OPINION

Fajin vetes, jo BE-së!

07:30 - 11.10.17 gsh.al
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play




Dr. Jorgji KOTE

 

Çelja e negociatave të anëtarësimit me BE-në ka dalë sërish dhe me të drejtë në plan të parë, dhe kjo është pozitive.

Me këtë rast, krahas vlerësimeve objektive nga drejtuesit e lartë të diplomacisë sonë, gjatë këtyre ditëve të fundit ka pasur prononcime dhe intervista kritike edhe në median e huaj dhe nga vetë kryeministri Rama. BE-ja qortohet se po vonon padrejtësisht hapjen e negociatave me vendin tonë. Edhe pse zyrtarë të lartë evropianë kanë pohuar në disa raste dhe forume se ato mund të hapen vitin e ardhshëm, por gjithnjë me kushtoren: në qoftë se.

Në fakt, të paktën për vendin tonë, e kundërta është e vërtetë. Duke qenë dhe i përfshirë direkt në këto procese gjatë 20 viteve të fundit si diplomat në Tiranë, Berlin dhe në Bruksel deri muajt e fundit, them se, mjafton t’u hedhësh një sy kalimthi 25 viteve të dialogut tonë politik me BE-në dhe mund të bindesh lehtë për këtë fakt.

Kështu, menjëherë pas vendosjes së marrëdhënieve diplomatike BE-Shqipëri, në prill 1992 u nënshkrua Marrëveshja e parë e Bashkëpunimit me BE-në; ndërsa në vitin 1996 pothuajse ishte miratuar nga Komisioni Evropian Marrëveshja “sui generis” e Asocimit. Por, pas farsës zgjedhore të 26 majit 1996, krizës së piramidave të vitit 1997 dhe rebelimit të vitit 1998, gjithçka u desh të fillonte nga e para.

Më vonë, qëndrimi ynë moderues në rajon, dhe sidomos ndaj konfliktit të dhunshëm në Kosovë, u “shpërblye” nga BE-ja, veç të tjerash edhe me fillimin e procesit të stabilizim-asocimit. Ndonëse Samiti i Goteborgut në qershor 2001 vendosi hapjen e negociatave të shumëpritura, për të cilat diplomacia jonë kishte shpenzuar shumë kohë dhe energji, mazhoranca e asaj kohe filloi grindjet politike brenda vetes, duke e shtyrë në kohë integrimin në BE. Vetëm pas ardhjes së ish-Presidentit të Komisionit Evropian dhe mikut të vendit tonë Romano Prodi në Tiranë, më 31 janar 2003, ky proces rifilloi me dy vjet vonesë. Megjithatë, nënshkrimi i marrëveshjes përkatëse u bë në vitin 2006, sepse korrupsioni galopant gjatë qeverisjes së atëhershme e bënte të pamundur një gjë të tillë.

Në vitin 2009, edhe pse me sforcim, BE-ja pranoi kërkesën tonë për statusin kandidat. Kjo nuk u realizua sipas parashikimeve. Sërish, jo për faj të BE-së, por sepse ish-opozita e asaj kohe e bllokoi atë për tri vite rresht. Pak rëndësi kanë shpjegimet dhe justifikimet, sepse në fakt gjithnjë ka pasur një rrugë kompromisi, sidomos kur vjen fjala te integrimi evropian.

Më tej, konflikti mes mazhorancës dhe opozitës, kriza politike e vitit 2011, që kulmoi me vrasjen e katër qytetarëve të pafajshëm më 21 janar 2011, kërkuan sërish ndërmjetësimin e BE-së, duke shtyrë për më vonë statusin kandidat.

Me ardhjen e mazhorancës së re qeverisëse në shtator 2013, ishte radha e opozitës të asaj periudhe që të “hakmerrej”, duke tentuar të vononte statusin. Më në fund, në qershor 2014, pas shumë demarsheve diplomatike u bë e mundur dhënia e statusit, por i pashoqëruar me hapjen e negociatave. Këto të fundit u lanë për më vonë, pas plotësimit të pesë kushteve/prioriteteve të njohura.

Vërtet që po atë vit, Presidenti i ri i Komisionit Evropian, Juncker lëshoi deklaratën për ngrirjen e procesit të zgjerimit të mëtejshëm të BE-së gjatë këtyre pesë viteve. Por as ajo dhe as mangësitë në politikën e jashtme të BE-së nuk krijuan ndonjë pengesë praktike për vendet e rajonit dhe sidomos Shqipërinë.

Atëherë, ku qëndrojnë “gjynahet” e BE-së që këto negociata ende nuk janë hapur?

A kishte, bie fjala, mbështetje më të madhe gjatë katër viteve të fundit për gjithë klasën politike të Ballkanit dhe vendit tonë sesa Procesi i Berlinit me nismën e vetë Kancelare Merkel, me të “mëdhenjtë” e tjerë si Franca, Italia, Britania e Madhe dhe Austria dhe me mbështetjen e Komisionit Evropian?

A e ka fajin BE-ja që, me gjithë premtimet e shprehura nga pala jonë, akoma nuk ka filluar, në kuptimin e vërtetë të fjalës, zbatimi i reformës së gjyqësorit dhe vetingu, ndërkohë që kanabizimi i vendit mund të kthehet në pengesë tjetër serioze për çeljen e këtyre negociatave? A e ka fajin BE-ja për krizën e stërzgjatur ndërmjet dy partive kryesore, ngritjen e “Çadrës së Lirisë” dhe problemet e shkaktuara deri në prag të zgjedhjeve parlamentare të 25 qershorit? Kush pengoi që marrëveshja e 18 Majit të ishte arritur kohë më parë, kur Parlamenti Evropian u investua me dy protagonistë të njohur, nga e majta dhe e djathta, kurse Departamenti Amerikan i Shtetit me zyrtarin më të lartë të rajonit?

Ndaj, nuk ka kuptim t’i kërkosh hesap BE-së, e ca më keq ta “kërcënosh” atë se po nuk bëri kështu dhe ashtu, do të bëhet “nami”! Aq më tepër, kur në shumë takime publike të niveleve të larta, bashkëbiseduesve tanë u është thënë troç: “Bëni detyrat e shtëpisë! Kur të jeni gati, na thoni, dhe të nesërmen i çelim negociatat!” Më qartë nuk ka se ku të shkojë.

Nisur nga sa sipër, janë të panevojshme dhe madje të dëmshme kërkesat dhe deklarimet me natyrë populiste dhe euroskeptike; ato vetëm sa shpenzojnë shumë kohë dhe energji të kanaleve tona diplomatike për të bërë sqarimet e rastit në kancelaritë e 27 vendeve anëtare dhe institucioneve të BE-së. Gjithashtu do shmangur referimi te “alternativa të tjera”, sidomos kur vijnë nga zyrtarët tanë më të lartë dhe jo në forumet përkatëse. Lidhur me këto të fundit, edhe pse ne jemi për miqësi dhe bashkëpunim me të gjitha vendet e botës, asnjëra prej tyre nuk mund të zëvendësojë anëtarësimin në BE si alternativë të pakthyeshme dhe të panegociueshme.

Shkurt, Evropa asnjëherë nuk na është larguar, ajo na është ndodhur gjithnjë pranë, në ditë me diell dhe me shi; por ne nuk kemi ditur ose nuk kemi dashur ta kuptojmë, herë i jemi afruar dhe herë larguar, sipas interesave politike dhe zgjedhore të çastit.

Ndaj, tani që negociatat e anëtarësimit i kemi vërtet në prag të portës, të bëhemi vërtet gati duke mos përsëritur gabimet dhe vonesat e mëparshme, në mënyrë që të kompensojmë kohën e humbur me përgatitje serioze dhe të gjithanshme. Këtë presin nga ne BE-ja dhe aleatët tanë, këtë dëshiron dhe shumica dërmuese e popullit, që e shprehu dhe me votën e tij në zgjedhjet e datës 25 qershor 2017. Ndaj shefi i diplomacisë sonë, Ditmir Bushati, me të drejtë pohoi në një nga intervistat e tij të kohëve të fundit se “tashmë topi është në portën tonë”.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.