EKONOMI

Dali Lala: Detyroheshim të mos vishnim kostumet e punës. Ja si më vdiqën ndër duar dy shokët e mi minatorë në Gjegjan dhe Golaj të Kukësit

11:30 - 19.12.17 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Voltiza DURO




Për plot 16 vite, ka punuar në tunelet e nëntokës e është përballur me vetë ferrin, në temperatura që arrinin deri në 70 gradë. Pasi dilte në sipërfaqe, nuk arrinte të njihte shokët e tij minatorë pasi pluhuri i kishte mbuluar totalisht. Ai quhet Dali Lala e sot jeton në zonën e Laprakës në Tiranë, në një shtëpi të vogël, e me pensionin prej 130 mijë lekësh të vjetra, nuk arrin të kalojë as gjysmën e muajit. Minatori, tashmë në pension, rrëfen në një intervistë ekskluzive për “Gazeta Shqiptare” historitë e tmerrshme që ka përjetuar në minierat e Gjegjanit e Golajt, kushtet skandaloze ku i është dashur të punojë, e frikën e pareshtur se mund të humbiste jetën nga momenti në moment. Lala i bën thirrje shtetit shqiptar që të miratojë statusin e minatorit e të hedhë sytë nga kjo shtresë që i ka ditët e numëruara.
Prej sa vitesh keni punuar si minator?
Unë kam qenë punonjës i nëntokës prej vitit 1978 deri në vitin 1994. Gjatë kësaj periudhe kam punuar në minierën e bakrit në Gjegjan të Kukësit për 7 vite me radhë, dhe pjesën tjetër kam punuar sërish në një minierë bakri në Golaj të Hasit.
Sa punëtorë kanë pasur këto dy miniera?
Në Gjegjan të Kukësit kanë punuar 1500 vetë ndërsa në Golaj të Hasit në të gjithë sektorët së bashku punonin 750 persona.
Si kanë qenë kushtet e punës në minierë?
Në minierën e Gjegjanit në Kukës, kur linim punën nuk arrinim të njihnim njëri-tjetrin nga pluhuri që kishim marrë në fytyrë e as sapuni nuk arrinte ta pastronte. Gjithashtu, temperatura ku ne punonim ishte shumë e lartë pasi çlirohej nga përbërja e epiritit e në disa fronte pune shkonte deri në 70 gradë e detyroheshim mos vishnim fare kostume pune për të përballuar sadopak nxehtësinë. Ndërsa në minierën e Golajve minatorët punonin me materialin e kuarcit, tepër i rrezikshëm për shëndetin e që aty vendosej se jeta e tyre do të ishte shumë e shkurtër.
Sa të sigurt ndiheshit kur fillonit punën nëntokë?
Puna ka qenë shumë e pasigurt sidomos në lidhje me gazrat e rrezikshëm që ishin prezentë me ne aty. Në një rast, më është dashur t’i thyej dhëmbët një kolegut tim për ti hapur gojën pasi ishte asfiksuar nga gazi helmues e rrezikonte jetën. Pasi dilnim na jepnin për të pirë një qumësht pluhur të cilin e merrnim rregullisht gjasme për të pastruar mushkëritë nga pluhurat, por edhe ai nuk e bënte efektin e vet.
A ka pasur viktima të rëna në krye të detyrës në minierën e Gjegjanit në Kukës?
Po! Jo vetëm një, por disa ku kam qenë edhe vetë prezent. Ajo që më ka ngelur në kujtesë është rasti kur në periudhën e diktaturës, një kolegu dhe shoku im që haja në një pjatë me të, vetëm 27 vjeç, humbi jetën në minierë nga shpërthimi i dinamitit së bashku me zjarrmëtarin 35 vjeçar. Të dy i gjetëm të vdekur poshtë gurëve, ishin momente tmerri që nuk do i harroj kurrë pasi më janë skalitur në memorie deri sa të vdes. E gjithë kjo ndodhi nga pakujdesia e shtetit, sepse fitili zjarr përcjellës ishte jo i rregullt e minat plasën para kohe.
Po në Golaj të Hasit a ka pasur raste vdekjesh të minatorëve?
Në periudhën e komunizmit kur po punonim në tunelet e minierës së Golajt në Has, një masiv i madh shkëmbi mbi 10 tonë, u shkëput dhe i ra sipër njërit prej shokëve tanë. Të gjithë ne luftuam me leva për të lëvizur sadopak gurin dhe arritëm t’ia dilnim, e të merrnim në krahë shokun e vdekur. Kemi kaluar periudha të tmerrshme.
Ju vetë a keni pësuar ndonjë dëmtim shëndetësor nga puna në minierë?
Për shkak të punës në minierë, prej 8 vitesh vuaj nga një sëmundje zemre dhe marr me rimbursim disa ilaçe, por nuk trajtohem me kurën e duhur pasi ilaçet që janë për trajtimin e saktë të sëmundjes, nuk jepen me rimbursim, e vetë, normalisht që nuk kam mundësi që t’i blej. Kam bërë disa herë ndërhyrje kirurgjikale, dhe shpenzimet të gjitha i kam mbuluar vetë. Kam shkuar në QSUT dhe më kanë thënë vetëm që të trajtohem me këto ilaçe që e ndjej që s’po më bëjnë efekt.
Si u trajtuat nga shteti pas daljes si i papunë për shkak të mbylljes së minierave?
Pasi erdhi demokracia dolëm të papunë dhe për një periudhë prej afro 13 vitesh kemi marrë një trajtim të veçantë që ka filluar me 50 mijë lekë të vjetra e që më pas u bë 82 mijë lekë të vjetra. Pastaj me ligjin që doli për pension të parakohshëm në 2014 marr një pension prej 130 mijë lekësh të vjetra, duke fut disa shtesa që së bashku me pensionin arrijnë shifrën 156 mijë lekë të vjetra.
A është i mjaftueshëm ky pension për ju?
Në bazë të llogarive që kam bërë, pasi paguaj dritat e ujin, më ngelen për përdorim një vlerë shumë e vogël. Jetoj bashkë me gruan dhe ajo merr një pension shumë të vogël pasi ka punuar në kooperativë dhe pensioni i saj është 115 mijë lekë. E kështu që jetojmë përafërsisht me 3 mijë lekë në ditë për person.
Cila është thirrja juaj ndaj shtetit shqiptar?
Shteti të paktën duhet të ndihmojë këtë shtresë që i ka ditët e numëruara dhe të mendojë se jeta jonë është shumë e shkurtër për shkak të pasojave që na ka sjellë puna në nëntokë. Mundësisht të na japin një lëmoshë sa për të jetuar edhe këtë periudhë që na ka ngelur. Morëm dhe shpërblimin e fundvitit prej 30 mijë lekësh të vjetra, një pagesë tepër qesharake. I bëjmë thirrje shtetit që të miratojë statusin e minatorit e të rrisë sadopak pensionet që të paktën të mund të kalojmë gjysmën e muajit.

Likrama rrëfen vdekjen e shokut në minierën e Kërrabës

Minatori: Nuk arrinim të merrnim frymë

Sot, Hekuran Likrama është 59 vjeç e prej 1981 deri në 1995 ka punuar në minierën e qymyrgurit në Kërrabë. Në një rrëfim për “Gazeta Shqiptare”, ish-punonjësi i nëntokës tregon të gjitha vështirësitë, me të cilat është përballur për 16 vite me radhë. “Miniera nuk është fushë më lule, ishte një vend ku hynim të bardhë e dilnim të zinj. Por kushtet asnjëherë nuk ishin të mjaftueshme, nuk arrinim të merrnim as frymë, pasi ajri nuk ishte i mjaftueshëm. Madje në disa sektorë brenda në minierë kishte edhe gaz karbonik, pra vdisje “rehat”. Jam me fat që kam shpëtuar gjallë nga ai tmerr”,-thotë Likrama për “GSH”. Ky i fundit tregon edhe momentin e tmerrit kur një prej kolegëve të tij nga Baldushku, ndërroi jetë në krye të detyrës, pas shpërthimit të minave. Hekurani më tej thekson se asnjë prej pushtetarëve të gjithë këtyre viteve nuk i kanë parë ndonjëherë kushtet nga afër për të kuptuar vështirësinë e rrezikun që hasin minatorët. “Pensioni që marr tani është 240 mijë lekë të vjetra e jam vetë i shtatë në shtëpi. Normalisht që nuk është i mjaftueshëm për të jetuar, pasi me çmimet që ka sot, nuk del”,-tregon minatori.

 

 


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.