OPINION

Reforma dhe kërkimi shkencor në arsim

07:20 - 14.12.17 gsh.al
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

 




Pëllumb KARAMETA

 

Tani që arsimi po përpiqet të pasqyrojë, njëherazi, hartën e një bote komplekse me trazira të vazhdueshme dhe busullën që t’i aftësojë njerëzit të gjejnë rrugët e tyre në të, kërkimet rreth nxënies për të përballur sidat e jetës (ideali i gjithmonshëm i arsimit) po kthehet në çështje të praktikës. Kushdo që ndjek rrjedhën e reformave arsimore, sheh se si po jetësohet ky ideal në Finlandë, Singapor, Zelandën e Re, Kanada, Hong Kong etj. Sepse, sot e në të ardhmen, të rinjtë, shumë më tepër se më parë, që të lulëzojnë në një ekonomi të globalizuar dhe në shoqëri gjithnjë e më të ndryshme, do të kenë nevojë për një rreth të gjerë kompetencash (të kuptuara këto si rezultate të trajtimit të saktë të situatave). Shumë do të punojnë në punë që ende nuk ekzistojnë. Shumë do të kërkojnë kapacitete të përparuara gjuhësore, ndërkulturore dhe sipërmarrëse. Në këtë botë gjithnjë e më komplekse, kur fushat specifike të dijeve rrezikohen të vjetrohen me shpejtësi, krijimtaria dhe kompetenca për të nxënë përherë dhe për t’u përtërirë, do të llogariten gjithnjë e më shumë. Në vijim, gjithë sa shtjellohet është ftesë modeste për t’i shndërruar horizontet e reja arsimore, nga peizazhe që nxitin kureshtjen, në programe të punës kërkimore dhe trajnuese.

Kështu, kërkimet e dekadës së fundit në botë pohojnë si të sigurt që, nëse duam vërtet të përballim sfidat e arsimimit të gjeneratave të reja, ky koncept i ndërlikuar, i orientuar drejt veprimit efikas, i vlerësueshëm dhe që po quhet kompetencë, rezulton si domosdoshmëri, paçka, nëse do të vijojë të emërtohet kompetencë, apo do të shprehet me një term tjetër. Është kjo arsyeja pse nxënia (formale ose jo e tillë) që të aftëson për jetën u bë kryefjala e reformës tonë kurrikulare. Me bindjen se, kur shkollat të lëvizin duke theksuar formimin kompetent, nxënësit / studentët  përveç fjalës së mësuesit, pedagogut dhe tekstit të shkruar, do të nxënë më shumë, për atë që kanë nevojë, përmes mjeteve dixhitale dhe mediave. Për këtë arsye, do të bëhet gjithnjë e më e vështirë të dimë se çfarë roli ka luajtur shkolla në nxënien (ose mos nxënien, nëse ju dëshironi) e gjërave që ajo synon. Këto dy tema do të jenë të rëndësishme, tani dhe në të ardhmen e afërt. Reforma e konsideron kompetencën që ndërton dhe demonstron subjekti, shtyllën e zhvillimit të kurrikulës dhe forcën lëvizëse që shtyn përpara procesin e ndryshimit në arsim. Nga ana tjetër, qasja që formon të riun kompetent mund të konsiderohet si faza e parë, në përpjekjen për të thyer karakterin e fortë disiplinor që ka mbizotëruar tradicionalisht në shkollat tona. Njëherazi, nëse pranojmë që futja e kompetencës në arsim është burim i suksesit të dëshiruar, nevojitet që, përmes kërkimit, të qartësohemi për disa gjëra që ndikojnë jo pak baraspeshën “përpjekje – sukses”.

Më së pari, kjo kërkon zhvendosjen nga tradicionalizmi pedagogjik drejt ndryshimit rrënjësor në mendësi. Ndryshim që do t’i ndihmojë të rinjtë dhe të rejat të zhvillojnë inteligjencat dhe të ndërtojnë kompetencat përmes veprimit, projekteve dhe përvojave të tyre. Nxënia e dobishme kërkon zbatimin, i cili është virtyti i shpikësve praktikë dhe krijuesve të regjur e të mprehtë. Ata pëlqejnë të zbulojnë gjëra; disa herë, të shohin nëse ato funksionojnë, disa herë, thjesht për të parë se çfarë ndodh. Atyre u pëlqen t’i përshtatin gjërat, të akordojnë shkathtësitë e tyre dhe të kërkojnë për përmirësime më të vogla. Ata kënaqen kur “puna ecën mirë” dhe përpiqen ta rishkruajnë ose ripunojnë gjënë. Ata e njohin vlerën e praktikës së mirë dhe dinë të nxënë si duhet nga përvojat e tyre. Ata thonë “Le të përpiqemi!” dhe “Ç ‘ndodh nëse…?” Ata lumturohen, kur përpiqen të zbatojnë qasje të ndryshme, kur i përziejnë gjërat, kur gabojnë (nëse kjo nuk ka kosto të lartë) dhe mendojnë që kjo mund t’i informojë për çka duan.

Sot, pa asnjë mëdyshje, konsiderohet e tejkaluar qasja që, si qëllim të nxënies, konsideron përvetësimin e përmbajtjeve lëndore “pa jetë”. Vendin e saj po e zë arsimimi që bazohet në situatat e kuptueshme të nxënies, të cilat i ndihmojnë subjektet të ndërtojnë njohuritë e reja dhe të zhvillojnë kompetencat për jetën dhe punën. Arsimimi, tashmë, nuk është më çështje e mësimdhënies së përmbajtjeve lëndore thjesht formale (forma gjeometrike, zgjidhje e ekuacioneve, rregulla të sintaksës apo memorizimi i formulave etj.), por identifikimi dhe trajtimi i situatave përmes të cilave subjektet mund të ndërtojnë, të transformojnë ose të hedhin poshtë idetë apo njohuritë që lidhen me këto përmbajtje.

Shndërrimi i traditës kurrikulare kërkon që kompetenca, kuptimi dhe roli i saj, të zbatohet në të gjitha nivelet e strukturës së kurrikulës (zyrtar, i zbatuar dhe i përvetësuar); që mbikëqyrësit të orientojnë dhe të ndjekin praktikat mësimore; që drejtuesit të kenë kuptim të qartë të shkollës dhe misionit të ri institucional të saj; që mësuesit të përfitojnë nga ndihma e ndërsjellë dhe të marrin pjesë gjallërisht, madje, deri në zhvillimin e kurrikulës. Në vend që të vazhdojmë, p.sh., të mendojmë për shkollimin e së nesërmes përmes lëndëve dhe orëve që u duhen kushtuar atyre, tani është koha për lëvizje të guximshme rreth organizimit dhe shtimit të kohës mësimore. Ndaj po rimendohen kohët mësimore të lëndëve tradicionale si gjuhët, matematika dhe shkencat dhe shtohet kohë në dobi të temave të integruara, projekteve dhe veprimtarive praktike. Natyrisht, në klasat e shkollës fillore do t’i kushtohet më shumë kohë nxënies së organizuar, pastaj gradualisht, ajo zvogëlohet, varësisht niveleve të nxënësve për të menaxhuar veprimet dhe nxëniet e tyre.

Jetësimi i gjithë sa më sipër, por dhe i shumë të tjerave si këto, pa asnjë dyshim, kërkon zhvendosje të mëdha në mendësi; së pari e mbi të gjitha, si t’i mendojmë nevojat e nxënësve, përse duhen menduar si të tilla, si do ta dimë kur do jemi të suksesshëm në arritjen e gjërave? Për plotësimin e këtyre nevojave do duhet të dallojmë qartë ndryshimin, të themi, të dijes nga njohuria, të objektivit mësimor nga rezultati i nxënies, të metodës nga metodologjia, transmetimit të dijeve lëndore përmes konkretizimit me situata jetësore nga përdorimi i përvojave jetësore si pikënisje për situatat e nxënies etj. Më tej: për të kuptuar nevojën e zhvendosjeve të shpejta nga aftësia drejt kompetencës, nga mësimdhënia drejt nxënies, nga nxënia e përbashkët, drejt nxënies së personalizuar me plane individuale, që nxënësit të zgjerojnë rrethin e përvojave në veprimtari shkencore / artistike / sportive me domethënie për ta etj..

Për të përballur sfidat, mirë do ishte që në programet e kërkimit të Fakulteteve të mësuesisë, por dhe në planet e trajnimeve të çdo niveli, të zënë vendin që u takon analiza dhe kuptimi i thellë i karakteristikave të modelit që po zbatojmë, njohja e thellë e gjithë sa ofrojnë kapacitetet tona dhe zbatimi i strategjive të ndryshimit arsimor në kushtet e kaosit dhe të evoluimit. “Këndej – thekson kërkuesja sfiduese zelandeze Xhejn Gilbert (Jane Gilbert) – në vend që ta shohim dijen e tekstit shkollor si diçka që duhet zotëruar, ta shohim atë  si proces ndërtues, si diçka që ndodh në kushte dhe marrëdhënie të veçanta. Në vend që t’i shohim të menduarit dhe nxënien si veprimtari individuale, t’i shohim si gjëra që ndodhin kur subjektet ndërveprojnë bashkërisht. Në vend që të përpiqemi t’i “dendim” ata me dije për të cilat nuk do të kenë ndonjëherë nevojë, t’u mundësojmë të ndërtojnë kompetencën për të punuar me të tjerët për prodhimin e dijeve të reja që zgjidhin probleme të mirëfillta jetësore. Në vend që të përpiqemi që secili ta matë veten me normat e vendosura (që, aktualisht, janë norma për një përqindje të vogël të popullsisë), të nxitim larminë dhe dallimet. Në vend që t’i bëjmë të gjithë njëlloj, ne kemi nevojë për një sistem arsimor që i ndihmon nxënësit të lëvizin lirisht në mjedisin e diskutimeve, të krijojnë dhe të shfaqin identitete të dallueshme (disa prej të cilëve mund të jenë identitete që askush s’i ka menduar më parë)”.

Rinovimi dhe thellimi i programeve kërkimore në arsim kthehet kështu në përparësi. Gjeneratat e reja kërkojnë një arsim që na frymëzon t’i rinovojmë vazhdimisht nxëniet në shkollë dhe në arsimimin e bashkësive; një arsim që i përfshin dhe i frymëzon të rinjtë dhe familjet e tyre. Që nxit përpjekjet, aventurat dhe nxënien e pareshtur. Që ndez me kënaqësinë e thellë të zbulimit dhe të eksplorimit. Gjeneratat e reja lindin me përkushtimin për të nxënë; le ta njohim, t’i thurim lavde dhe ta mbrojmë këtë zell, por dhe ta ushtrojmë, ta forcojmë e zgjerojmë atë.

Tiranë, më 13/12/2017

 

 

 


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.