OPINION

Zi në CIHEAM-Bari, Shqipëria e Kosova humbi një mik të madh

GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Më 2 janar 2018 u nda nga jeta në moshë të re nga një sëmundje e rëndë Cosimo Lacirignola, sekretari i përgjithshëm i Qendrës Ndërkombëtare e Studimeve të Larta Agronomike Mesdhetare (CIHEAM).




Drejtor historik i CIHEAM-Barit nga viti 1987 deri më 2016, ai me vizionin dhe energjinë e tij e transformoi këtë institut në qendër të rëndësishme kërkimore, formimi profesional dhe bashkëpunimi ndërkombëtar jo vetëm për vendet mesdhetare, por edhe më tej me vende të Afrikës, Azisë dhe Europës. Ishte respektues i të gjitha individualiteteve edhe traditave etnike e fetare të të gjithë atyre që vinin nga vende të ndryshme, të cilët u formuan profesionalisht dhe u njohën me punën e këtij instituti.

Me energjitë e tij, ai e transformoi Institutin Agronomik Mesdhetar të Barit në një qendër të ekselencës së kërkimit shkencor në fushën e bujqësisë dhe të dallohet për nga veprimtaria intensive nga institutet e tjera të familjes së CIHEAM-it në Francë, Spanjë e Greqi. Me një nivel të lartë shkencor, ai diti të amortizojë efektet e krizës ekonomike, diti të drejtojë e t’i pasurojë vlerat këtij instituti.

Nëse sot CIHEAM-i ka një Plan Veprimi Mesdhetar 2025 – përsëri aty është nisma, puna dhe veprimtaria e pakursyer e Cosimo Lacirignola-s. Nëse sot Dieta Mesdhetare është shpallur pasuri e UNESCO-s, përsëri aty është puna dhe frymëzimi i Cosimo Lacirignola-s. Dhe nëse CIHEAM-i zë vend edhe në deklaratën e G7 për bujqësinë, përsëri aty është kontributi i palodhur i tij.

E kujtojnë sot dhe do ta kujtojnë me nderim qarqet e larta diplomatike dhe të bujqësisë jo vetëm të Italisë, por edhe të të gjithë vendeve mesdhetare anëtare të CIHEAM-it. Kontributin e tij e kujtojnë FAO, Komisioni i BE, Unioni Mesdhetar e dhjetëra institucione ndërkombëtare si ndërtuesi i urave të bashkëpunimit e përhapës i dialogut.

E kujtojnë dhe do ta kujtojnë fort në rajonin e Ballkanit e në rajonet e nxehta të Afrikës Veriore e të Lindjes së Mesme me mijëra specialistë e drejtues ministrorë si një misionar i paqes dhe i dashurisë mes njerëzve nga vende të ndryshme, si farkëtues i dhjetëra projekteve të bashkëpunimit, si përhapës i njohurive profesionale dhe arritjeve të shkencës.

E kujtojnë fort mirë e do ta kujtojnë gjithnjë në Shqipëri e Kosovë, ata qindra ekspertë, të cilët u specializuan në aulat dhe bankat e CIHEAM-Barit dhe morën pjesë në dhjetëra projekte, të cilat ndikuan aq shumë në zhvillimin e bujqësisë shqiptare. Shumë ish-studentëve të këtij instituti iu hapën horizontet, u krijuan mundësi të reja pune dhe aktivitetesh.

Cosimo Lacirignola ishte nga të parët drejtues ndërkombëtarë që i shtrinë dorën e bashkëpunimit Shqipërisë të pasdiktaturës e Kosovës të pasluftës. Nën drejtimin e tij u arrit të bashkohen në projekte të rëndësishme Ministria e Bujqësisë, Ministria e Mjedisit, Universiteti i Tiranës dhe Universiteti Bujqësori i Tiranës. Doktor Honoris Causa i Universitetit Bujqësor të Tiranës, Dr. Lacirignola, i njohur thjeshtësisht “Mimmo” u hapi rrugë investimeve të rëndësishme në fusha të ndryshme të bujqësisë edhe nëpërmjet projekteve INTERREG: bujqësi e integruar dhe biologjike, mbrojtjen e bimëve dhe prodhimin e fidanëve të pemëve frutore, ujitje, mekanizim, laboratorë, biblioteka, botime e mbi të gjitha kontribuoi për rritjen e kapacitetet drejtuese e profesionale.

Do ta kujtojnë drejtuesit e ministrive për fjalën e ngrohtë dhe për përkrahjen që u pat dhënë jo vetëm si drejtor i Institutit Agronomik të Barit, por edhe si president i “Fiera del Levante” për katër vite,  nga 2006 në 2010, kompanive shqiptare të agrobiznesit.

Ishte ambasador i plotfuqishëm i luftës për dije, i përkrahjes së studiuesve të rinj me besim të pa kushtëzuar në aftësitë e tyre, duke i frymëzuar më tej në punë e në jetë. Janë të rrallë njerëzit e pajisur me atë energji pozitive, me fjalë dhe me kontribut të drejtpërdrejtë u ka sjellë aq të mira shumë specialistëve të bujqësisë, shumë bujqve, peshkatarëve familjeve rurale në të gjithë pellgun e Mesdheut. I ka nxitur të ndjehen të vlerësuar e të mbrojnë dinjitetin e punës së tyre.

…Tashmë Cosimo Lacirignola do të prehet në Pulia, në tokën e vendlindjes së tij, që me punën e tij e bëri edhe më të njohur, të cilën e deshi aq fort gjatë gjithë jetës.

Përulemi me respekt para kujtimit të këtij njeriu të madh!

Pandeli Pasko

Ish-student i CIHEAM-it

Sali Metani

Ish-përfaqësues i Shqipërisë pranë CIHEAM

Arben Myrta

Ish-student i CIHEAM-it

 


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.