OPINION

Pse nuk ka investime të huaja në Shqipëri

07:30 - 14.10.17 gsh.al
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

 




 

Nga Arian GALDINI

 

Kur kam lexuar për herë të parë nga Koliqi “Tregtarin e Flamujve”, më është mbushur shpirti me zemëratë.

I ndikuar edhe nga historia e tij personale me fashizmin, mendova se ai njeri i ditur, nuk kishte asnjë dëshirë që t’i frymëzonte lexuesit e tij. Përkundrazi, në çka shkruante, fshihte një ngucje të ligë dekurajuese. Isha shumë i ri kur e lexova për herë të parë.

Sot, ndërsa sapo kam kaluar të 40-tat, më vjen krejt ndryshe ai tregim. Më vjen si një foto e pandryshueshme 105-vjeçare e vendit tim.

Që ditën e parë që thamë se bëmë shtet, nuk kemi reshtur së ripërsërituri se po bëjmë apo do të bëjmë shtet. Të gjithë udhëheqësit tanë, pa përjashtim, nga Ismail Qemali e deri tek Edi Rama, e kanë pasur shtetbërjen si një lajtmotiv çuditërisht mrekullibërës.

Në fund, të gjithë kanë ikur, edhe Edi Rama do të ikë, e pasardhësi menjëherë ka shpallur se ai dhe vetëm ai di e do të bëjë shtet.

Pse ky kompleks i ditës së parë të shtetbërjes, po na mban kaq të ligsht dhe të ngërthyer pas rrobës së policit e skërmitjes së taksidarit? Pse?

Pas 105 vitesh, ditë e parë e shtetbërjes, çdo ditë, 1/3 e shqiptarëve e kanë braktisur Shqipërinë, e sot sipas Barometrit Ballkanik, gjysma e atyre që kanë mbetur, duan të ikin një orë e më parë.

Si mund të vazhdohet kështu?!

Si mundet që me çdo lider e parti që fiton apo mëton fitoren, neve na duhet të jetojmë çdo ditë, ditën e parë të shtetbërjes dhe të mbajmë mend se i vetmi mëngjes shtetëror që kemi parë ka qenë me mbret e xhandar dhe dreka e muzgu kanë qenë me diktator, sigurimsa dhe organizata bazë partie?!

Kjo marrëzi duhet të marrë fund, përndryshe më keq do bëhet!

Sinqerisht që në këtë pikë ku jemi, nuk e di sesi mund t’i jepet fund kësaj marrëzie, por e di që po nuk e gjetëm mënyrën ta ndalim, atëherë të gjithë do të bëhemi të marrë, ose kush do të shpëtojë, do të ikë nga ky vend.

Ne nuk dalim dot nga kllapia e ditës së parë të shtetbërjes, sepse ne udhëhiqemi e jemi udhëhequr që ditën e parë, nga një shumicë dërrmuese “tregtarësh të flamujve”.

Pak, shumë pak histori njerëzore dhe politike për udhëheqësit tanë, kam lexuar ku ata të mos jenë rrogëtarë të grekut, malazezit, serbit, latinit, nemses, inglizit, francezit, turkut etj., etj., etj.

Afërmendsh, rrogëtarët nuk kanë të drejtë të mendojnë.

Paguhen për të zbatuar, jo për të menduar.

Ngase kemi shumë rrogëtarë të tillë, në politikë, media, kulturë, institucione, OJF etj., etj., ne jemi një shoqëri që jetojmë sipas axhendave rrogëfituese të të gjithë mëditësve, kudo e të kujtdo që i kemi.

Kjo është edhe arsyeja pse kemi kaq shumë fushata linçimesh apo lëvdimesh, të cilat na gllabërojnë të gjithëve si shoqëri reale dhe si shoqëri virtuale.

Kur ne përfshihemi në sharje a lëvdata, në gjithfarë debatesh e fushatash që ndizen këtu, ne në fakt u bëjmë një nder të madh rrogëtarëve që puthin prapanica e kinde të huajsh e nuk duan t’ia dinë fare për vendin dhe gjindjen e tyre.

Këtë skemën e rrogëtarëve te të huajt, kanë filluar ta konkurrojnë në Shqipëri edhe mafia, krimi dhe partitë politike.

Të gjithë kanë hisenë e tyre të rrogëtarëve.

Kush do pushtet për plaçkë dhe rrogë, nuk ka as qëllime të mbara, as dëshirë, as vizion, as ideale, as parime, e madje as mundësi për t’i shërbyer vendit, kombit, shoqërisë.

Sipas meje, kjo është edhe arsyeja bazë se përse në Shqipëri nuk ka investime të huaja.

Ne udhëhiqemi nga mediokër e batakçinj, që duan pushtet për të bërë plaçkë dhe rroga të majme për të bërë qejf.

Asnjë vend i huaj, nuk çon investime aty ku ka udhëheqës që u paguan rrogat.

Ta ndajmë mendjen e të kthjellohemi për këtë.

Për sa kohë shumica dërrmuese e udhëheqësve tanë do të jenë rrogëtarë te të huajt, mafia, krimi apo partitë, për aq kohë investimet e huaja do të jenë vetëm offshore me emërhuazues që vijnë vetëm të pastrojnë paratë e plaçkëbërësve që kemi në krye të vendit.

Ky soj nuk duan e nuk munden të synojnë, kërkojnë apo punojnë për zhvillimin dhe dinjitetin e Shqipërisë.

Ky soj janë tregtarë flamujsh që janë shpirtmbyllur për vendin dhe gojëshqyer për plaçkë e rroga të majme.

E për ta mbyllur, po them se, për shkak se kemi shumë, po shumë fare rrogëtarë të tillë, të kudondodhur e të prejkujtdo paguar, në Shqipëri kemi shumë opinione, e pak mendim.

Rrogëtarët e fitojnë shpërblesën a pagesën e tyre duke na mbytur me opinione ku ne ndahemi, zihemi e grihemi, e për të na vrarë mendimin që as të mos shohim dot e as të mos kuptojmë dot.

A mund ta ndalim dot këtë marrëzi?

Nuk e di…

Por, sido që të jetë, nuk duhet të mbyllim gojën.

E vërteta duhet thënë, sepse ndoshta është i vetmi shpëtim.


Shfaq Komentet (1)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.

  1. E vertete.
    T’lutem ke ndonje info sesi mund t’largohesh legalisht ne Amerike ose Suedi a Norvegji. Une ve ne dispozicion 20.000 Euro…kush ka info t’leri nr. Cel.a email.

    Përgjigju ↓