OPINION

Të gjithë së bashku, për të përmbushur ëndrrën e Azemit

07:45 - 28.10.17 gsh.al
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play




 

Nga Ilir META

 

I nderuar kryetar i Bashkisë Tropojë, z. Besnik Dushaj!

Të dashur familjarë të pishtarit të demokracisë, Azem Hajdari!

Të nderuar bashkëkombës dhe bashkëluftëtarë!

Është një kënaqësi e veçantë për mua, si President i Republikës t’ju falënderoj për ftesën në përurimin e shtatores të heroit të demokracisë, z. Azem Hajdari!

Në pamundësi për të qenë bashkë me ju në këtë ceremoni nderimi, më lejoni së pari nëpërmjet këtij mesazhi t’ju përcjell vlerësimin tim më të lartë për aktivitetin dhe kontributin e tij historik si dhe të përgëzoj Bashkinë e Tropojës dhe gjithë ata që ndihmuan për ngritjen e kësaj përmendoreje.

Vendosja e monumentit të Azem Hajdarit në vendlindjen e tij të shtrenjtë është një gjest fisnik mirënjohjeje jo vetëm për kontributin e tij të pazakontë, por edhe për vlerat e shoqërore e kombëtare, që kjo vatër e patriotizmit ka mbajtur në shekuj!

Portreti i bashkëstudentit tonë të dhjetorit, heroit Azem Hajdari, nderon familjen e tij të dashur, Tropojën dhe të gjithë kombin shqiptar.

Ai do të ngelet përgjithmonë tribun popullor i dashur jo vetëm për demokratët, por edhe për shumë shqiptarë, pavarësisht bindjeve të tyre politike.

Ne dhe brezat që do të vijnë do të kujtojnë Azemin si udhëheqësi i lëvizjes studentore, që i priu gjeneratës së re në betejën e tyre epokale për mposhtjen e diktaturës, për liri dhe demokraci, si dhe për një shoqëri të lirë!

Të nderuar miq,

Këto dekada në demokraci treguan se realizimi i aspiratës evropiane kërkon jo vetëm ideale dhe sakrifica për të mposhtur diktaturën, por njëkohësisht të njëjtin përkushtim edhe në ndërtimin e demokracisë, shtetit ligjor dhe ekonomisë së tregut.

Jam i bindur se nderimin më të merituar që mund t’i bënim emrit të Azem Hajdarit dhe idealeve që ai udhëhoqi, do të ishin të punonim të gjithë së bashku për të përmbushur ëndrrën e tij dhe të gjeneratës që ai përfaqësoi, pra ta bëjmë Shqipërinë si e gjithë Evropa!

I paharruar përjetë kujtimi i tij!


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.