votimeve kur ai u zgjodh si kreu i SPD-së. Thjesht liderit europian që i njihte mirë korridoret e Brukselit, iu duk si një rezultat komunist, i atyre kohëve që tashmë kishin shkuar.

Gjermania ka njohur një rrugëtim të harkuar trajektoresh të panumërta në aspektin politik në të gjithë historinë e saj politike. Gjatë nisjes së këtij viti, u duk se votuesit ndiheshin të lodhur prej kancelares Angela Merkel. Sondazhet treguan se mund të shënohej realisht një ndërrim pushtetesh dhe se Merkel, pas tri mandateve në detyrë mund edhe të mos ndiqte hapat e Helmut Kohl, liderit me peshë europiane, i cili qeverisi Gjermaninë për 16 vjet. Por tani çdo gjë ka ndryshuar. Vetëm disa javë pas votimeve dhe fitores së Merkel, disa eksponentë politikë brenda partisë së Schulz janë duke e rimenduar të ardhmen e partisë së tyre, edhe pa Schulz-in në krye.

Ekspertët e situatës politike në Gjermani flasin se sot RFGJ nuk është në gjendjen e saj më të mirë. Përpos një fushate zgjedhore të shurdhër dhe pa ndonjë jehonë inspiruese, me një rezultat aspak luftarak, Gjermania nuk është më një vend i qetë. Vendi duket i trazuar dhe njerëzit janë të mbushur me urrejtje gjatë bisedave me ta, shkruajnë gazetarët që kanë mbuluar aktivitetet politike të të dy kampeve. Dhe kjo të bën të mendosh sipas tyre, se të dy liderët politikë të vendit, përkundër përpjekjeve për t’u dalluar nga njëri-tjetri, në të vërtetë nuk janë shumë larg prej programeve të tyre politike përballë problematikave kryesore me të cilat po përballet vendi.

Por një gjë u pa të shfaqej qartë gjatë muajve të fundit të fushatave elektorale të të dy kandidatëve. Angela Merkel, bija e një pastori dhe lindur në Gjermaninë Lindore, megjithëse u pa e lodhur prej qeverisjes në fillim të këtij viti, aty nga mesi i verës së nxehtë fitoi besimin në rritje të një shtrese tjetër të shoqërisë gjermane, kastës së lartë të saj. Çfarë kishte ndodhur? Kjo kastë e cila për gati një vit nuk kish shprehur asnjë notë pozitive dhe as negative ndaj riciklimit të mandatit të saj për herë të katërt, një ditë korriku, teksa organizohej takimi i G-8-ës e kish brohoritur kanceleren e përhumbur në atë vapë të nxehtë krejt papritur. E pazakontë për nga mënyra dhe aspak normale për nga statusi së cilës ajo i përket. Britma gëzimi u dëgjuan atë ditë nën një entuziazëm të papritur e shpërthyes, do të nënvizonin njerëzit e shtypit pranë saj. Tanimë pas korrikut, konfirmimi i rizgjedhjes së saj po merrte tone të çelikta.

As ajo vetë nuk ishte përgatitur për këtë gjendje të re, shkruajnë zyrat e PR pranë saj. Shumë, shumë mund të mendohej se betejën para mund ta fitonte duke luftuar vetëm, por jo kaq e mbështetur prej gjermanëve më të pasur e me më shumë ndikim në jetën sociale dhe politike të vendit. Kush do ta rishihte edhe njëherë videon gjatë atij minutazhi, do ta kuptonte fare mirë gjendjen e saj përmes portretit në ato momente pasigurie. Dhe në çast do t’i sillej në mendje vajza lindore, që nën ndrojtjen e një bije të thjeshtë pastori do të fshihte nën skutat e shpirtit, ambicien e madhe për pushtet. Historia e kësaj lidereje karizmatike në çast do të sendërtohej si ajo e pat jetuar.

Sigurisht, perceptimet janë vetëm ndjesi, por në çdo rast ato në masën më të madhe e portretizojnë figurën e tjetrit edhe nëpërmjet gjestikulacioneve në një takim të rastit, por edhe të rëndësishëm si ky i G-8-s. Për të, më shumë se përmbajtja e këtij takimi, ishte e rëndësishme dhe tejet delikate një çast tjetër, të cilës ajo ia doli. Pas asaj turme speciale që e brohoriti, Merkel u pa të shpërndante një buzëqeshje gjithë mirëdashje në çast. Tej politikës, ajo u ekspozua si një qenie diku mes Gandit dhe mbretëreshës angleze. Ndaj, e vetmja gjë që të vjen ndërmend dhe që asaj i mungon ende edhe në këto javë pas fitores, është çmimi Nobel për Paqen. Ajo duhet ta marrë atë me patjetër. Atë ditë korriku, protestuesit pas ndërtesës ku mbahej takimi i liderëve të vendeve më të zhvilluara vazhduan gjatë gjithë ditës të ngrinin barrikada zjarri drejt lartësive, por për kancelaren e cila tashmë kish fituar një betejë të vështirë, kjo tej dritareve të ndërtesës ishte më e vogla.

Pas kësaj dite dhe të tjerave që do të pasonin me radhë, brenda SPD, njerëzit filluan të mendonin se vetëm një mrekulli mund ta shpëtonte Schulzin prej një humbjeje dinjitoze të një partie, që mediat do ta cilësonin maniako–depresive. Diku në një qytet të vogël gjerman me emrin Kösching, Martin Schulz ndërmori papritmas një udhëtim më shumë për t’i bindur të vetët se rruga drejt kancelarisë do të kalonte mes për mes këtij qyteti, meqë kreu i bashkisë së tij vinte nga radhët e partisë së tij. Atë kohë kryebashkiaku Andrea Ernhofer i dorëzoi Librin e Mikut socialdemokratit Martin Schulz, ndërsa një shënim me autografin e kancelarit të mëparshëm Gerhard Schröder të SPD–së, ishte firmosur diku në një prej faqeve të tij, shkruajnë reporterët.

“Kemi ndërmarrë hapin e parë drejt kancelarisë në Kosching”, u dëgjua të deklaronte Schulz në fjalimin e tij në sheshin e qytetit, para 50 socialdemokratëve. Entuziazmi nuk do të zgjaste shumë. Rrugës për në kthim, në autobusin e fushatës së tij elektorale, gazetarët i bënë liderit socialdemokrat një pyetje të tmerrshme, e cila në fakt tashmë ajo është kthyer në një pyetje më se të zakonshme, si pjesë e një të vërtete tjetër gazetareske, të quajtur ndryshe ‘post-truth politics’: z. Schulz a mos vallë nuk janë përcaktuar tashmë fituesit?

 

 


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.