OPINION

Bisedë rreth komplimentit

07:35 - 15.10.17 gsh.al
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play




 

Nga Valbona NATHANAILI

 

Cili është komplimenti që ju ka mbetur më gjatë në mendje, që ju ka pëlqyer më shumë, që do veçonit nga të tjerët? Cili është komplimenti më i bukur që keni marrë? Mund të identifikoni kombësinë e atij që ka bërë komplimentin? Shkak u bë Fjalori i Gjuhës Shqipe, i cili për fjalën “kompliment”, ka këtë përkufizim: Fjalë lavdëruese që i thuhen dikujt për t’i bërë qejfin; lajkë. Ndonëse teksti që i referohem është botim i vitit 2006, përkufizimi është shumë i thatë, ndërsa nënteksti duket sikur pasqyron një marrëdhënie të dyshimtë dhënës-marrës, një detyrim, thënë me synimin që në këmbim të marrësh diçka. Bindja për këtë shpjegim të shtohet edhe më shumë kur i drejtohesh të njëjtit fjalor për të gjetur kuptimin e fjalës sinonime lajkë: lëvdatë e gënjeshtërt ose e tepruar.

Fjalori anglisht i jep këtë kuptim: një vërejtje e sjellshme, që i drejtohet dikujt, nëpërmjet së cilës shprehet pëlqim me paraqitjen, vlerësohen cilësi të caktuara, ose aprovohet një veprim i kryer. Po të vazhdosh me krahasimin, në përkufizimin shqip, komplimentet janë fjalë, ndërsa në atë anglisht është fjali (vërejtje), pra një mendim i strukturuar me një qëllim. Sa u takon sinonimeve, edhe fjalori anglisht e përmban fjalën lajkë, por në një kuptim më të largët, përpos që edhe vetë përkufizimi i lajkës është pak më i butë se ai që jep fjalori shqip.

Duke qenë një shoqëri e formësuar nga vendime e politika që merren nga meshkuj, të cilët na tregojnë se si duhet të perceptojmë e veprojmë, që kanë vendimmarrje dhe na udhëheqin, – edhe autorët e Fjalorit të Gjuhës Shqipe janë të gjithë meshkuj – nuk është për t’u çuditur që përkufizimi i kësaj fjale ka mbetur i papërditësuar. Në një ekskursion të shpejtë nëpër grupe të ndryshme të shoqërisë sonë, nuk është vështirë të konstatosh se “udhëheqësit” tanë meshkuj tregojnë se karakterizohen nga një mendësi e ngurtë, fiksuar në koncepte e mendime që nuk promovojnë ndryshimin, të renë, progresiven, të ardhmen. Janë të mbushur me ndjenjën e hakmarrjes. Dhe me dëshirën për t’i bërë qejfin dikujt që ka në dorë diçka. Madhështia e tyre është në përpjesëtim të drejtë vetëm me hapësirën që përmban interesat e tyre personale. Jo shumë kohë më parë kam pasur një shef “të doktoruar jashtë”, por “rebelin” që shihte te një punonjës mashkull, e përkthente “në person që nuk pëlqen autoritetin” te një punonjëse femër: rebeli-mashkull i artikuluar me konotacione pozitive, femra-që-nuk-pëlqen-autoritetin me konotacione negative. Ose që superioritetin e tij e ndërtonte duke bërë inferiorë njerëzit që e rrethonin.

Për këtë kategori njerëzish, përshtatja me përkufizimin e fjalës “kompliment” në fjalorin shqip është perfekt. Ndryshe, ata nuk janë në gjendje të mendojnë një kompliment sipas përkufizimit të fjalorit anglez. Thënë këto, besoj se meshkujt që na udhëheqin janë përjashtimi. Janë në krye, por nuk janë modeli.

Dhe kjo ishte një nga arsyet kryesore pse iniciova këtë bisedë. Arsye po kaq kryesore ishte të provonim nëse ka vërtet mospërputhje ndërmjet kuptimit që jep fjalori dhe kuptimit real, atë që kemi parasysh kur presim a japim një kompliment. Ndërsa synimi i dytë, por i bukur tashmë, është transmetimi i asaj ndjenje të mirë që të ngjall dhënia a marrja e një komplimenti. Bashkëbisedueset janë nga fusha e krijimtarisë, që arritjet i kanë në rrjedhojë të punës së palodhur e përpjekjeve, që më shumë se suksesi, i motivon përballja me sfidat, që janë të afta të spikatin, sepse janë bërë, pavarësisht se çfarë kanë trashëguar. I falënderoj sinqerisht për përgjigjet dhe mesazhet që transmetojnë nëpërmjet tyre.

Mira Meksi, shkrimtare: Së pari mendoj t’i japim konotacionin e duhur fjalës “kompliment” sepse në shqip, në fjalorin e gjuhës shqipe, ka sinonimin e lajkës. Mendoj që ti i jep kuptimin që i jep tërë bota, domethënë një përgëzim për një cilësi, veprim, gjykim etj. Ndjeshmëria ime më e madhe është te shkrimësia, së cilës i kam “shitur” shpirtin. Komplimenti më i spikatur që mbaj mend, ose që më ka prekur vërtet ka qenë nga kritika franceze, në vitin 1998, gjatë organizmit të Ditëve të Bukurosheve të Huaja në Francë, pra letrave shqipe, me pjesëmarrjen e 13 shkrimtareve shqiptare, mes të cilave isha edhe unë. Kritika letrare franceze shkruante se “…universi poetik i shkrimësisë së Mira Meksit është i mbushur nga magjia e autorëve të mëdhenj të Amerikës Latine, si Borges, Cortazar, Marquez, autorë që ajo vetë i ka sjellë në shqip. Filozofia e Borges-it, apo karakteri barok i personazheve të Marquez-it shënjojnë identitetin e saj ballkanas”. Kjo, përveç se në shtypin francez të kohës, gjendet edhe në botimin e Centre National du Livre (13 ecrivains d’Albanie) Paris, 1998.

Viola Isufaj, shkrimtare, studiuese: Në përfundim të një interviste, më quajtën “Dolce Diva”, ndërsa në fundin e një fraze, në një letër që kam marrë kohë më parë, shkruhet: “…këtë bukuri që e pashë me sytë e mi!” (Kombësia në të dyja rastet është shqiptare).

Eleni Laperi, studiuese dhe kuratore arti: Komplimentin që më ka mikluar më shumë e kam marrë nga një grua e thjeshtë, një taksiste në Iowa, ShBA. Pak përpara se të zbrisja, m’u drejtua: “Mos jeni artiste? Pse mendoni se jam? – e pyeta. Sepse si ty, këtu, vetëm artistët dinë të rrinë.”

Sonila Kapidani, Specialiste Edukimi në Teatrin e Metropolit, Qendra Kulturore Tirana: Natyra e punës sime është e tillë që marr shpesh komplimente sepse jam në komunikim të drejtpërdrejtë me njerëz të grupmoshave të ndryshme, të cilat i vlerësoj si rimbushje energjie, si pamje e vetes sime se u duhem njerëzve e si mënyrë për të pasuruar veprimtarinë e mëtejshme. Po veçoj një kompliment që kam marrë tani së fundmi, e personat që e artikuluan janë bashkëkombës: “Po të kishte bota më shumë njerëz si ti, do ishte vend shumë i bukur për të jetuar”, – që e sjell në mendje sa herë ndjej shterim!

Burbuqe Spahiu, producente, Drejtore Ekzekutive “Shoqata kulturore Shqipëri – Kinë (ACCA)”: Të rrëfej për komplimentin më domethënës? Ok! Pa dyshim është ai që më ka drejtuar Ismail Kadare. Po afroheshin festat e fundvitit. Në një mbrëmje të bukur dhjetori, nga ato që vetëm në Tiranë mund të gjesh, shëtisnim bashkë me Ilin, bashkëshortin tim në bulevard. Isha veshur me peliçe të shkurtër të zezë dhe kisha vënë kapuç të bardhë në kokë. Rastësisht takojmë Kadarenë. U përqafuam përzemërsisht, ai u kthye i tëri nga unë dhe më tha i entuziazmuar: “Je gruaja që i shkon dimri”. Këtë kompliment e ka shkruar edhe në dedikimin në faqen e parë të librit “Kukulla”.

Ada Çapi, shkrimtare, farmaciste: Komplimentin më të bukur mund të them se ma ka dhuruar im bir, adoleshent, 15 vjeç. Ka shumë dëshirë të dalim bashkë. Një herë më tha edhe arsyen: “Të flasim për gjërat e mia sekrete”.

Blerta Hyska, përkthyese: Për mua zgjedhja ishte e vështirë, m’u duk sikur duhej të zgjidhja ndonjë problemë. Nuk kam frikë nga të dukurit vanitoze, ose edhe sipërfaqësore; qenia njerëzore është ndërtuar kështu dhe nuk besoj se ekziston njeri që nuk i është bërë qejfi nga komplimentet që ka marrë në situata të ndryshme. Gjithashtu, mendoj se spektri është pak më i gjerë dhe brenda fjalës “kompliment” ne shprehim edhe përgëzim, edhe inkurajim, edhe solidarizim, edhe admirim për personin që ia drejtojmë. Zgjidhjen e bëra mbi dy kritere: në funksion të njerëzve që i kanë thënë dhe në funksion të sa mirë më kanë bërë të ndihem. Koha është pak e largët. Isha në klasë të 8-të dhe sapo kisha ndërruar shkollën. Asnjëherë nuk i kam pasur shumë të mira marrëdhëniet me shkencat e sakta. Por në shkollën e re, mësuesja e matematikës zbuloi – mua m’u duk si me magji – një prirje për këto shkenca. Zbulim i madh, sepse fillova të ndihesha vërtet e zonja. Një ditë, po kjo mësuese, Shpresa (ka kohë që nuk jeton më), ndërsa na dha një detyrë për të zgjidhur në klasë, afrohet pranë bankës. Si me shaka, shoku i bankës, Alberti, i thotë për mua: “Mirë, mirë, dakord me matematikën, por nuk është dhe aq e bukur!” dhe mësuese Shpresa, me një ton të ëmbël, i përgjigjet: “Nuk prish punë, ajo ka mendjen të bukur”. Këto fjalë u gdhendën në kokën time.

Rudina Çupi, poete: Komplimenti është i përkohshëm e ka vetinë të harrohet shpejt – sidomos në rastet kur ka të bëjë me dukjen e personit a të punës apo kur është përshtypje e momentit. Por, mbetet vlerësim, qoftë ose jo i thellë dhe ka aftësinë të të bëjë të ndihesh si jo më mirë, sidomos kur është i vërtetë dhe i ndierë. Me pak fat e mençuri mund të mbash rreth vetes njerëz me shpirt të bukur, që e mbajnë të gjallë atë si shpuzë e vjetër për të ndezur zjarre të reja arritjesh e gëzimesh. Sa herë kam nevojë për mbështetje, mbaj të gdhendur në mendje dhe e kam shumë për zemër vlerësimin e “babait tim shpirtëror” (shqiptar): “Edhe kur unë të mos jem pranë e të ndiesh se ke nevojë të jem aty për të të mbështetur, dije se ti je atmosferë – jetëdhënëse, e epërme, në zhvillime të vazhdueshme e të furishme – pa të cilën një burrë ndihet i shkretë, si çdo planet tjetër”.

Valbona Nathanaili, studiuese, përkthyese: Në sistemin tonë shkollor ka qenë traditë që çdo të premte të fundit të muajit organizonim takime me prindër. Duhet të ketë qenë fillimi i viteve 1990, sapo kishte filluar lëvizja e lirë dhe në një takim, njëra nga vajzat që kisha në klasën në kujdestari, krahas së ëmës, shoqërohej edhe nga një italian. Mbas përshkrimit të arritjeve të nxënëses sime, i kërkova italianit të më shpjegonte diçka në lidhje me këto lloj takimesh në sistemin arsimor italian. Por mbyllja e takimit, për mua, ishte edhe më e bukur se hapja. Duke më dhënë dorën, italiani m’u drejtua me këto fjalë: “Po të kisha një mësuese të tillë, nuk do e kaloja kurrë klasën”. Në fund të asaj dite, padashur, m’u kujtua edhe një herë italiani, por gjithnjë me buzën në gaz. Dhe e kujtoj thjesht si italiani. Fakti që kam veçuar një të huaj, si njeriun që më ka bërë komplimentin më të bukur, ishte shtysë për ta shtuar në grupin e pyetjeve që u drejtova kolegeve.

 

 


Shfaq Komentet (2)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.

  1. Nuk kectë drejtë kur diferencon mendjet në meshkuj dhe femra.Dakort që mundohedhvtë kritikosh bërësit e fjalorit dhe qëmkomenton komplimentin. Ai që është shqiptar, në rastin konkret, nuk ka nevojë për ti spjeguar apo për ti thënë se çkuptim ka, fjala vjen, kompliment. Juvu munduat ta krahasoni me fjaloretc e huaj, Për mua shoh dy gjera tek shkrimmi juaj : a) Është e vërtetë që ata/ato që kanë bërë fjalorin nuk kanë qenë plotësishtctp saktë (gjithnji duke u bazuar tek shkrimi juaj).psh unë kërkova në fjalorin shqip shqip fjalën reb, jo se nuk e dija por doja të isha i sigurtë me drejt shkrimin. E kërkoj më thuhet nuk ka fjalë me emrin “rend”, nejse si nevojtar qënisha në vënd të rend shkrova fjalën “vrap”, për çudi në fund ishte dhe fjala rend.Besoj kuptohemi.b) për fjalën kompliment nëse është shkruar siç e spjegoni juve, po ju them se është një çorap. Të kuptohet fjala “kompliment” të vërtetën e gjen tek fjalia, tek të shprehutit psh kur një njeri ti e kupton që.është kot, thua po kur do dhe ky komplimente? Ose takon një njeri që vërtet ka bërë diçka të pëlqyer, ti i thua: komplimente vërtet e ke bërë.mirë etj pra varet edhe nga fjalët e tjera dhe mimika. U zgjata se për shqiptarin fjalët janë të qarta edhe tek ruajtësi i bagëtuve. Të tjerat janë për të.mos vazhduar më.
    Xinxifiqe xixifuqe

    Përgjigju ↓