OPINION

Shënim/ Nesër, prova e madhe për ambasadorët. Do shprehin “keqardhje për pengimin e drejtësisë” apo do mbrojnë Ramën deri në fund?

16:12 - 24.10.17 gsh.al
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play




Dita e nesërme pritet të jetë një formalitet për dosjen “Habilaj-Tahiri”. Maxhoranca ka paralajmëruar se do ta rrëzojë kërkesën e prokurorisë për arrestimin e ish-ministrit të Brendshëm dhe ajo i ka të gjitha numrat për ta realizuar këtë.

Por, ndryshe nga qëndrimi i qartë i palëve politike, i prokurorisë, i medias dhe opinionit që është ndarë më dysh, misteri i madh mbetet: A do të reagojë faktori ndërkombëtar nëse Kuvendi rrëzon kërkesën për arrestimin dhe hetimin e Saimir Tahirit?

Deputeti pa parti nuk ka akuzë të lehtë: nëse gjendet fajtor për grup kriminal e trafik droge ai rrezikon deri në 20 vite burg.

Dhe ndërkohë që ambasadorët e huaj kanë deklaruar jo pak herë se ka ardhur koha “të arrestohen peshqit e mëdhenj”, neve ende nuk e dimë qëndrimin e tyre për çështjen “Tahiri”.

A do të mbajnë ambasadat një qëndrim të tipit “shprehim keqardhjen për vendimin e Kuvendit që pengon drejtësinë” apo do të qëndrojnë indiferentë sikur asgjë të mos kish ndodhur duke i dhënë kredo shprehjes së Edi Ramës “qentë le të lehin, karvani të ecë përpara”?

Është e pamundur të parashikohet që sot.

Faktet që dimë deri tani janë: italianët duhet të jenë të interesuar për arrestimin e Tahirit, përderisa edhe dosjen e tij “e plasën” publikisht, ende pa marrë ndonjë hap vetë prokuroria.

Po ç’qëndrim kanë partnerët e tjerë? A ka një vendim të unifikuar të vendeve të BE-së për mënyrën se si duhet të bëhet drejtësia në këtë vend? Dhe më tej, a ka një vendim të unifikuar të BE-së dhe SHBA-së për mënyrën si duhet luftuar krimi i organizuar dhe korrupsioni në vend?

Ajo që e bën të paqartë situatën janë 2 fakte në dukje të vogla, por të rëndësishme:

E para, gjatë vizitës së drejtorit të CIA-s në Tiranë, Saimir Tahiri u shmang dhe John Brennan i takoi të gjithë (madje edhe Haki Çakon) përveç ministrit të Brendshëm.

E dyta, në kohën që prokuroria po bën gati letrat për arrestimin e drejtorit të përgjithshëm të Policisë, vetë Haki Çako ndodhet në Amerikë, siç u tha për një konferencë pune.

Gjatë muajve të kaluar, ambasadori i SHBA, Lu e ka rritur nivelin e kritikës për situatën në vend duke përmendur edhe emra konkretë si Shullazi, Balili, Lul Berisha, etj. Gjithashtu, Lu ka paralajmëruar zgjatjen e mandatit të tij deri në pranverën e ardhshme, një praktikë jo shume e zakonshme në përfaqësimin diplomatik. Një paralajmërim ky, shpresëdhënës për shqiptarët të cilët janë stërlodhur nga klasa politike dhe shpresën e vetme kanë faktorin ndërkombëtar.

Muajin e kaluar, ambasadori Lu bëri një deklaratë që i bëri përshtypje jo pak njerëzve. Ai u foli të rinjve dhe u tha se nëse janë të pakënaqur me qeverinë, atëherë mund ta rrëzojnë atë. Lu foli në parim, por ai e di fare mire se jeton në një vend, ku fjalimet e ambasadorit amerikan dekriptohen e analizohen njësoj si frazat e Kadaresë tek “Pallati i ëndrrave” në kohën e diktaturës.

Partnerët ndërkombëtarë kanë folur dhe janë investuar gjatë për reformën në drejtësi, pavarësinë e gjyqësorit, pandëshkueshmërinë e peshqve të mëdhenj dhe lidhjet e fuqishme krim-politikë.

Nesër mund të gërvishtet disi e vërteta dhe të zbulohet nëse këto kanë qenë deklarata për konsum publik apo shprehnin vërtet një mesazh paralajmërimi se bota demokratike nuk mund ta tolerojë më “Kolumbinë e Europës”.

GSH.al


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.